Presidentja Osmani: 1584 qytetarë tanë ende mungojnë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, kujtojmë plagën e hapur të Kosovës. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, kujtojmë plagën e hapur të Kosovës. 1584 qytetarë tanë ende mungojnë. Pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje e cila prej më shumë se dy dekadash pret drejtësinë për më të dashurit. Varret e hapura janë dëshmi e gjallë e krimeve të luftës dhe krimit te përsëritur nga regjimi gjenocidal serb, si dhe kujtesë e përditshme se drejtësia nuk është vënë ende në vend. Për sa kohë sa mijëra qytetarë tanë mbesin të zhdukur, paqja mbetet e paplotë. Regjimi i Vuçiqit vazhdon të fle mbi varreza masive, duke mbajtur peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Është koha që partnerët ndërkombëtarë ta rrisin presionin mbi Serbinë, sepse vetëm zbardhja e fatit të të zhdukurve si dhe drejtësia mund t’u japin familjeve qetësinë që meritojnë.

Presidentja Osmani priti në takim Koordinatorin e ri të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, z. Stephen O’Malley

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim koordinatorin e ri të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, z. Stephen O’Malley. Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi z. O’Malley për rolin e tij të ri, duke i uruar sukses përgjatë mandatit të tij. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e Agjencive të Kombeve të Bashkuara të pranishme në Republikën e Kosovës, të cilat, në bashkëpunim me institucionet vendore, kanë kontribuar në arritjen e objektivave të përbashkëta. Këto objektiva përfshijnë projekte për fuqizimin e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë personat me nevoja të veçanta, barazia gjinore, Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, si dhe fusha të tjera me rëndësi.

Presidentja Osmani priti në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka sistemin më të avancuar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në të gjithë Evropën dhe se mbetet e përkushtuar për garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje apo përkatësie tjetër. Presidentja theksoi se përmes Këshillit Konsultativ për Komunitete, Presidenca po punon çdo ditë me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve jo-shumicë për t’i adresuar shqetësimet e tyre dhe për të gjetur zgjidhje konkrete. Ajo ritheksoi përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të të gjithë qytetarëve të Republikës dhe avancimin e standardeve më të larta demokratike. Në këtë frymë, Presidentja nënvizoi se gjithëpërfshirja, e ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, barazinë dhe liritë themelore, mbetet prioritet, kurse theksoi se diversiteti është një vlerë e shoqërisë sonë. Ajo rikujtoi se Kushtetuta e Kosovës, e bazuar mbi standardet më të avancuara demokratike, ofron mekanizma të fuqishëm për mbrojtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe fetar të komuniteteve, duke e bërë Kosovën një shembull të demokracisë gjithëpërfshirëse. Presidentja Osmani dhe z. Kamp diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe OSBE-së, përmes programeve të ndryshme të cilat kanë për qëllim forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, për të cilat Kosova po tregon progres të vazhdueshëm.

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e vizitës historike të senatorëve amerikanë në Prishtinë

Më 29 gusht 1990, mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova në qendër të Prishtinës brohorisnin “Liri… liri!” dhe “USA… USA!”, përballë regjimit shtypës të Millosheviqit. Delegacioni i senatorëve amerikanë, i prirë nga Bob Dole, pa me sytë e vet dhunën dhe e bëri të njohur të vërtetën tonë para botës. 35- vjet më pas, Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur. Kjo është edhe falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara, që atëherë e sot mbeten udhërrëfyesi ynë dhe aleate e përhershme. Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë SHBA-të!

Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve: Do të vazhdojmë të punojmë së bashku deri në kthimin edhe të qytetarit të fundit nga Republika jonë, liria jonë nuk do të jetë e plotë pa rikthimin e tyre

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, kryeministrin në detyrë Albin Kurti si dhe me familjet e të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, kanë bërë nderime tek Monumenti i Personave të Zhdukur. Në vijim, gjeni të plotë deklarimin e Presidentes Osmani për media: Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, sikurse edhe çdo vit, jemi bashkë me familjet e të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë për të përkujtuar secilin prej tyre, por po ashtu për ta ngritur zërin tonë edhe një herë për drejtësi dhe për ta ngritur zërin tonë për këtë krim të vazhdueshëm të Serbisë. Dhe e them që është krim i vazhdueshëm sepse, përtej krimeve që janë kryer në vitin ’98 dhe ’99 nga ana e Serbisë, zhdukja me dhunë e personave, të dashurve të shumë familjeve këtu në Kosovë, është krim të cilin Serbia e kryen çdo ditë, duke i mbajtur ata në varreza masive, duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e këtyre të zhdukurve me dhunë, Serbia çdo ditë kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ne jemi edhe sot në solidaritet të plotë me familjet, të cilat akoma jetojnë në ankth dhe në dhimbje të pafund, edhe 26 vite pas luftës, por përtej fjalëve, jemi bashkë me familjet në përpjekjet tona të vazhdueshme për drejtësi dhe në përpjekjet tona të vazhdueshme për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse për këtë krim të përsëritur. I bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë aleatëve tanë, të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë, që t’i bëjnë presion të vazhdueshëm Serbisë, këtij shteti gjenocidal, këtij shteti që akoma jo vetëm e mohon krimin, por edhe e fsheh krimin, duke i mbajtur të zhdukur me dhunë mijëra shqiptarë nga Kosova, por njëkohësisht edhe viktima nga luftërat e tjera që Serbia i ka shkaktuar në ish-Jugosllavi. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku deri në kthimin edhe të qytetarit të fundit nga Republika jonë, mirëpo duhet ta përsërisim që liria jonë nuk do të jetë e plotë pa rikthimin e tyre. 

Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim të ngarkuarën me Punë të SHBA-së në Kosovë, znj. Anu Pratipati. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe shumicës së nënkryetarëve, si dhe hapat e mëtejshëm drejt konstituimit të plotë të Kuvendit. Në mesin e temave të diskutuara ishte edhe bashkëpunimi dypalësh, ku u rikonfirmua gatishmëria për avancimin e mëtejshëm në fusha me interes strategjik për të dyja vendet. Në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe këtë vit si kryesuese e delegacionit të Kosovës në cilësinë e saj si Kreu i shtetit, u diskutua për agjendën si dhe pritshmëritë nga takimet dhe aktivitetet e planifikuara.

Këshilli Konsultativ për Komunitete, mbajti takimin e radhës nën kryesimin e Presidentes Osmani

Këshilli Konsultativ për Komunitete, mbajti takimin e radhës nën kryesimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në këtë takim u shqyrtuan çështje të rëndësishme që lidhen me nevojat dhe prioritetet e komuniteteve në vend, me fokus në pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën shoqërore, institucionale dhe ekonomike. U theksua se përfshirja e komuniteteve në proceset shtetërore është thelbësore për realizimin e të drejtave të tyre, përfshirë të drejtat sociale, dhe për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku çdo qytetar gëzon trajtim të barabartë. Anëtarët e Këshillit shprehën mirënjohjen e tyre për Presidenten Vjosa Osmani, duke vlerësuar lartë përkushtimin e saj në adresimin dhe përkrahjen e çështjeve të komuniteteve, si dhe gatishmërinë e saj për të qenë gjithmonë pranë tyre në zgjidhjen e sfidave dhe avancimin e të drejtave të barabarta për të gjithë.

Presidentja Osmani në takim me përfaqësuesin francez mbështet ndërtimin e urave të reja mbi Ibër dhe kërkon heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani priti sot të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin René Troccaz, ku u diskutuan zhvillimet politike në Kosovë dhe siguria rajonale. Presidentja përsëriti orientimin strategjik të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin e palëkundur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke theksuar se reformat, sundimi i ligjit dhe përputhja me standardet evropiane mbeten prioritetet kryesore. Presidentja theksoi se Kosova është e përkushtuar ndaj stabilitetit politik dhe funksionimit të plotë demokratik të institucioneve, duke përmendur zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të shumicës së nënkryetarëve si hapa kyç në këtë drejtim. Në lidhje me hapjen e urës së re mbi lumin Ibër si dhe vazhdimin e ndërtimit të një ure shtesë, Presidentja Osmani theksoi se mirëpret ndërtimin e tyre, duke vënë në pah rolin pozitiv që urat luajnë në integrimin, bashkimin dhe afrimin e qytetarëve, përmes lehtësimit të lëvizjes, bashkëpunimit dhe transportit. Ajo rikujtoi më tej se mbyllja e urës kryesore në Mitrovicë në vitin 1999 nuk ishte bërë për çështje sigurie por për shkak të vendimeve jashtëzakonisht të dëmshme politike dhe se është për keqardhje që edhe 26 vite pas mbylljes e tashmë 10 vite pas marrëveshjes së Brukselit për hapjen e urës, ende ajo mbetet e mbyllur. Ajo shtoi se nuk janë urat ato që krijojnë tensione, por janë njerëzit e dhunshëm sikur strukturat ilegale kriminale të financuara nga Serbia, të cilat kanë krijuar dhunë e tensione përgjatë këtyre dekadave. “Është veprimtaria kriminale dhe destabilizuese e Radojçiqit dhe grupeve kriminale në veri që pengonte normalitetin dhe lëvizjen e lirë, duke krijuar atmosferë frike dhe tensioni , e jo urat”, theksoi ajo. Presidentja sqaroi se këto struktura ilegale kriminale janë të vetmet përgjegjëse për dhunën e tensionet dhe jo infrastruktura që ndërtohet për të bashkuar komunitetet. Sa i përket masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Presidentja Osmani tha se përveçse këto masa janë të padrejta, sepse godasin pa arsye qytetarët e Kosovës dhe mirëqenien e tyre, ato poashtu dëmtojnë proceset demokratike dhe zhvillimin e vendit si dhe dëmtojnë kredibilitetin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Në përfundim, Presidentja riafirmoi gatishmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Presidentja Osmani ia dorëzoi Medaljen Presidenciale të Meritave, prof.dr. Nimetullah Hafiz

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot Medaljen Presidenciale të Meritave Prof.dr. Nimetullah Hafiz, të ndarë në prill të këtij viti, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe letërsisë turke në Kosovë e më gjerë. Profesor Hafiz ka punuar në Universitetin e Prishtinës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Turke. Hafizi, është një nga figurat themeltare të krijimtarisë letrare bashkëkohore turke të Kosovës dhe studiuesi i parë që mbrojti doktoraturën në fushën e gjuhës turke. Gjatë karrierës, ai dha një kontribut të çmuar si mësimdhënës, studiues dhe publicist.

Presidentja Osmani kujton heroin Ismet Rrahmani

Në 27 vjetorin e rënies, nderojmë dhe kujtojmë Ismet Rrahmanin, heroin që jetën e tij ia kushtoi arsimimit të brezave dhe lirisë së atdheut. Ai ishte një veprimtar arsimi i devotshëm dhe më pas veprimtar i shquar në luftën për çlirim. Idealet që e drejtuan heroin Ismet Rrahmani nuk shuhen, ngase çdo veprim i tij është kujtesë se liria dhe arsimi janë vlera të shenjta që duhet ruajtur. Duke kujtuar jetën dhe veprën e tij, ruajmë trashëgiminë dhe frymëzojmë brezat e ardhshëm. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ismet Rrahmani!

This site is registered on wpml.org as a development site.