DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani në takim me Zv. Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. David A. Baker: Kosova është partnere e besueshme dhe kontribuuese për sigurinë rajonale dhe interesat strategjike të SHBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. David A. Baker, me të cilin diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në këtë kuadër, Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve, në këtë synim për anëtarësim është jetike.

Ajo potencoi se prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes paraqet një mundësi të re për investime të përbashkëta, në dobi të të dyja vendeve.

Më tej, është diskutuar edhe bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake. Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial në fushën e prodhimit ushtarak me mbështetjen e SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim.

Presidentja Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.