Presidentja: Kosova është zë i rinisë, qëndresës, inovacionit, kulturës dhe vlerave që nuk zbehen me kohë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është zë i rinisë, qëndresës, inovacionit, kulturës dhe vlerave që nuk zbehen me kohë, duke shtuar më tej se ky zë u dëgjua sot në zemër të Japonisë. Presidentja Osmani ka shkruar: Kosova është zë i rinisë, qëndresës, inovacionit, kulturës dhe vlerave që nuk zbehen me kohë. Ky zë u dëgjua sot në zemër të Japonisë! Së bashku me një delegacion biznesor nga Kosova, si dhe me përfaqësuesit e Filharmonisë së Kosovës, e sollëm para botës jo vetëm identitetin tonë kulturor dhe ekonomik, por edhe vizionin tonë strategjik për zhvillim të qëndrueshëm, bashkëpunim ndërkombëtar dhe forcim të partneriteteve me shtetet mike.
Drejtpërdrejt nga Osaka, Japoni: Ceremonia zyrtare e shënimit të Ditës së Kosovës në EXPO 2025; fjalimi në emër të Republikës së Kosovës dhe performanca e veçantë e Filharmonisë së Kosovës
Me ftesë të Qeverisë japoneze, Presidentja Osmani ka udhëtuar për vizitë bilaterale zyrtare në Japoni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Japoni ku do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale. Gjatë vizitës zyrtare në Tokio, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë. Presidentja poashtu do të ketë takim bilateral me Kryeministrin e Japonisë z. Shigeru Ishiba, ku do të diskutohet fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Përgjatë vizitës zyrtare, Presidentja do të ketë takim edhe me Kryetarin e Parlamentit, z. Fukushiro Nukaga. Përveç vizitës në Tokio, gjatë qëndrimit në Japoni, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare për shënimin e Ditës së Kosovës në Ekspozitën Botërore Expo 2025 në Osaka. Në hapjen zyrtare të Ditës së Kosovës në Osaka, Presidentja Osmani do të pritet nga ministri Naoki Okada, përgjegjës për Expo Osaka 2025. Ajo do t’u drejtohet të pranishmëve me fjalimin kryesor në emër të Republikës së Kosovës, si dhe do ta vizitojë Pavijonin e Kosovës. Ceremonia e hapjes zyrtare të Ditës së Kosovës do të përcillet po ashtu me një koncert të veçantë nga Filharmonia e Kosovës. Në kuadër të vizitës, Presidentja Osmani do të udhëheqë gjithashtu takimin biznesor në Tokio, së bashku me një delegacion të përbërë nga përfaqësues të bizneseve nga Kosova, si dhe në prezencë të bizneseve nga Japonia. Ky takim synon promovimin e mundësive për investime japoneze në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Gjithashtu, Presidentja Osmani do të takohet me z. Tanaka Akihiko, kryetar i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim të mëtejmë zhvillimor me Japoninë. Si pjesë e agjendës së saj zyrtare në Tokio, Presidentja Osmani poashtu do ketë një diskutim me studentë të Sophia University si dhe një sërë aktivitetesh të tjera që kanë për synim afirmimin dhe thellimin e mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Presidentja Osmani: Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë

Më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë. Sot, 147 vite më vonë, nderojmë me përulje veprën e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit dhe të gjithë patriotëve të tjerë që e mbajtën gjallë idealin e një kombi të lirë dhe të barabartë në mes kombeve të Evropës. Urime 147 vjetori i Lidhjes së Prizrenit!
Presidentja Vjosa Osmani ngushëllon familjen Bukoshi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Dr. Bujar Bukoshit

