Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e masakrës në Stagovë të Kaçanikut

Më 21 maj 1999, forcat serbe të regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht 13 civilë në Stagovë të Kaçanikut, përfshirë 7-vjeçarin Fitim Gudaqi. Në mbrojtje të civilëve, dëshmor ra edhe pjesëtari i UÇK-së, Ekrem Gudaqi. Kjo masakër, ndër më të tmerrshmet në Kosovë, u hetua nga Tribunali i Hagës, por askush nuk u dënua. Paramilitarët serbë shkatërruan mbi 90 shtëpi nga 180 sa kishte fshati dhe vranë bagëtinë. Kjo ditë mbetet simbol i dhimbjes dhe qëndresës. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe ata që u flijuan për liri!

Presidentja Osmani udhëton për vizitë shtetërore në Zvicër me ftesë të Presidentes Keller-Sutter

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, kanë udhëtuar për në Zvicër, në vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet. Vizita do të realizohet në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore dhe do të ketë për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, ndaj kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër. Në Rezidencën zyrtare Lohn do të bëhet pritja me nderime shtetërore dhe do të mbahet një drekë pune, ku Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, do të priten me nderime të larta shtetërore nga Presidentja Keller-Sutter dhe Zotëria i Parë, Morten Keller. Më pas, në sheshin qendror të Bernës, Bundesplatz, do të mbahet ceremonia shtetërore e mirëseardhjes me nderime ushtarake, ku ndër të tjera Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do të kenë rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që do të marrin pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve. Programi i vizitës do të vazhdojë me ceremoninë shtetërore në Parlamentin e Zvicrës, ku Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim të posaçëm para përfaqësuesve të institucioneve zvicerane. Po ashtu, gjatë qëndrimit të saj në Bernë, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të institucioneve federale. Në St. Gallen, Presidentja Osmani me homologen Keller-Sutter do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE të Universitetit të St. Gallen. Ndërkaq në Gjenevë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitet për trashëgiminë politike të Martti Ahtisaarit, të organizuar bashkërisht nga Fondacioni i Paqes Martti Ahtisaari, Misioni i Përhershëm i Finlandës në Gjenevë, organizata ndërkombëtare Interpeace dhe Geneva Graduate Institute. Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare.

Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve betohen para Presidentes Osmani

Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, sot e kanë dhënë betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Gjatë ceremonisë, anëtarët e rinj u zotuan se do t’i kryejnë detyrat e tyre me ndershmëri, besnikëri, paanësi, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.

Presidentja Osmani priti në takim Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të takimeve të rregullta për bashkëpunimin strategjik ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të NATO-s. Presidentja Osmani potencoi sfidat aktuale të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë tek siguria kufitare dhe domosdoshmëria për parandalim dhe shmangie të çdo përpjekjeje për destabilizim nga Serbia. Më tej, Presidentja vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe angazhimit të ndërsjellë. Presidentja dhe Komandanti i KFOR-it riafirmuan përkushtimin e përbashkët për bashkëpunim të vazhdueshëm, në përputhje me mandatin e NATO-s dhe interesin e përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon.

Presidentja Osmani takoi Kancelarin Merz: Gjermania i ka qëndruar prej kohësh pranë Kosovës, si një mike, një partnere dhe një aleate e palëkundur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, në Tiranë gjatë Samitit të Liderëve të EPC-së. Presidentja Osmani ka shkruar: Gjermania i ka qëndruar prej kohësh pranë Kosovës, si një mike, një partnere dhe një aleate e palëkundur. Ishte një kënaqësi të takoja Kancelarin Merz në Tiranë gjatë Samitit të Liderëve të EPC-së. I gëzohem punës me Kancelarin për të forcuar partneritetin tonë përderisa punojmë së bashku drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Presidentja: Bashkë me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, bashkëkryesuam tryezën e liderëve temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, bashkëkryesuan tryezën e liderëve temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, në kuadër të samitit të gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili u mbajt dje në Tiranë. Presidentja Osmani ka shkruar: Kosova dhe Kroacia i kanë prirë dje diskutimit të nivelit më të lartë evropian për sfidat e migrimit, mobilitetin dhe fuqizimin e të rinjve. Bashkë me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, bashkëkryesuam tryezën e liderëve temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”. Përderisa sfidat dallonin nga shteti në shtet, një gjë ishte e qartë, përkushtimi për garantim të sigurisë dhe sundim të ligjit mbeten kyç për politika të duhura e zgjidhje afatgjata.

Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e ri belg, Bart De Wever

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), është takuar me Kryeministrin e ri belg, Bart De Wever. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Tiranë, kisha kënaqësinë ta takoj Kryeministrin e ri belg, Bart De Wever. Bashkë, diskutuam për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy shteteve tona, mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për integrimin euroatlantik të Kosovës, situatën e sigurisë në rajon, si dhe nevojën për heqjen e masave të padrejta kundër qytetarëve tanë. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Belgjikën.

This site is registered on wpml.org as a development site.