Presidentja Osmani nderohet me Çmimin për Qytetari Globale nga Drake University

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Iowa, ka pasur një bashkëbisedim përmbajtësor me profesorë e studentë në Drake University. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Drake University, kisha një bashkëbisedim përmbajtësor me profesorë e studentë, për rrugën e Kosovës deri të pavarësia si dhe për sfidat me të cilat përballemi sot. Falënderoj Universitetin që më nderuan me ndarjen e Çmimit për Qytetari Globale. Bashkëpunimi në fushën e arsimit është kyç në avancimin dhe thellimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Iowas.

Presidentja: Përkushtimi i shtetit të Iowas për edukimin dhe fuqizimin e rinisë së Kosovës është i jashtëzakonshëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Iowa, ka vizituar Kolegjin DMACC. Postimi i plotë i Presidentes: Përmbyllja e ditës në Kolegjin DMACC. Takim me zyrtarë të shtetit të Iowas, profesorë, studentë dhe përfaqësues të bizneseve. Përkushtimi i shtetit të Iowas për edukimin dhe fuqizimin e rinisë së Kosovës është i jashtëzakonshëm. Jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen tuaj ndaj Republikës së Kosovës dhe rinisë sonë!              

Presidentja: Falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për shtetin e Iowa-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Iowa, ka vizituar kampin Dodge. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Camp Dodge – vendi ku për 12 vite me radhë, instruktorë ushtarakë të Gardës Kombëtare të Iowa-s, vazhdojnë të trajnojnë shumë ushtarë, nënoficerë e oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për shtetin e Iowa-s!

Presidentja Osmani u prit në Iowa nga Guverantorja Kim Reynolds

Me ftesë të Guvernatores së Iowa-s, Presidentja Osmani nisi vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidentja Osmani dhe Zotëriu i Parë z.Prindon Sadriu u pritën me pritje ceremoniale nga Guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds dhe Zotëriu i Parë z.Kevin Reynold. Presidentja e falënderoi Guvernatoren për pritjen dhe për vizitën bërë Kosovës, në muajin qershor të këtij viti. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë. Sipas Presidentes Osmani, nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara. “Ky program luan një rol jetik në zhvillimin tonë të vazhdueshëm ushtarak dhe përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve, në përputhje me objektivat dhe aspiratat tona të sigurisë kombëtare për anëtarësim në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës. Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowa-s, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim. U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas. Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të Presidentes është edhe Ministri i bujqësisë Faton Peci. Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi Guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator. Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë. 

Presidentja Osmani nis vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka nisur vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përveç takimit zyrtar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds, Presidentja Osmani do të ketë takim edhe me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen E.Osborn. Ndër të tjera, Presidentja Osmani do të zhvillojë vizitë në Camp Dodge, kampin që ka një histori të pasur dhe që përdorët si një strukturë stërvitore për divizionet e ushtrisë amerikane. Në kuadër të vizitës në SHBA, Presidentja do të takohet me kryetaret e Des Moines, Norwalk, Fort Dodge, Council Bluffs, Johnston dhe Cedar Fallsit. Gjatë vizitës, Presidentja Osmani pritet të ketë një diskutim në Drake University dhe adresim në DMACC. Poashtu, Presidentja Osmani do të jetë folëse kryesore në ngjarjen e udhëhequr nga ambasadori Branstad, President i Fondacionit të World Food Prize, ku pritet ta dorëzoj edhe zyrtarisht çmimin e sivjetëm të World Food Prize. Në fund të kësaj vizite Presidentja do të ketë takim me mërgatën në ShBA.

Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë. Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator. Ndër të tjera, Presidentja Osmani do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës. Para takimit të Këshillit të Sigurimit, Presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate. Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 21:00 me kohë të Kosovës ndërkaq në orën 15:00 me kohë të New York-ut. Linku i transmetimit drejtpërdrejt: https://media.un.org/en/asset/k1c/k1cyaxhyld

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpehur ngushëllime për familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetin kulturor me rastin e ndarjes nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi. “Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta skulptorit Luan Mulliqi. Veprat e tij artistike do të mbeten trashëgimi e jona dhe kujtesë e përhershme e tij. Pas vetes la një fond të pasur artistik nga skulptura monumentale bashkëkohore dhe ajo kombëtare. Do të jetojmë përjetësisht me kujtimin e skulptorit të shquar. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetit kulturor!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

Presidentja Osmani priti në takim Alicia Kearns, deputete dhe kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Kearns po qëndron në një vizitë në Kosovë me ftesë të Presidentes Osmani. Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijën për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor. Takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator. Presidentja Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani tha se deputetja Kearns ka treguar vazhdimisht përkushtimin e saj për ta mbështetur Kosovën në afirmimin e të vërtetës, ndaj e ka falënderuar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës. “Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ndërkaq deputetja Kearns, falënderoi Presidenten Osmani për ftesën dhe theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.

This site is registered on wpml.org as a development site.