E nderuara familje Bukoshi, Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, një mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq. Dr. Bukoshi, ish-kryeministër në ekzil, do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur në kohët më të rënda për popullin tonë. Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Për dekada me radhë, ai i shërbeu vendit me dinjitet, dije dhe vendosmëri. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Dr.Bujar Bukoshin!
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të Lutjeve të Mëngjesit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim përfaqësues të Lutjeve të Mëngjesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo i falënderoi për kontributin e vazhdueshëm në mbështetje të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se aleancat strategjike janë thelbësore për të ardhmen e vendit dhe se partneriteti me SHBA-në do të vazhdojë të jetë një shtyllë e fortë në procesin e ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Një javë më parë u përmbyll me sukses edicioni i tretë i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani

Mbi 2000 pjesëmarrës, mbi 150 panelistë nga më shumë se 45 shtete dhe mbi 30 panele e sesione diskutimi për dy ditë me radhë, Kosova u shndërrua në epiqendrën globale të diskutimeve për paqen, sigurinë dhe të drejtat e grave e të fëmijëve. Në 25-vjetorin e miratimit të Agjendës së OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Kosova u paraqit sërish si kampione e kësaj agjende si një vend që, ndonëse i dalë nga lufta, ka zgjedhur paqen, fuqizimin e grave, si dhe avancimin e vazhdueshëm e të drejtave të njeriut si rrugën e zhvillimit. Fokusi i këtij edicioni nuk ishte vetëm tek gratë, por edhe tek fëmijët duke vënë theksin te dëmi i shkaktuar ndër breza nga luftërat dhe konfliktet, por edhe tek rëndësi a e parandalimit të tyre duke marr për shkas storien e Kosovës. Fëmijët e Kosovës, dikur fëmijë të luftës, janë sot dëshmia më e pastër e qëndrueshmërisë dhe shpresës që lind nga paqja. Falë të gjithëve që ishin pjesë e këtij forumi përmes fjalëve, ideve, përvojave dhe vizioneve, Kosova u vendos edhe njëherë në zemër të kësaj agjende dhe diskutimeve globale që synojnë një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më paqësore për të gjithë. Një falënderim i veçantë për punën e palodhshme të kabinetit presidencial, stafit civil, si dhe të gjithë institucioneve e partnerëve, që kontribuuan në suksesin e këtij edicioni. Ju faleminderit! Puna vazhdon…
Presidentja Osmani priti në takim, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e konstituimit të institucioneve të reja si dhe rrugën evropiane të Kosovës. Në takim, u diskutua edhe për vizitën e fundit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas. Presidentja Osmani e vlerësoi këtë vizitë, njëlloj si edhe vizitat e zyrtarëve të tjerë të lartë të BE-së, si një sinjal të përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të Kosovës për integrim në strukturat evropiane. Në këtë kontekst, ndër të tjera, u diskutua edhe për rëndësinë e reformave, bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me institucionet evropiane.
Presidentja Osmani ka caktuar 12 tetorin e vitit 2025, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta lokale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës. Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore. Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor. Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor. Presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.
Presidentja: Mirënjohje të përhershme për SHBA-në – aleatin tonë të pazëvendësueshëm, për shkollimin e vazhdueshëm të kuadrove tona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kadetët Arlind Shefiku dhe Enderon Vuthaj, si dhe major Gëzim Osmani e nënkolonel Gëzim Sada, kanë diplomuar me sukses në akademitë dhe kolegjet më prestigjioze ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidentja Osmani ka shkruar: Krenari për Kosovën! 🇽🇰🇺🇸 Kadetët Arlind Shefiku dhe Enderon Vuthaj, si dhe major Gëzim Osmani e nënkolonel Gëzim Sada, kanë diplomuar me sukses në akademitë dhe kolegjet më prestigjioze ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Suksesi i tyre është arritje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Republikën tonë dhe një dëshmi e qartë e profesionalizmit në rritje të ushtarakëve tanë, gjë që e bënë edhe më të sigurt rrugën tonë drejt integrimit të plotë euroatlantik. Mirënjohje të përhershme për SHBA-në – aleatin tonë të pazëvendësueshëm, për shkollimin e vazhdueshëm të kuadrove tona.