Presidentja: DokuFesti e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendrën e kulturës, filmit dhe ideve të reja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se DokuFesti e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendrën e kulturës, filmit dhe ideve të reja. Presidentja Osmani ka shkruar DokuFesti e ka shndërruar Prizrenin në kryeqendrën e kulturës, filmit dhe ideve të reja. Një përvojë e mrekullueshme, ndërmjet historive që frymëzojnë dhe njerëzve që e bëjnë artin pjesë të përditshmërisë sonë.
Presidentja Osmani: Kosova me vajzat tona në majat e botës edhe në siguri kibernetike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Dredhza Brainën, fituese e vendit të parë në botë në garën Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë Barrier Breaker. Presidentja Osmani e uroi Dredhzën për suksesin e jashtëzakonshëm, duke theksuar se arritje të tilla e vendosin Kosovën në majat e botës edhe në fushën e sigurisë kibernetike. Gjatë takimit, Presidentja përmendi edhe suksesin e Luanda Domit, fituese e çmimit Cybersecurity Woman of the Year 2025 në kategorinë Supporter, të ndarë në Las Vegas, duke vlerësuar se këto dy profesioniste të jashtëzakonshme kanë thyer barriera, kanë ngritur flamurin e Kosovës dhe kanë dëshmuar se talenti i vajzave tona nuk njeh kufij. “Dy vajza të jashtëzakonshme që thyen barriera, ngritën flamurin e Kosovës në majë dhe dëshmuan se talenti i vajzave tona nuk njeh kufij. Ju jeni frymëzim për gjithë rininë e Kosovës,” u shpreh Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı. Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe të mbrojtjes. Presidentja Osmani ritheksoi se Republika e Turqisë mbetet një aleate e rëndësishme e Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të saj në rrugën euroatlantike të vendit tonë. Presidentja theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet prioritetet strategjik i Republikës së Kosovës dhe se bashkëpunimi me Turqinë në këtë drejtim është thelbësor. Presidentja Osmani dhe ambasadori Tunç Angılı diskutuan po ashtu për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Në dritë të letrës së pranuar nga Presidenti Trump, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e tij dhe për fjalët e fuqishme mbi partneritetin me Kosovë. Ajo rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur për të punuar ngushtë me Presidentin Trump në thellimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta strategjike. Presidentja Osmani vlerësoi lart lajmin të cilin ia ka komunikuar javën e kaluar Zëvendëssekretari amerikan Christopher Landau për vazhdimin e Kompaktit të MCC-së në Kosovë, si një hap që do të ndihmojë ndjeshëm zhvillimin afatgjatë dhe strategjik të sektorit të energjisë, si dhe zhvillimet pozitive në aspektin e integrimit të Kosovës në peizazhin digjital global. Tutje, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe pritshmëritë për hapat e mëtejmë. Ndër të tjera, u diskutua edhe për hapa konkretë në funksion të thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Presidentja Osmani: Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Presidentin Trump për përkrahjen e tij, si dhe për fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën. Presidentja Osmani ka shkruar: Faleminderit Presidentit Trump për përkrahjen e tij, si dhe për fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën. Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me SHBA-të, në çdo sfidë e çdo sukses. Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë.
Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Në takim, Presidentja Osmani theksoi nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe theksoi rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës. Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian. Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme. Ndërlidhur me Dialogun, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve.
Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara

Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë. Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij. Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.” Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.
Konferenca e sotme për media e Presidentes Vjosa Osmani
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Finlandës, z. Matti Nissinen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Republikës së Finlandës në Kosovë, z. Matti Nissinen, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të ambasadorit Nissinen në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës. Ajo theksoi se angazhimi i tij i vazhdueshëm ka luajtur një rol kyç në afrimin e mëtejmë të dy vendeve dhe në krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm, të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Në këtë kontekst, Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë vizitën bilaterale në Finlandë, të cilën e cilësoi si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe një dëshmi konkrete e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. Gjatë takimit, Presidentja ritheksoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për rrugën euroatlantike të Kosovës. Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në vend, përfshirë konstituimin e institucioneve të reja. Në përmbyllje të takimit, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Nissinen për bashkëpunimin e frytshëm dhe përfaqësimin me dinjitet të shtetit dhe popullit finlandez në Kosovë, duke i uruar atij suksese të mëtejshme në të gjitha angazhimet e ardhshme.
Presidentja: Sunny Hill Festival është rrëfim i një ëndrre të kthyer në realitet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë mbrëmë në Sunny Hill Festival. Presidentja Osmani ka shkruar: Sunny Hill Festival është rrëfim i një ëndrre të kthyer në realitet. Një ëndërr që nisi me dashurinë për vendin dhe u kthye në një nga ngjarjet më frymëzuese që e vendos Kosovën në qendër të hartës kulturore globale. Përmes muzikës, pasionit dhe energjisë së rinisë – Kosova po shkëlqen. Po tregon se edhe nga një vend i vogël, mund të lindin gjëra të mëdha. Faleminderit, Dua, që ëndrrën tënde e bëre edhe tonën. Faleminderit ekipit të Sunny Hill që e bëni këtë ëndërr realitet çdo vit, duke e sjellë botën në zemër të Kosovës! 🇽🇰 📸: Dua Lipa, Sunny Hill Festival, Arben Llapashtica