Presidentja Osmani takoi Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi. Postimi i plotë i Presidentes: Sot në Tivat, me Presidetin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike.
Presidentja Osmani ngushëllon familjen, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetin kulturor për vdekjen e akademikut e piktorit Tahir Emra

Kosova sot humbi akademikun dhe piktorin Tahir Emra. Ai la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në sferën akademike dhe atë kulturore. Veprat e tij artistike, të ekspozuara brenda dhe jashtë vendit, janë dëshmi e pasionit dhe përkushtimit, ndaj mbeten trashëgimi e çmuar për brezat. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, komunitetit kulturor dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Tahir Emrën!
Presidentja Osmani me përfaqësues shqiptarë në Mal të Zi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj është takuar me përfaqësues shqiptar gjatë qëndrimit në Tivat të Malit të Zi, në kuadër të Procesit Bërdo-Brione.
Presidentja Osmani takoi Presidentin kroat Zoran Milanović: Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike

Presidentja Osmani takoi Presidentin kroat Zoran Milanović: Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi. Postimi i plotë i Presidentes: Takim gjithnjë përmbajtësor me Presidentin kroat Zoran Milanović. Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike.
Presidentja Osmani ka udhëtuar për në Mal të Zi për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brione

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Mal të Zi për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brione. Presidentja Osmani do të pritet nga nikoqiri i takimit, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, si dhe nga Presidentët e dy shteteve bashkëthemeluese të Procesit Bërdo Brione, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic dhe Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Presidentja Osmani do të mbajë fjalim, gjersa do të realizojë takime edhe me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse. Takimi vjetor i liderëve do të fokusohet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e anëtarësimit të rajonit në BE. Në sesionin kryesor të liderëve, Presidentja Osmani do të flasë për përkushtimin e Kosovës për integrim të plotë në institucionet euroatlantike, për paqe dhe siguri të qëndrueshme, si dhe për bashkëpunim rajonal.
Presidentja Osmani në seancën plenare të Samitit të Krerëve të Shteteve të Frankofonisë: Kosova mishëron vlerat që janë në themel të kësaj organizate

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në seancën plenare të Samitit të Krerëve të Shteteve të Frankofonisë, ku ndër tjera ka theksuar se Kosova mishëron vlerat që janë në themel të kësaj organizate. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në seancën plenare të Samitit të Krerëve të Shteteve të Frankofonisë, theksova se Kosova mishëron vlerat që janë në themel të kësaj organizate: bashkëpunimin për promovimin e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në përpjekjet tona jo vetëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, por edhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, bashkëpunimi me partnerët tanë në Frankofoni është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Presidentja Osmani mori pjesë në darkën e organizuar nga Presidenti Macron për krerët e shteteve të Frankofonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë mbrëmë në Pallatin Élysée në Paris, në darkën e organizuar nga Presidenti Emmanuel Macron për krerët e shteteve të Frankofonisë.
Presidentja Osmani mori pjesë në hapjen e samitit të krerëve të shteteve të Frankofonisë në Francë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në hapjen e samitit të krerëve të shteteve të Frankofonisë në Francë së bashku me liderë të tjerë botërorë.
Presidentja Osmani pritet nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në Samitin e krerëve të shteteve të Frankofonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Zotërin e Parë, Prindon Sadriu janë pritur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Zonja e Parë, Brigitte Macron dhe Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë Louise Mushikiwabo në Samitin e krerëve të shteteve të Frankofonisë. Postimi i Presidentes Osmani: Pritja nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Zonja e Parë, Brigitte Macron dhe Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë Louise Mushikiwabo në Samitin e krerëve të shteteve të Frankofonisë. Kosova mbetet gjithnjë e përkushtuar për bashkëpunim dhe për fuqizim të pozitës së saj ndërkombëtare!
Presidentja Osmani takoi mërgatën tonë në Francë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Francë me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku po e përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e krerëve të shteteve të kësaj organizate, gjatë ditës së djeshme ka takuar mërgatën tonë. Në fjalën e saj, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e pakursyer të tyre ndaj Republikës sonë, duke thënë se shteti i Kosovës mban edhe vulën e mërgatës sonë të çmuar.