Presidentja Osmani përkujtoi 26-vjetorin e masakrës së Studimes: Plagët e asaj dite të kobshme nuk do të shërohen kurrë, por e vërteta për mizoritë e kryera do të mbahet gjallë e do të përcillet brez pas brezi

Në 26-vjetorin e masakrës së Studimes në Vushtrri, kujtojmë me respekt 116 gra, fëmijë, e të moshuar – të vrarë brenda dy orësh nga regjimi gjenocidal serb, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët e asaj dite të kobshme nuk do të shërohen kurrë, por e vërteta për mizoritë e kryera do të mbahet gjallë e do të përcillet brez pas brezi. Kujtesa për ta është obligim, drejtësia është qëllimi ynë, ndërsa martirët janë testament i përjetshëm i lirisë sonë. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Studimes!
Konferenca për media e Presidentes, Vjosa Osmani me Kryeministrin e Malajzisë, Anwar Ibrahim
Presidentja Osmani: Pritja madhështore për Kosovën në Malajzi – simbol i miqësisë mes dy popujve tanë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Malajzi, u prit sot me nderime të larta shtetërore nga Kryeministri Anwar bin Ibrahim, në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya. “Pritja madhështore për Kosovën në Malajzi – simbol i miqësisë mes dy popujve tanë. Faleminderit! Terima Kasih”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani u prit në takim nga Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në në Malajzi, u prit sot me nderime të larta shtetërore nga Kryeministri Anwar bin Ibrahim, në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya. Në këtë takim, Presidentja Osmani falënderoi Kryeministrin Anwar për mbështetjen e palëkundur që Malajzia i ka dhënë Republikës së Kosovës, duke theksuar se Malajzia ishte ndër shtetet e para në botë që e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008. Kryeministrin Anwar, Presidentja Osmani e falënderoi edhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se ky vendim do të hapë mundësi të reja për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve të të dy shteteve, por edhe në bashkëpunimin në sfera të interesit të përbashkët. Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e Malajzisë në periudhat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga paslufta e deri më sot, ndaj falënderoi kryeministrin Anwar për vazhdimin e mbështetjes për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në shenjë mirënjohjeje për njohjen dhe kontributin nga shteti i Malajzisë për pavarësinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit dhe përkushtimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, Presidentja Osmani e dekoroi Kryeministrin Anwar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në sferën e ekonomisë, tregtisë, inovacionit, turizmit, dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm. Në këtë kontekst Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbajtjes së një forumi ekonomik Kosovë–Malajzi. Presidentja Osmani e ftoi Kryeministrin Anwar për një vizitë zyrtare në Kosovë, si dëshmi e vullnetit të përbashkët për ta avancuar më tej këtë partneritet. Bashkëngjitur gjeni linkun e videos nga Pritja me nderime të larta shtetërore nga Kryeministri Anwar bin Ibrahim, në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya:
Presidentja: Faleminderit Kryeministër Anwar Ibrahim për mikpritjen!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të larta shtetërore në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya në Malajzi. “Pritja me nderime të larta shtetërore në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya në Malajzi. Faleminderit Kryeministër Anwar Ibrahim për mikpritjen!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani, me ftesë të Kryeministrit Anwar Ibrahim, udhëtoi për vizitë zyrtare në Malejzi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Federatën e Malejzisë, me ftesë të Kryeministrit YAB Dato’ Seri Anwar Ibrahim. Në Kuala Lumpur, Presidentja Osmani do të pritet me një ceremoni zyrtare në kompleksin shtetëror Bunga Raya. Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me Kryeministrin Anwar Ibrahim në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya, pas të cilit do të mbahet një konferencë e përbashkët për media. Për nder të Presidentes Osmani, Kryeministri Ibrahim do të organizojë një drekë zyrtare në rezidencën shtetërore Seri Perdana. Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të dekorojë me Medalje Presidenciale të Meritave Kryeministrin aktual të Malejzisë, Anwar Ibrahim, si dhe ish-kryeministrin Abdullah Ahmad Badawi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në mbështetje të Kosovës. Presidentja Osmani, në prezencë të korit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë, do ta hapë zyrtarisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, një hap i rëndësishëm në forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në rajonin e Azisë Juglindore. Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Investimeve të Malajzisë (NCCIM), si dhe me përfaqësues të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë malajziane, përfshirë prodhimin, teknologjinë dhe turizmin. Me këtë rast, do të diskutohet për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe tërheqjes së investimeve në Kosovë. Bashkëngjitur e keni videon nga pritja me nderime të larta zyrtare:
