Presidentja Osmani priti në takim menaxheren e re të zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, znj. Carole Megevand

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim menaxheren e re të zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, znj. Carole Megevand. Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi znj. Megevand për rolin e saj të ri, duke i uruar sukses përgjatë mandatit të saj. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e Bankës Botërore të dhënë për Republikën e Kosovës ndër vite, kontribut i cili përpos që mbështeti zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në vend, nëpërmjet investimeve në kapitalin njerëzor, ndihmoi edhe në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.

Presidentja: 11 shtatori i vitit 2001 është plagë dhe kujtesë e dhimbjes së pamatshme, por edhe dëshmi e forcës së bashkuar të botës demokratike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit Dimal Basha, Kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Përfaqësuesen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë bërë homazhe tek pllaka e vendosur në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit. Presidentja Osmani ka shkruar: 11 shtatori i vitit 2001 është plagë dhe kujtesë e dhimbjes së pamatshme, por edhe dëshmi e forcës së bashkuar të botës demokratike. Në 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, nderojmë kujtimin e rreth 3 mijë jetëve të pafajshme të humbura dhe dhimbjen e familjeve të tyre. Ato orë të errëta e ndryshuan përgjithmonë historinë, por nuk arritën ta thyejnë shpirtin e lirisë. Nga hiri i tragjedisë lindi një solidaritet i pathyeshëm, një vendosmëri nga e cila terrori kurrë nuk do të triumfojë mbi lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Në këtë ditë që na rikujton brishtësinë e paqes, Kosova qëndron krah për krah me popullin amerikan, sot, nesër dhe gjithmonë, në mbrojtje të paqes dhe një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë.

Presidentja Osmani priti në takim Nuncin Apostolik për Kosovën, Luigi Bianco

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim njoftues Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Republikën e Kosovës, Luigi Bianco, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në vendin tonë. Presidentja Osmani e uroi Nuncin Bianco për detyrën e re dhe shprehu bindjen se vizita e tij do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Duke e vlerësuar hapjen e Misionit të Kosovës në Vatikan si një arritje të rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, Presidentja shprehu besimin se njohja e pavarësisë së Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta me Vatikanin. Gjatë bisedës me Nuncin Apostolik, Bianco, Presidentja Osmani rikujtoi vizitën në Vatikan dhe takimin e veçantë me Papa Françeskun e ndjerë, duke e cilësuar bisedën me të si një moment të rëndësishëm në zhvillimin marrëdhënieve miqësore dhe respektit të ndërsjellë në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. Tutje, Presidentja ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që ta vijojë bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë nën udhëheqjen e Papa Leos, duke u angazhuar për paqen, dialogun ndërfetar, si dhe forcimin e vlerave universale të solidaritetit dhe humanizmit.

Presidentja Osmani priti ambasadorin e Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi. Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e tyre, përmes nxitjes së investimeve ekonomike në Kosovë, mbështetjes së mëtejshme ndërkombëtare për vendin tonë nga ana e Arabisë Saudite, si dhe rritjes së bashkëpunimit mes qytetarëve të të dyja vendeve. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite, duke ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të kësaj miqësie. Ambasadori Hifzi i dorëzoi Presidentes Osmani ftesën e Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Lartmadhërisë së Tij Princit Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, për të marrë pjesë në forumin “Future Investment Initiative” që do të mbahet në Riad. Presidentja falënderoi ambasadorin për ftesën dhe ritheksoi gatishmërinë për të vazhduar punën e përbashkët me Lartmadhërinë e Tij, me synim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidentja Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës

Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë jetë Kushtetutës së Kaçanikut, aktit më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë. Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës. Ky akt sublim ishte më shumë se një dokument juridik, ishte betim që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në mesin e kombeve të tjera të lira. Sot, përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë e 26-vjetorit të Policisë së Kosovës

