Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, kryeministrin në detyrë Albin Kurti si dhe me familjet e të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, kanë bërë nderime tek Monumenti i Personave të Zhdukur.
Në vijim, gjeni të plotë deklarimin e Presidentes Osmani për media:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, sikurse edhe çdo vit, jemi bashkë me familjet e të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë për të përkujtuar secilin prej tyre, por po ashtu për ta ngritur zërin tonë edhe një herë për drejtësi dhe për ta ngritur zërin tonë për këtë krim të vazhdueshëm të Serbisë.
Dhe e them që është krim i vazhdueshëm sepse, përtej krimeve që janë kryer në vitin ’98 dhe ’99 nga ana e Serbisë, zhdukja me dhunë e personave, të dashurve të shumë familjeve këtu në Kosovë, është krim të cilin Serbia e kryen çdo ditë, duke i mbajtur ata në varreza masive, duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e këtyre të zhdukurve me dhunë, Serbia çdo ditë kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ne jemi edhe sot në solidaritet të plotë me familjet, të cilat akoma jetojnë në ankth dhe në dhimbje të pafund, edhe 26 vite pas luftës, por përtej fjalëve, jemi bashkë me familjet në përpjekjet tona të vazhdueshme për drejtësi dhe në përpjekjet tona të vazhdueshme për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse për këtë krim të përsëritur.
I bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë aleatëve tanë, të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë, që t’i bëjnë presion të vazhdueshëm Serbisë, këtij shteti gjenocidal, këtij shteti që akoma jo vetëm e mohon krimin, por edhe e fsheh krimin, duke i mbajtur të zhdukur me dhunë mijëra shqiptarë nga Kosova, por njëkohësisht edhe viktima nga luftërat e tjera që Serbia i ka shkaktuar në ish-Jugosllavi.
Do të vazhdojmë të punojmë së bashku deri në kthimin edhe të qytetarit të fundit nga Republika jonë, mirëpo duhet ta përsërisim që liria jonë nuk do të jetë e plotë pa rikthimin e tyre.
