Presidentja Osmani kujtoi 24-vjetorin e vrasjes së Haki Imerit

Në këtë 24-vjetor, kujtojmë një aktivist e një patriot të madh, i cili është dëshmi e përkushtimit të palëkundur të lëvizjes për pavarësi. Përballë rrezikut e sfidave, Hakiu nuk u zmbraps asnjëherë, por punën e tij prej pedagogu e gërshtetoi me aktivitetin patriotik. Hovi i tij u ndal pabesisht kur shkaku i bindjeve politike dhe aktivitetit politik në shërbim të atdheut e të kombit, u vra më 2 nëntor të vitit 1999. Le ta nderojmë kujtimin për Hakiun, teksa përkushtimi ndaj idealit të lirisë, qoftë frymëzim i përhershëm për brezat!
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e ri të Konfederatës Zvicerane, Jürg Sprecher

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Konfederatës Zvicerane në Kosovë, Jürg Sprecher, të cilin e uroi për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve. Sipas Presidentes Osmani, mërgata shqiptare në Zvicër është një urë e fortë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe ka një potencial të jashtëzakonshëm për forcimin e partneritetit ndërshtetëror. Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve tona dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik. Presidentja falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit Zviceran ndaj Republikës së Kosovës, si dhe njoftoi nga afër ambasadorin Sprecher lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe aktin e agresionit që ka kryer Serbia me 24 shtator në Republikën e Kosovës.
Presidentja Osmani u takua me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët. Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draftstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.
Presidentja Osmani priti në takim Dora Bakoyannis, raportuese për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i Republikës së Kosovës, por edhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare. “Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim. Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani në takim me raportuesen Bakoyannis ka nënvizuar se Kosova pret që debati dhe votimi i Opinionit për aplikimin e Kosovës të bëhet sa më parë në mënyrë që të procedohet edhe me votimin formal për anëtarësimin e saj nga Komiteti i Ministrave. “Vitin e ardhshëm, Këshilli i Evropës do të shënojë 75 vjetorin e themelimit të tij. Kështu, do të ishte shumë simbolike që vetë Këshilli i Evropës, si organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, të hapte derën për një vend demokratik, që aspiron t’i bashkohet familjes së vlerave”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani. Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka njoftuar raportuesen Bakoyannis edhe lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kolumbisë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kolumbisë në Kosovë, Ligia Margarita Quessep Bitar, të cilën e uroi për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të saj do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve. Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e shkëmbimit të studentëve, por edhe në atë të tregtisë dhe ekonomisë. Presidentja Osmani poashtu njoftoi nga afër ambasadoren lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.
Presidentja: Vitin e kaluar premtuam se do t’i mbulojmë të gjitha pakot onkologjike për gratë e prekura me kancerin e gjirit, sot e bëmë dhe çdo vit do ta bëjmë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Klinikën e Onkologjisë, ku ka dhuruar pako onkologjike për gratë e prekura me kancerin e gjirit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Forca juaj eshtë frymëzim për të gjithë ne! Vitin e kaluar premtuam se do t’i mbulojmë të gjitha pakot onkologjike për gratë e prekura me kancerin e gjirit. Sot e bëmë dhe çdo vit do ta bëjmë. Do të doja që askush mos të kalojë nëpër këto dyer, por edhe nëse ndodhë, mos harroni se nuk jeni vetëm. Zbulimi i hershëm shpëton jetë!
Konferenca e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
Presidentja Osmani priti në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në takimin e sotëm me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e falënderova për angazhimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Njëkohësisht, ritheksova nevojën për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, përderisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, për vendin tonë. Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë në ballë të reformave dinamike që e forcojnë demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit, rrisin standardin e jetesës për qytetarët tanë dhe afrojnë vendin tonë me Bashkimin Evropian.
Presidentes Osmani i ndahet Çelësi i Qytetit dhe Ylli në bulevardin “Norwalk of Fame” nga komuna Norwalk në Iowa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Iowa, ka vizituar komunën Norwalk. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Falënderoj komunën e Norwalk në Iowa dhe Kryetarin Phillips për ndarjen e Çelësit të Qytetit si dhe ndarjen e Yllit në bulevardin “Norwalk of Fame”. Raste si kjo konfirmojnë rëndësinë e veçantë të binjakëzimeve ndërmjet komunave të cilat kontribuojnë thelbësisht në afrimin e mëtejeshëm të vendeve tona dhe të qytetarëve tanë.
Presidentja: Binjakëzimi i qyteteve kosovare me ato amerikane është shembulli i miqësisë së përhershme me SHBA-të

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Iowa ka bashkëbiseduar me kryetarët e qyteteve të binjakëzuara me disa nga qytetet e Kosovës. Postimi i plotë i Presidentes: Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura miqësie dhe bashkëpunimi për shumë vite të tjera. Bashkëbisedim me kryetarët e qyteteve të binjakëzuara me disa nga qytetet e Kosovës, ku u zotuan që marrëdhëniet ndërmjet qyteteve, shkollave dhe bizneseve të Iowa-s e të Kosovës, do të vazhdojnë të thellohen, duke i bërë kështu lidhjet midis popujve tanë edhe më të fuqishme. Binjakëzimi i qyteteve kosovare me ato amerikane është shembulli i miqësisë së përhershme me SHBA-të.