Deklaratë e Presidentes lidhur me konstituimin e Kuvendit

Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj.Albulena Haxhiu, Znj.Vlora Çitaku, z.Kujtim Shala dhe znj.Emilija Redžepi. Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen: Diskutime miqësore mbi forcimin e marrëdhënieve me Austrinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, si dhe Zonjën e Parë, Doris Schmidauer, në Alpbach. “Me Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, si dhe Zonjën e Parë, Doris Schmidauer, në Alpbach-un e bukur. Diskutime miqësore mbi forcimin e marrëdhënieve me Austrinë, një nga aleatët më të fortë të popullit tonë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja: Një gjeneratë që nuk njeh kufij!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar një grup të rinjsh shqiptarë në Forumin Evropian Alpbach. Presidentja Osmani ka shkruar: Një gjeneratë që nuk njeh kufij! Pasdite e bukur në zemër të Alpeve austriake, mes të rinjve të jashtëzakonshëm shqiptarë në Forumin Evropian Alpbach. Të gjithë kanë një të përbashkët: dashurinë për vendin dhe vendosmërinë për ta bërë Kosovën më të mirë.

Presidentja Osmani kujton komandant Ismet Jasharin– Kumanova, në 27-vjetorin e rënies

Në 27-vjetorin e rënies heroike, kujtojmë me nderim dhe krenari, komandant Ismet Jashari– Kumanova, njërin ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ra në altarin e lirisë si komandant i pathyeshëm, duke u bërë frymëzim për brezat dhe simbol i sakrificës për liri. Në këtë ditë, nderojmë gjithashtu edhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, të cilët me gjakun e tyre shkruan faqet më të lavdishme të historisë sonë. Lavdi e përjetshme!

Presidentja: Gjithnjë frymëzues bashkëbisedimi në Forumin Alpbach në Austri me të rinj e të reja të jashtëzakonshme, të cilët do të jenë udhëheqësit e ardhshëm në Evropë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se gjithnjë është frymëzues bashkëbisedimi në Forumin Alpbach në Austri me të rinj e të reja të jashtëzakonshme. Presidentja Osmani ka shkruar: Gjithnjë frymëzues bashkëbisedimi në Forumin Alpbach në Austri me të rinj e të reja të jashtëzakonshme, të cilët do të jenë udhëheqësit e ardhshëm në Evropë. Diskutuam për rolin e Kosovës si kontribuese aktive për paqe e siguri, për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik, si dhe për rikthimin e Evropës tek forca jonë më e madhe: mbrojtja e vlerave demokratike. Jo vetëm në fjalë, por në veprim. Me guximin për të qëndruar krah atyre që i mbrojnë këto vlera dhe për t’i hapur dyert Kosovës dhe shteteve të tjera që punojnë me përkushtim për to.

Presidentja Osmani në takim me drejtorin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Michael Reiffenstuel: Gjermania është shtyllë strategjike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, me fokus te zhvillimet rreth konstitutimit të parlamentit. Po ashtu, u diskutua për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz. Më tej, Presidentja Osmani vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane. Presidentja Osmani nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës. Tutje, Presidentja kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në takim, Presidentja theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke elaboruar qartë kontributin që një e tillë do të kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë. Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës. Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Presidentja Osmani dhe z. Reiffenstuel diskutuan edhe për mënyra konkrete të bashkëpunimit bilateral, me ç’rast konfirmuan se takime të këtilla dhe vizitat e nivelit të lartë kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave të përbashkëta.

Presidentja: Thirrje organeve të rendit e të drejtësisë për veprim urgjent në rastin e vrasjeve në Gjilan

Presidentja shpreh keqardhjen e thellë për humbjen tragjike të tre qytetarëve në vrasjen e rëndë të kryer në Gjilan dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Gjithashtu, Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin. Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike. Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë. Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje. Presidentja i bën sërish thirrje organeve të rendit dhe atyre të drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit, në mënyrë që vrasësi të marrë dënimin e merituar.

This site is registered on wpml.org as a development site.