Presidentja Osmani pranoi një telefonatë nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një telefonatë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës. Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën, veçanërisht në dritën e zhvillimeve të fundit në fushën e sigurisë. Në këtë bisedë telefonike, Presidentja Osmani e ka njoftuar Presidentin Begaj në lidhje me zhvillimet e fundit në veriun e vendit, cenimin e sigurisë kombëtare nëpërmjet sulmeve në infrastrukturës kritike si dhe për masat e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë situatë. Të dy presidentët, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në adresimin e sfidave të sigurisë rajonale.

Presidentja Osmani anulon vizitën shtetërore në Brunei, shkaku i zhvillimeve të sigurisë në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei. Presidentja ishte paraparë të udhëtonte sot në mëngjes për Brunei. Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët. Ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t’u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Deklaratë e Presidentes Osmani rreth zhvillimeve të fundit

Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike. I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë.

Presidentja Osmani së bashku me ambasadorin Hovenier, me ushtarët amerikanë dhe ushtarë nga shtete të tjera në kampin Bondsteel, kremtuan Festën e Falënderimeve (Thanskgiving)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ambasadorin Hovenier, me ushtarët amerikanë dhe ushtarë nga shtete të tjera në kampin Bondsteel, sikurse çdo vit, kremtuan Festën e Falënderimeve (Thanskgiving). Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Së bashku me ambasadorin Hovenier, me ushtarët amerikanë dhe ushtarë nga shtete të tjera në kampin Bondsteel, sikurse çdo vit, kremtuam Festën e Falënderimeve (Thanskgiving). Mirënjohje për angazhimin e tyre të palodhur për paqen dhe sigurinë në Kosovë, përderisa ata festojnë këtë festë larg familjeve e më të dashurve të tyre.

Presidentja Osmani: Adem Jashari është hero i përjetësisë, njësoj sikurse UÇK-ja e përjetshme!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 28 Nëntorit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: 28 NËNTORI NË PREKAZIN HISTORIK I lindur më 28 Nëntor, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, komandanti legjendar Adem Jashari ishte njeriu i destinuar për madhështi. Kjo ditë e shenjtë për kombin tonë, mori kuptim edhe më të madh me lindjen e kryekomandantit dhe me përkushtimin e palëkundur ndaj idealeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Adem Jashari është zemra e luftës sonë, simboli i rezistencës dhe flakadani i përjetshëm i lirisë sonë. Në këtë ditë, kur UÇK-ja doli për herë të parë publikisht, në mesin e qyetarëve të shumtë, nderuam jo vetëm ditën e lindjes së komandantit legjendar, por edhe veprën dhe sakrificën e tij dhe të ushtrisë së cilës i priu edhe idealeve për të cilat dha gjithçka. Adem Jashari është hero i përjetësisë, njësoj sikurse UÇK-ja e përjetshme! Ai është i gjallë!

Presidentja Osmani: Sami Repishti ishte një patriot e prijetar me vizion, përpjekjet e të cilit ndihmuan në formësimin e rrugës drejt pavarësisë sonë

Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të profesor Sami Repishtit, patriotit të madh, zërit të shquar për drejtësi, liri e pavarësi të Kosovës. Vepra e profesor Sami Repishtit është dëshmi e guximit dhe e përkushtimit – duke qëndruar në ballë të luftës për të drejtat e njeriut dhe luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Dëshmia e tij në institucionet amerikane, shkrimet e tij për historinë e Kosovës dhe dashuria e tij e thellë për popullin tonë do të mbeten të paharrueshme. Ai ishte një patriot e prijetar me vizion, përpjekjet e të cilit ndihmuan në formësimin e rrugës drejt pavarësisë sonë. Mirënjohje e përjetshme për një jetë kushtuar çështjes shqiptare! U prehtë në paqe profesor Repishti. Trashëgimia e tij  do të jetojë për sa të jetë kombi jonë!

Urimi i Presidentes Osmani për 28 nëntor

Më 28 nëntor, nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona. 28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë. 28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!

Presidentja Osmani ka inauguruar Ambasadën e Kosovës në Kolumbi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka inauguruar Amabsadën e Kosovës në Kolumbi. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Kosova me Ambasadë në Kolumbi! 🇽🇰🇨🇴 Nga diskutimi e dakordimi me Presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro para saktësisht dy viteve, në një realitet sot në Bogota – Ambasada e Republikës së Kosovës mbrëmë i hapi dyert e saj në mes miqsh e partnerësh. Punë të mira na presin, komunikim i rregullt, si dhe bashkëpunim në dobi të shtetit tonë. Rritja e prezencës së Kosovës në Amerikën Jugore është me rëndësi strategjike. Faleminderit të gjithëve për punën e angazhimin!

Presidentja: Mirënjohëse pafund për nderimin që iu bë Kosovës sonë!

Presidentja e Republiksë së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën në Kolumbi. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Nga vendlindja e mjeshtrit të shkrimit, Gabriel García Márquez dhe simbolit të çlirimit gjithandej Amerikës Latine, Simon Bolivar, u ndamë me kujtime dhe mbresa të jashtëzakonshme. Faleminderit President Petro për pritjen! Mirënjohëse pafund për nderimin që iu bë Kosovës sonë! 🇽🇰🇨🇴 

This site is registered on wpml.org as a development site.