Presidentja: Afrim Bunjaku ra hero në Banjskë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, në dy vjetorin e vrasjes. Presidentja Osmani ka shkruar: Afrim Bunjaku ra hero në Banjskë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. 24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë sulm terrorist e agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën. Kosova shtet sovran, i lirë e i pandashëm do të mbetet realitet i pakthyeshëm e i përjetshëm. Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!

Presidentja Osmani u takua me z. Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me z. Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë qëndrimit në New York. Presidentja Osmani ka shkruar: Pas një bisede telefonike përmbajtësore të zhvilluar ditë më parë, u takova në New York me z. Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ritheksova rëndësinë jetike të aleancës me SHBA-të, e cila është themel i sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik. Mbetem e përkushtuar ta mbroj dhe forcoj këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim reciprok.  

Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis. Presidentja Osmani ka shkruar: Takim përmbajtësor me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis. Shpreha përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për t’i zhvilluar tutje marrëdhëniet dypalëshe me Bahamas si hap i rëndësishëm për shtetet tona dhe qytetarët tanë.

Presidentja Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge, në New York. Presidentja Osmani ka shkruar: Në New York pata kënaqësinë të takohem me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge. Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

Presidentja Osmani: 27 vjet pa Fehmi e Xhevë Lladrovcin, dy zemra, një betim për liri

Sot kujtojmë me përulësi e krenari dy prej figurave më të ndritura të historisë sonë të re, Fehmi e Xhevë Lladrovcin. Ata nuk ishin vetëm bashkëshortë, por bashkëluftëtarë, nuk ishin vetëm dy jetë, por një ideal i përbashkët për lirinë e Kosovës. Ata u ngritën mbi frikën dhe zgjodhën të mbeteshin shembull i përjetshëm i guximit. Rënia e tyre nuk ishte fundi, por themel i një rruge që çoi drejt lirisë dhe pavarësisë. Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për liri, kisha nderin që me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, familjes Lladrovci, t’ia dorëzoj Urdhrin “Hero i Kosovës” për Fehmi Lladrovcin dhe Urdhrin “Heroinë e Kosovës” për Xhevë Lladrovcin. Lavdi e përjetshme Fehmi e Xhevë Lladrovcit!

Presidentja Osmani ngushëllon familjen Petrovci për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci. Ai mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë. Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin!

Presidentja Osmani takoi të rinjtë shqiptaro–amerikanë, në New York

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York është takuar me të rinjtë shqiptaro–amerikanë. Presidentja Osmani ka shkruar: Bashkë me të rinjtë e jashtëzakonshëm shqiptaro–amerikanë, në New York! Platforma si Zâni po punojnë për t’i bashkuar të rinjtë shqiptarë kudo në botë, që të mos i harrojnë kurrë rrënjët dhe të kontribuojnë në interes të kombit tonë. Ishte kënaqësi t’i takoja dhe t’i falënderoja për punën e çmuar që po bëjnë.

Presidentja Osmani u takua në New York me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Presidentja Osmani ka shkruar: Në New York, zhvillova një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Ligës Arabe, si dhe nevojën për mbështetje në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap.

This site is registered on wpml.org as a development site.