Të dashur motra e vëllezër,
Të nderuar bashkatdhetarë,
Mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj!
Në historinë e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë fuqi më të qëndrueshme, më të përkushtuar dhe më jetike sesa mërgata jonë.
Ju nuk jeni mysafirë këtu, nuk jeni thjesht vizitorë, por jeni bijtë dhe bijat e kësaj toke!
Që nga brezi i parë i mërgatës shqiptare që u detyrua të largohej për t’i ikur dhunës e shtypjes e deri te brezi i ri, që sot kontribuon në inovacion, në arsim, në sport e në diplomaci, historia e mërgatës sonë është një histori force, histori krenarie dhe përkushtimi.
Mërgata nuk është e largët, sepse është zemra që rreh njësoj për atdheun. Brezat tuaj nëpër dekada kanë ndërtuar, jo vetëm jetën e tyre në mërgim, por kanë ndërtuar edhe ura të forta mes Kosovës dhe shteteve, të cilat u bënë shtëpia juaj e dytë.
Proceset që nga përpjekja për çlirim e deri te shpallja e pavarësisë, nga ndërtimi i demokracisë te forcimi i shtetit në arenën ndërkombëtare e mbajnë edhe vulën e mërgatës sonë.
Nga kompanitë e ndërtimit në Zvicër e në Gjermani tek ato në SHBA e Kanada, nga universitetet në këto shtete, tek ndërmarrësit në Kanada, në Austri e teknologjia në Skandinavi ju keni qenë shtylla e fortë e zhvillimit të shteteve ku keni shkuar.
Sot shqiptarët janë gjithandej nëpër botë dhe jo vetëm si prezencë fizike, por janë edhe si prezencë politike, duke qenë deputetë, kryetarë komunash, profesorë, artistë, inxhinierë, sportistë të suksesshëm e këngëtarë me famë botërore.
Kjo është një faqe lavdie për gjithë kombin tonë, ngase kudo që shkoni, ju ia zbardhni fytyrën Kosovës, por gjithashtu, kudo që shkoni e mbani me vete Kosovën.
Ju e keni përfaqësuar vendin tonë më mirë se çdo fjalë apo sllogan. Prandaj, e themi çdoherë se jeni ambasadorët më të mirë të Kosovës, pa na u hidhëruar ambasadorët tanë, që formalisht dhe me shumë dinjitet na përfaqësojnë gjithandej nëpër botë.
Prandaj, në këtë ditë mirëseardhjeje shprehim mirënjohjen tonë të thellë për gjithsecilin prej jush.
Po ashtu, në këtë ditë, besoj që do na bashkoheni që të shprehim edhe dhimbjen tonë të përbashkët për 33-vjeçarin nga mërgata, i cili humbi jetën tragjikisht në liqenin e Ujmanit.
Humbja e tij ka prekur zemrat e të gjithëve. Në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe një herë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të tij.
Të dashur mërgimtarë,
Republika e Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe demokratik është rezultat edhe i mbështetjes së drejtpërdrejtë, angazhimit dhe kontributit të mërgatës sonë të çmuar.
Ndaj, asnjëherë nuk mjafton që edhe në ngjarje sikur kjo ta përsërisim falënderimin e përhershëm për secilin prej jush.
Nuk keni nevojë thjesht të ndiheni të mirëpritur, sepse Kosova është po aq e juaja sa është edhe e jona!
Në vitet më të vështira ju ishit krah i fortë për Kosovën, jo vetëm duke dhënë kontribut, por edhe me gjakun, djersën dhe sakrificën tuaj.
Ju nuk e latë Kosovën të bie, as kur ajo nuk kishte asgjë tjetër pos dashurisë dhe shpresës.
Ju që nga mërgata ndërtuat ura, ekonomi dhe shpresë në vitet e luftës, mbajtët po ashtu gjallë edhe frymën e lirisë, pas luftës i dhatë zemër ringritjes, ndërkaq sot jeni pjesë thelbësore e zhvillimit të Kosovës.
Sot Kosova nuk ju thërret vetëm sepse ka mall për ju, edhe jo vetëm verës, Kosova ju fton për partneritet, për të investuar, për të krijuar dhe për ta ndërtuar të ardhmen së bashku.
Shteti ynë dhe i juaji ka potencialin për t’u bërë shembull, por për ta bërë realitet këtë potencial, ka nevojë edhe për mendjen dhe zemrën tuaj.
Pa mërgatën, siç e dini mirë, në kohët më të rënda të vendit tonë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pa këtë kontribut të mërgatës do ta kishte edhe më të vështirë betejën për liri.
Pa mërgatën, shumë gjëra do të ishin më të largëta, më të vështira, e ndoshta edhe të pamundura, sepse ju nuk jeni vetëm pasuri për vendet ku jetoni sot, por pasuri kombëtare për Republikën e Kosovës.
Prandaj, kthimi juaj, qoftë i përkohshëm në vizitë apo edhe i përhershëm, nuk është thjesht një kthim nostalgjik, por është kthim strategjik.
E ardhmja që duam për fëmijët tanë ndërtohet tani, me duart tona, bashkërisht Kosovë e mërgatë e Kosovës me mundin tonë, me bashkimin e forcave tona.
Një Kosovë më e zhvilluar, më e fortë, më dinjitoze, kjo është ambicia jonë e përbashkët.
Prandaj, kthehuni jo vetëm për pushime, por edhe për të investuar, për të punuar së bashku.
Kthehuni për të qenë pjesë e një suksesi të përbashkët, e cila e bën Kosovën histori suksesi ndërkombëtarisht.
Veprat tuaja asnjëherë nuk do të mbesin thjesht në arkivat e historisë, por ato janë pjesë e themeleve të forta të shtetit tonë, ato janë dëshmia e gjallë se mërgata përgjithmonë do të mbetet shtyllë e Republikës sonë.
Prandaj, edhe një herë ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe ju ftojmë për gjithçka që mund të bëjmë edhe tash e tutje.
Kosova nuk është thjesht shtëpia juaj, Kosova është edhe mundësia, është e ardhmja e përbashkët për ju dhe të gjithë ne.
Faleminderit që nuk na latë vetëm asnjëherë!
Faleminderit që jeni këtu edhe sot!
Faleminderit që do të jeni pjesë e së nesërmes, të cilën do ta ndërtojmë së bashku!
Zoti e bekoftë mërgatën tonë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

