Presidentja Osmani priti në takim Shefin e EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend. Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, në kuadër të mandatit teknik të këtij misioni për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie. Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të vendit për bashkëpunim konstruktiv me EULEX-in, në funksion të forcimit të rendit kushtetues dhe të sundimit të ligjit.

Presidentja Osmani: Ata që mungojnë, janë plaga më e thellë e luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, ka kujtuar qytetarët tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Presidentja Osmani ka shkruar: Ata që mungojnë, janë plaga më e thellë e luftës. Drejtësia për ta është premtimi ynë që nuk shuhet kurrë. Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, me dhimbje e respekt të thellë kujtojmë qytetarët tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Secili emër në atë listë është një jetë e ndalur dhunshëm, një familje që pret, një plagë që kërkon shërim, një ankth që nuk shuhet kurrë. Edhe 26 vite pas krimeve të kryera, Serbia refuzon hapjen e arkivave ku gjinden të dhënat për të zhdukurit me dhunë e varrezat masive. Ky refuzim është përseritje e përditshme e krimit, jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjeve të tyre e ndaj gjithë Kosovës. Prandaj lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë. Kujtojmë me nderim dhe kërkojmë drejtësi me vendosmëri.

Në 26-vjetorin e Masakrës së Mejës, në emër të Presidentes Osmani, këshilltarët, Ismet Kasniqi dhe gjeneral Sefer Isufi, bënë homazhe dhe nderime për nder të viktimave

Sot, në 26-vjetorin e Masakrës së Mejës, krimit më makabër të kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës së vitit 1999, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këshilltarët, Ismet Kasniqi dhe gjeneral Sefer Isufi, bënë homazhe dhe nderime për nder të viktimave. Në këtë përvjetor të dhimbshëm, kujtojmë me pietet të thellë 376 civilë të pafajshëm, burra, gra e fëmijë, të cilët u masakruan mizorisht nga forcat kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndërsa shumë prej tyre edhe sot e kësaj dite mbesin të pagjetur. Ky krim makabër, si shumë të tjera anembanë Kosovës, vazhdon të mbetet i pandëshkuar, duke rënduar plagët e hapura të familjarëve dhe gjithë popullit tonë. Presidentja Vjosa Osmani, në emër të Republikës dhe popullit të Kosovës, riafirmon përkushtimin e palëkundur për drejtësi, për të kërkuar me këmbëngulje zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre krimeve. Kujtimi për martirët e lirisë të Mejës dhe gjithë Kosovës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi përjetë të rënëve!

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e Masakrës së Mejës: 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar përvjetorin e Masakrës së Mejës. Presidentja Osmani ka thënë se në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi. Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!

Presidentja Osmani: Gjithmonë kënaqësi të takohem me mikun e madh të Kosovës, Presidentin William Ruto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e Kenias, William Ruto, gjatë ceremonisë mortore të Papë Fraçeskut. “Gjithmonë kënaqësi të takohem me mikun e madh të Kosovës, Presidentin William Ruto, dhe të bashkëbisedojmë për hapat e radhës drejt forcimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kenias dhe afrimit edhe më shumë të popujve tanë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja: Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i qëndrueshëm dhe më i rëndësishëm i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, gjatë ceremonisë mortore të Papë Fraçeskut. Presidentja Osmani ka shkruar: Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i qëndrueshëm dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Është gjithmonë kënaqësi të takosh Presidentin Donald Trump dhe të përçosh dashurinë dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për Amerikën. Ne jemi të përkushtuar ta bëjmë aleancën tonë më të fortë se kurrë më parë! Gjithashtu pata kënaqësinë t’i uroj ditelindjen Zonjës së Parë Melania Trump dhe ta përgëzoj për punën e shkëlqyer që po bën përmes iniciativave të dedikuara për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.

Presidentja: Papë Françesku do të mbahet mend për angazhimin e tij për paqen, dinjitetin njerëzor dhe solidaritetin ndërmjet popujve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas liderëve nga mbarë bota, ka marrë pjesë në ceremoninë e funeralit të Papë Françeskut, në Vatikan. Presidentja Osmani ka shkruar: Krahas liderëve nga mbarë bota, në Vatikan, në ceremoninë e funeralit të Papë Françeskut. Papë Françesku do të mbahet mend për angazhimin e tij për paqen, dinjitetin njerëzor dhe solidaritetin ndërmjet popujve. Trashëgimia e tij në përkushtimin ndaj të varfërve, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndërtimit të urave të miqësisë ndërmjet kombeve do të jetojë gjatë.

Presidentja Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari: Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë

Reagimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani: Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan! Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë. Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti. Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje. Kosova është vend i lirë e demokratik. Dhuna dhe urrejtja nuk do të kenë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenon dinjitetin dhe sigurinë e të rinjve tanë. Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!

Presidentja Osmani së bashku me Presidentin Begaj, kardinalin Ernest Simonin dhe delegacionet bënë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe me delegacionet kanë bërë homazhe sot, për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan. “Sot, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, së bashku me Presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën”, ka shkruar Presidentja Osmani.

This site is registered on wpml.org as a development site.