I nderuar Kryeministër Kurti, Kryetar Basha, Ministër Sveçla, Drejtor Hoxha, Udhëheqës të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, Të nderuar oficerë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, Të nderuar të pranishëm, Miq e mysafirë, Polici i shërben rendit edhe kur vetë përballet me rrezikun. Kjo frazë e njohur përmbledh më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut të secilit prej jush. Sot, në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e Policisë, e cila është histori e kurajos, përkushtimit dhe përballjes me sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Nga ditët e para të themelimit e deri më sot, ju keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, nuk ka krizë dhe nuk ka kërcënim, që mund ta lëkundë besnikërinë tuaj ndaj Republikës. Sidomos gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm dhe guxim të pashoq, duke garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë, pa dallim. Ky përkushtim nuk është vetëm detyrë ligjore, por mbi të gjitha është akt atdhetarie. Sepse çdo uniformë e Policisë së Kosovës është shërbim, është simbol i rendit, i ligjit dhe i dinjitetit tonë shtetëror. Policët tanë janë të gatshëm që, krahas garantimit të sigurisë brenda vendit, të kontribuojnë edhe në misione ndërkombëtare të sigurisë, duke e vendosur kështu Kosovën në hartën e partneritetit global. Për këtë arsye, mbetet domosdoshmëri, që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, sepse aty e ka vendin Policia jonë, në mesin e policive profesionale që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë. Të nderuar të pranishëm, Sot përkulemi me nderim e mirënjohje të thellë para policëve tanë, që dhanë jetën në krye të detyrës. Ata mbetën roje të përjetshme të Republikës sonë, duke na kujtuar se liria dhe paqja asnjëherë nuk janë dhuratë, por janë sakrificë e përditshme. Amaneti i Afrim Bunjakut, Enver Zymberit dhe heronjve tanë të tjerë është përgjegjësi për të gjithë ne, në mënyrë që çdo pëllëmbë e Republikës së Kosovës të mbrohet me çdo kusht. Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Ju jeni shembulli më i mirë se si dashuria për vendin dhe shërbimi i ndershëm e bëjnë Kosovën më të fortë dhe më të sigurt. Një falënderim i veçantë shkon për të gjitha gratë police, të cilat bëjnë sakrificë të shumëfishtë në nderim të uniformës dhe në mbrojtje të Republikës sonë dhe të çdo qytetari pa dallim. Në këtë 26-vjetor, ne shikojmë pas me krenari dhe përpara me vendosmëri. Sfida do të ketë gjithmonë, por ju e keni dëshmuar se jeni gati t’i përballoni ato me dinjitet dhe guxim. E ardhmja e Kosovës është e sigurt, sepse është një e ardhme që ju e ruani çdo ditë me integritetin dhe përkushtimin tuaj. Le të mbetet gjithmonë e qartë: Republika e Kosovës qëndron e fortë, e lirë dhe krenare, sepse Policia e saj gjithnjë është në krye të detyrës. Sot prandaj po festojmë jo vetëm ditëlindjen e Policisë, por edhe rrugën e besimit, krenarisë dhe shpresës që ajo ka ndërtuar përgjatë këtyre 26 viteve. Policia jonë nuk është thjesht një uniformë – Ju jeni mburoja e shtetit tonë, dhe arsyeja pse ne ecim të sigurt, pse fëmijët tanë ndihen të lirë dhe pse e ardhmja jonë gjithnjë do të jetë e ndritur. Prandaj, ky përvjetor na kujton se kur shërbejmë me dashuri për atdheun, ne bëhemi një forcë që nuk mund të thyhet kurrë. Prandaj, le të largohemi sot nga kjo ceremoni me zemra të mbushura me shpresë dhe me besim në të ardhmen të gjithë bashkë – policë e qytetarë, mund të ndërtojmë një Kosovë ku gjithnjë mbizotëron drejtësia, siguria dhe paqja. Urime të gjithëve përvjetori i Policisë së Kosovës, e qofshi gjithmonë burim krenarie e dritë udhërrëfyese për Republikën tonë! Lavdi të gjithë policëve të rënë në detyrë! Zoti e bekoftë Policinë e Kosovës! Zoti e bekoftë Republikën tonë të lirë! Ju faleminderit!  

Presidentja Osmani: Policia e Kosovës, 26 vjet qëndresë, besnikëri dhe guxim!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në ceremoninë e shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. Presidentja Osmani ka shkruar: Policia e Kosovës, 26 vjet qëndresë, besnikëri dhe guxim! Nga ditët e para të themelimit e deri sot, Policia jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë mburojë e Republikës, me përkushtim e sakrificë. Përulemi me nderim para policëve që ranë në krye të detyrës dhe shprehim mirënjohje për çdo polic e police që çdo ditë i mbajnë të forta themelet e shtetit tonë. Lavdi policëve të rënë në detyrë! Urime 26-vjetori i Policisë së Kosovës!

This site is registered on wpml.org as a development site.