Presidentja Osmani kujton kolonel Ahmet Krasniqin në 27- vjetorin e vrasjes

Kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i parë i Mbrojtjes së Kosovës, mbetet simbol i guximit, sakrificës dhe vizionit për një Kosovë të lirë. Ai u vra në mënyrë të pabesë, viktimë e një akti të mjerë që synonte të ndalte përpjekjet për liri. Por, edhe pse u vra koloneli, nuk u vra ëndrra për Kosovën e lirë. Trashëgimia e tij është e gjallë në çdo hap të shtetndërtimit tonë, ndërsa zbardhja e vrasjes së tij mbetet obligim moral dhe institucional. Qoftë i përjetshëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin!
Presidentja Osmani fillon vizitën në SHBA me një takim te përzemërt në mesin e mërgatës sonë në Waterbury, Connecticut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar vizitën në SHBA, me një takim te përzemërt në mesin e mërgatës sonë në Waterbury, Connecticut. Presidentja Osmani ka shkruar: Filluam vizitën në SHBA me një takim te përzemërt në mesin e mërgatës sonë në Waterbury, Connecticut! Faleminderit për mikpritjen dhe për dashurinë që gjithmonë e mbani gjallë për vendlindjen. Mirënjohje të veçantë për Shoqatën “Hasan Prishtina” dhe për bashkëkombësit tanë për pjesëmarrjen!
Presidentja Osmani nderohet me “Çelësin e Qytetit” nga Waterbury, Connecticut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, është nderuar me Çelësin e Qytetit të Waterbury-t, nga kryetari i Bashkisë, Paul K. Pernerewski Jr., me rastin e vizitës në këtë qytet të shtetit të Connecticut-it. Gjatë qëndrimit në Waterbury, Presidentja Osmani u takua me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë qytet, në një ngjarje që mblodhi bashkë edhe miq të shumtë amerikanë, përfshirë senatorë të Shteteve të Bashkuara, udhëheqës shtetërorë dhe lokalë të Connecticut-it, si dhe përfaqësues të mërgatës sonë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mikpritjen e qytetit të Waterbury-t dhe për kontributin e çmuar të mërgatës sonë, duke theksuar se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është një miqësi e rrënjosur në vlera të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, të cilin e falënderoi për angazhimin e tij të gjatë mandatit në Kosovë. Presidentja Osmani ritheksoi se Gjermania mbetet partner strategjik i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe se partneriteti ndërmjet dy shteteve është në rritje të vazhdueshme. Me këtë rast, u veçua rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, të cilat janë forcuar edhe falë kontributit të çmuar të mërgatës kosovare në Gjermani, që përmes investimeve dhe angazhimit të tyre përbëjnë një urë të fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe popujve tanë. Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen për rrugën drejt integrimit euroatlantik. Po ashtu, ajo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në sektorë të ndryshëm përmes projekteve të shumta zhvillimore. Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme.
Presidentja Osmani priti në takim Ministren e Jashtme të Finlandës, njëherësh Kryesuese e OSBE-së, znj. Elina Valtonen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese të OSBE-së, znj. Elina Valtonen. Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve. Në cilësinë e Kryesueses së OSBE-së, znj. Valtonen u informua nga Presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit. Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut.
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Franceze në Kosovë, z. Olivier Guérot. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, rëndësia e funksionalizimit të plotë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, si dhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës. Në prag të Samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, Presidentja Osmani dhe ambasadori Guérot diskutuan për takimet që pritet të zhvillohen gjatë samitit, si dhe për koordinimin lidhur me një sërë çështjesh që do të trajtohen aty. Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e saj për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks të veçantë në fushën e sigurisë.
Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës

Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve. Dialogu Strategjik u iniciua nga Presidentja në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti. Pas punës së jashtëzakonshme të ekipit të Presidencës dhe të Departamentit të Shtetit, ky proces u finalizua me konfirmimin përfundimtar në takimin mes Presidentes Osmani dhe Departamentit të Shtetit, në janar 2025. Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot. Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë. Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.
Presidentja Osmani iu bashkua nismës Linja e Jetës në Muajin Ndërkombëtar të Parandalimit të Vetëvrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është bashkuar bashkuar nismës Linja e Jetës në Muajin Ndërkombëtar të Parandalimit të Vetëvrasjes për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë kauzë të rëndësishme. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Muajin Ndërkombëtar të Parandalimit të Vetëvrasjes, pata nderin t’i bashkohesha nismës së Linja e Jetës për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë kauzë të rëndësishme. Sot dhe çdo ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për të ndërtuar një shoqëri ku dhimbja nuk mbulohet me heshtje, dhe ku çdo njeri ndjen se kurrë nuk është vetëm. Shëndeti mendor nuk duhet të jetë temë që heshtet, por prioritet i çdoditshëm. Jemi #këtupërnjëritjetrin!
Deklarimi i Presidentes Vjosa Osmani pas homazheve në nderim të 24-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA
Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Pratipati. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, rëndësia e funksionalizimit të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe u potencua rëndësia e respektimit të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese dhe pritjes së aktgjykimit final. Në 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, Presidentja Osmani theksoi se Kosova qëndron krah për krah me popullin amerikan, sot, nesër dhe gjithmonë, në mbrojtje të paqes dhe një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. Në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ato diskutuan edhe për aktivitetet që do të realizohen gjatë kësaj jave, takimet e planifikuara, si dhe pritshmëritë për to.