Presidentja Osmani: Një tjetër medalje botërore për Kosovën!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar xhudisten Laura Fazliu për medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror për Seniorë “Budapest 2025” Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Një tjetër medalje botërore për Kosovën – 🇽🇰🥉 Laura Fazliu ka shkëlqyer në Kampionatin Botëror për Seniorë në Budapest, duke fituar medaljen e bronztë në një garë të jashtëzakonshme! Me përkushtim dhe talent të jashtëzakonshëm, Laura ka treguar forcën e sportit tonë dhe shpirtin e vajzave tona që nuk ndalen kurrë. Ajo vazhdon ta mbajë flamurin e Kosovës lart në arenat më të mëdha ndërkombëtare. Një falënderim i veçantë për trajnerët e saj, legjendat Majlinda Kelmendi dhe Driton Kuka, për punën e palodhshme dhe përkushtimin ndaj brezit të ri të kampionëve. Urime Laura – krenaria jonë! 💪🇽🇰

Presidentja Osmani në Samitin e SEECP-së, fton BE-në për veprime konkrete për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në Tiranë. Presidentja Osmani ka shkruar: Faleminderit Presidentit Begaj për mikpritjen dhe lidershipin në këtë samit të nivelit të lartë të liderëve të shteteve të Evropës Juglindore në Tiranë. Gjatë adresimit tim, theksova se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës. Prandaj, është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendin tonë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, e as të ardhmes evropiane të rajonit tonë. Orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike.

Këshilltaret e Presidentes Osmani dhe bizneset kosovare u takuan me Zv.Ministrin për Ekonomi, Tregti dhe Industri të Japonisë, z. Takehiko Matsuo

Gjatë vizitës zyrtare në Japoni, në kuadër të delegacionit presidencial të udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këshilltaret Rejhan Vuniqi dhe Donika Kadaj, zhvilluan një takim të rëndësishëm me Zëvendësministrin për Ekonomi, Tregti dhe Industri të Japonisë, z. Takehiko Matsuo. Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të bizneseve kyçe nga Kosova dhe përfaqësues të sektorit privat, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Diskutimet u përqendruan në nxitjen e investimeve direkte nga Japonia në Kosovë, si dhe në krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet komuniteteve të biznesit. Ky angazhim është pjesë e vizionit të Presidentes Osmani për të avancuar marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përmes diplomacisë ekonomike, duke krijuar kështu mundësi të reja zhvillimore për vendin tonë.

Presidentja Osmani: Distria, krenaria jonë! 🇽🇰

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar xhudisten Distria Krasniqin për medaljen e argjendtë të fituar në Kampionatin Botëror të Xhudos “Budapest 2025 Postimi i plotë: Distria, krenaria jonë! 🇽🇰 Me forcë, pasion dhe zemër të pathyeshme, Distria Krasniqi ngriti flamurin e Republikës së Kosovës në piedestalin botëror! Nënkampione bote me talent, përkushtim dhe luftëtare e paepur! Urime për këtë triumf historik, je shembull frymëzimi për të gjithë!

Presidentja Osmani ka takuar Kryetarin e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Tanaka Akihiko

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Kryetarin e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Tanaka Akihiko në Tokio të Japonisë Presidentja Osmani ka shkruar: Kisha kënaqësinë ta takoj Tanaka Akihiko, Kryetarin e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) në Tokio. Diskutuam për projektet aktuale dhe ato të ardhshme të zhvillimit të mbështetura nga JICA në Kosovë, me fokus në zhvillim të qëndrueshëm, infrastrukturë dhe ndërtim të kapaciteteve. Kosova e vlerëson thellësisht partneritetin me JICA-n gjatë viteve dhe përkushtimin e palëkundur për të mbështetur rritjen ekonomike dhe progresin e vendit tonë. 🇽🇰🇯🇵

Presidentja Osmani është takuar me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Japoni, është takuar me Kryetarin e Parlamentit (Dhomës së Përfaqësuesve) të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga. Presidentja Osmani ka shkruar: Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga, riafirmuam përkushtimin tonë të palëkundur për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në shërbim të vlerave të përbashkëta. Mbështetja e Japonisë për popullin e Kosovës ka qenë thelbësore gjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit, dhe synojmë që këtë partneritet ta ngremë në nivele edhe më të larta. 🇽🇰 🇯🇵

Presidentja Osmani takoi Kryeministrin japonez Shigeru Ishiba: Populli i Kosovës përherë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë

Gjatë vizitës zyrtare bilaterale në Japoni, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba. Presidentja e ka falënderuar Kryeministrin Ishiba për mikpritjen e ngrohtë dhe për përkushtimin e tij ndaj thellimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Ishiba biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa Presidentja theksoi se Kosova mbetet një partnere e besueshme dhe një zë i përkushtuar në mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit — vlera që na bashkojnë me Japoninë. Në këtë frymë, Presidentja riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë përmes investimeve japoneze në industri kyçe. Në këtë kontekst, Presidentja foli për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ndërmjet bizneseve dhe për heqjen e regjimit të vizave për të gjitha pasaportat e shtetasëve të Kosovës, si mënyrë për ta lehtësuar këtë bashkëpunim, gjersa e falënderoi Japoninë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave zyrtare dhe diplomatike. Ajo foli edhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të tjera si arsimi, kultura, turizmi dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët. Tutje, në takim, Presidentja theksoi se populli i Kosovës është gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Presidentja, po ashtu, foli edhe për rëndësinë e mbështetjes së Japonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare.

Presidentja Osmani pritet në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Lartmadhëria e Tij, Perandori i Japonisë, gjatë qëndrimit të saj në Tokio. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se miqësia e thellë dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Japonisë janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta, respektin dhe besimin e ndërsjellë. Presidentja ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e Japonisë përgjatë viteve. Presidentja Osmani e falënderoi Perandorin për mikpritjen dhe i uroi popullit japonez mirëqenie, shëndet dhe përparim të mëtejshëm.

Presidentja: Nga Kosova në Japoni, shpirti i çlirimit dhe vendosmërisë së popullit tonë nuk shuhet kurrë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Çlirimit, nga Tokio. Presidentja Osmani ka shkruar: Gëzuar Dita e Çlirimit, kësaj radhe nga Tokio! Nga Kosova në Japoni, shpirti i çlirimit dhe vendosmërisë së popullit tonë nuk shuhet kurrë. Kjo ditë na kujton se çdo betejë për drejtësi është beteja e të gjithëve, pavarësisht se ku ndodhemi në botë. Liria na bashkon – sot dhe përherë.

This site is registered on wpml.org as a development site.