Presidentja Osmani përkujtoi 26-vjetorin e Masakrës në Shtuticë, Vërbovc dhe fshatrat përreth të Drenasit

26-vjet më parë, toka e Drenicës u mbulua nga një dhimbje që nuk shuhet kurrë. Në Shtuticë, Verboc e fshatrat përreth, regjimi gjenocidal i Serbisë ekzekutoi barbarisht 275 shqiptarë: fëmijë të pafajshëm, pleq, gra e burra vetëm pse ishin shqiptarë dhe e donin lirinë. Kjo masakër, një ndër më të tmerrshmet e luftës, mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen e njerëzimit dhe një akt që thërret për drejtësi. Ky krim makabër ishte një përpjekje për ta shfarosur popullsinë e kësaj ane. Por atë ditë, kur krimi monstruoz mori jetën e shumë shqiptarëve, dritën e lirisë e mbajtën gjallë luftëtarët e UÇK-së, të prirë nga heroiku Ilaz Kodra. Ata nuk u tërhoqën, ata nuk u dorëzuan. U bënë mburojë për popullin, ndaj 40 prej tyre me gjakun e tyre përjetësuan lirinë tonë. Sot, ne nuk i përkujtojmë vetëm martirët e kësaj masakre, por nderojmë qëndresën, sakrificën dhe dinjitetin e atyre që ranë për ta fituar lirinë tonë të sotme. Qoftë e përjetshme lavdia për dëshmorët e UÇK-së dhe kujtimi për martirët e Shtuticës, Verbocit, Drenicës dhe gjithë Kosovës!
Presidentja Osmani: Përkushtimi dhe sakrifica e Ilaz Kodrës janë simbol i luftës për liri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtoi sot 26 vjetorin e rënies së heroit Ilaz Kodra. Përkushtimi dhe sakrifica e Ilaz Kodrës janë simbol i luftës për liri. Sot, e kujtojmë me respekt, guximtarin e jashtëzakonshëm dhe udhëheqësin, i cili qëndroi gjithmonë i palëkundur për kauzën për liri e shtet. Si një nga shtyllat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai besoi, luftoi dhe ra për liri. Në çdo hap të rrugëtimit të tij, Ilazi ishte më shumë se një komandant, një frymëzim, një simbol i guximit të pakufishëm dhe i sakrificës. Me qetësinë dhe forcën që e karakterizonin, ai udhëhoqi radhët e UÇK-së, në fazat e para të organizimit dhe aksioneve luftarake. Por, më 30 prill 1999, heroizmi i tij arriti kulmin, kur ra në betejën e Shtuticës, duke u bërë gardian i përhershëm i lirisë dhe Republikës sonë. Rënia e tij ishte një humbje për të gjithë, por trashëgimia e tij është frymëzim për brezat. Qoftë i përhershëm kujtimi për heroin Ilaz Kodra!
Presidentja Osmani priti në takim Kryetarin e BDI-së, z. Ali Ahmeti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe sekretarja për barazi gjinore, Arta Bilalli-Zendeli. Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, me theks të veçantë në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Presidentja Osmani theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, janë faktor thelbësor për stabilitetin dhe integrimin e këtij shteti. Siç ka deklaruar edhe më parë, Presidentja Osmani, ritheksoi se shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut dhe forcë vendimtare që kanë drejtuar vendin drejt integrimit euroatlantik. Prandaj, çdo tendencë për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit sa i përket të drejtave tashmë të fituara e të konfirmuara të shqiptarëve në RMV duhet të kundërshtohet me vendosmëri nga të gjithë shqiptarët në RMV, si dhe i gjithë faktori shqiptar në rajon. Në këtë kuadër, ajo rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me të gjitha forcat që punojnë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të të gjithë rajonit.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin gjerman Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde. Në këtë takim, u diskutua për ngjarjet e fundit politike në vend, përfshirë zhvillimet në drejtim të konsolidimit institucional, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Rohde diskutuan edhe për formimin e qeverisë së re gjermane, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur bindjen se përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të mbetet prioritet edhe në këtë kapitull të ri politik në Berlin. Në takim u theksua rëndësia e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Presidentja Osmani vlerësoi gjithashtu rolin e Gjermanisë si mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane të Kosovës dhe e theksoi domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në kuadër të institucioneve të BE-së. Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe edicionit të sivjetmë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Prishtinë, si dhe bashkëpunimit të rregullt drejt avancimit të kësaj agjende.