Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot Medaljen Presidenciale të Meritave Prof.dr. Nimetullah Hafiz, të ndarë në prill të këtij viti, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe letërsisë turke në Kosovë e më gjerë. Profesor Hafiz ka punuar në Universitetin e Prishtinës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Turke.
Hafizi, është një nga figurat themeltare të krijimtarisë letrare bashkëkohore turke të Kosovës dhe studiuesi i parë që mbrojti doktoraturën në fushën e gjuhës turke. Gjatë karrierës, ai dha një kontribut të çmuar si mësimdhënës, studiues dhe publicist.

