Presidentja Osmani është takuar me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Japoni, është takuar me Kryetarin e Parlamentit (Dhomës së Përfaqësuesve) të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga. Presidentja Osmani ka shkruar: Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga, riafirmuam përkushtimin tonë të palëkundur për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në shërbim të vlerave të përbashkëta. Mbështetja e Japonisë për popullin e Kosovës ka qenë thelbësore gjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit, dhe synojmë që këtë partneritet ta ngremë në nivele edhe më të larta. 🇽🇰 🇯🇵

Presidentja Osmani takoi Kryeministrin japonez Shigeru Ishiba: Populli i Kosovës përherë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë

Gjatë vizitës zyrtare bilaterale në Japoni, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba. Presidentja e ka falënderuar Kryeministrin Ishiba për mikpritjen e ngrohtë dhe për përkushtimin e tij ndaj thellimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Ishiba biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa Presidentja theksoi se Kosova mbetet një partnere e besueshme dhe një zë i përkushtuar në mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit — vlera që na bashkojnë me Japoninë. Në këtë frymë, Presidentja riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë përmes investimeve japoneze në industri kyçe. Në këtë kontekst, Presidentja foli për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ndërmjet bizneseve dhe për heqjen e regjimit të vizave për të gjitha pasaportat e shtetasëve të Kosovës, si mënyrë për ta lehtësuar këtë bashkëpunim, gjersa e falënderoi Japoninë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave zyrtare dhe diplomatike. Ajo foli edhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të tjera si arsimi, kultura, turizmi dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët. Tutje, në takim, Presidentja theksoi se populli i Kosovës është gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Presidentja, po ashtu, foli edhe për rëndësinë e mbështetjes së Japonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare.

Presidentja Osmani pritet në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë, gjatë qëndrimit të saj në Tokio. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se miqësia e thellë dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Japonisë janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta, respektin dhe besimin e ndërsjellë. Presidentja ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e Japonisë përgjatë viteve. Presidentja Osmani e falënderoi Perandorin për mikpritjen dhe i uroi popullit japonez mirëqenie, shëndet dhe përparim të mëtejshëm.

Presidentja: Nga Kosova në Japoni, shpirti i çlirimit dhe vendosmërisë së popullit tonë nuk shuhet kurrë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Çlirimit, nga Tokio. Presidentja Osmani ka shkruar: Gëzuar Dita e Çlirimit, kësaj radhe nga Tokio! Nga Kosova në Japoni, shpirti i çlirimit dhe vendosmërisë së popullit tonë nuk shuhet kurrë. Kjo ditë na kujton se çdo betejë për drejtësi është beteja e të gjithëve, pavarësisht se ku ndodhemi në botë. Liria na bashkon – sot dhe përherë.

Këshilltarë të Presidentes Osmani morën pjesë në ceremoninë komemorative dhe varrimin e ish-Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi

Në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Japoni, këshilltarët e saj, z. Ismet Krasniqi dhe Gjeneral Brigade Dr. Sefer Isufi, morën pjesë në mbledhjen komemorative, homazhet dhe ceremoninë e varrimit të ish-Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi. Me këtë rast, ata vendosën një kurorë me lule në emër të Presidentes Osmani, duke përcjellë mesazhin e saj të nderimit për figurën dhe veprën jetësore të Dr. Bukoshit, ish-kryeministër në ekzil dhe zëvendëskryeministër, kontribuues i jashtëzakonshëm në rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Me rastin e ndarjes nga jeta të Dr. Bukoshit, Presidentja Osmani i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Bukoshi, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për ta, si dhe për miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Presidentja: Gjatë takimit biznesor Kosovë-Japoni në Tokio, u dëshmua potenciali për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se gjatë takimit biznesor Kosovë-Japoni në Tokio, u dëshmua potenciali për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot, gjatë takimit biznesor Kosovë-Japoni në Tokio, u dëshmua potenciali për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona. Jam veçanërisht e lumtur që në këtë vizitë në Japoni jam e shoqëruar nga një delegacion i bizneseve nga sektorë të ndryshëm në Kosovë — një dëshmi konkrete e gatishmërisë sonë për partneritet strategjik me Japoninë.

Mesazhi i Presidentes për 12 qershorin, Ditën e Çlirimit

Kosova e lirë, përjetë krenare! Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet. Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!

Presidentja Osmani në Osaka: Kosova, një demokraci që shikon drejt së ardhmes

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin kryesor në emër të Republikës së Kosovës, në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në EXPO 2025, në Osaka, Japoni. Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani tha se: “Nesër është Dita e Çlirimit në Kosovë, dita kur populli ynë u lirua përfundimisht nga një regjim genocidal – një ditë që nderon guximin e atyre që luftuan për lirinë tonë, kujtimin e atyre që dhanë sakrificën më të madhe dhe fuqinë e aleancave që na ndihmuan kur kishim më së shumti nevojë.” Tutje, Presidentja theksoi se: “Sot, Kosova është një demokraci që shikon drejt të ardhmes, e udhëhequr nga sundimi i ligjit, me një brez të ri vizionar dhe e përkushtuar thellësisht ndaj vlerave euro-atlantike.” Duke folur për raportet e shkëlqyera me Japoninë, Presidentja tha: “Mbështetja e vazhdueshme e Japonisë për popullin tonë, sidomos pas luftës dhe gjatë fazave të ndryshme të rindërtimit, nuk do të harrohet kurrë. Ajo ka formësuae themelin e fortë të miqësisë që gëzojmë sot. Ndërsa Kosova vazhdon rrugën e zhvillimit dhe forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare, presim me padurim thellimin e mëtutjeshëm të këtij partneriteti.” Në linkun në vijim gjeni Fjalimin e plotë të Presidentes Osmani në emër të Republikës së Kosovës, në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në EXPO 2025, në Osaka, Japoni:

Presidentja: Arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Presidentja Osmani ka shkruar: Arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës. I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë. Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare. Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve. Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen. Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti.

This site is registered on wpml.org as a development site.