Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit Dimal Basha, Kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Përfaqësuesen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë bërë homazhe tek pllaka e vendosur në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit.
Presidentja Osmani ka shkruar:
11 shtatori i vitit 2001 është plagë dhe kujtesë e dhimbjes së pamatshme, por edhe dëshmi e forcës së bashkuar të botës demokratike.
Në 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, nderojmë kujtimin e rreth 3 mijë jetëve të pafajshme të humbura dhe dhimbjen e familjeve të tyre.
Ato orë të errëta e ndryshuan përgjithmonë historinë, por nuk arritën ta thyejnë shpirtin e lirisë.
Nga hiri i tragjedisë lindi një solidaritet i pathyeshëm, një vendosmëri nga e cila terrori kurrë nuk do të triumfojë mbi lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Në këtë ditë që na rikujton brishtësinë e paqes, Kosova qëndron krah për krah me popullin amerikan, sot, nesër dhe gjithmonë, në mbrojtje të paqes dhe një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë.




