Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm dhe i uroi suksese në angazhimin e mëtejmë. Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Minxhozi për angazhimin e tij përgjatë viteve për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona simotra. Me këtë rast, ajo e vlerësoi bashkëpunimin, si dhe përkushtimin e ambasadorit Minxhozi për t’i përafruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona. Presidentja Osmani deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet, duke thënë se fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi. Në këtë frymë, Presidentja përmendi edhe nevojën e vazhdimit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve tona. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend e rajon, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim. Presidentja theksoi se shqiptarët në të dy anët e kufirit gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik.
Presidentja Osmani ka emëruar anëtaren e re të KQZ-së, znj. Mufera Srbica Şinik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me kompetencat e saj ka emëruar anëtaren e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), znj. Mufera Srbica Şinik të propozuar nga Partia Demokratike Turke të Kosovës (KDTP). Në ceremoninë e betimit para Presidentes, anëtarja e re e KQZ-së deklaroi se do t’i kryej detyrat e saj si anëtare e KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme dhe profesionale.
Presidentja Osmani priti historianin Sir Noel Malcolm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot historianin Sir Noel Malcolm. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Pata nderin ta takoj Sir Noel Malcolm, historian i respektuar që ka shkruar gjerësisht për Ballkanin, me fokus të veçantë në historinë e Kosovës. Sir Noel Malcolm dha kontribut të çmuar edhe përgjatë përgatitjeve të argumenteve tona në procesin lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndaj e falënderova në emër të popullit të Kosovës.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, Béla Boszik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, Béla Boszik, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve. Marrëdhëniet e mira ndërmjet të të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani datojnë jo vetëm nga vitet e 90-ta, në kohën e presidentit Rugova, porse edhe nga përpjekjet e përbashkëta historike. Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë. Presidentja Osmani tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të 24 shtatorit duhet të vihen para përgjegjësisë. Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës. U diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimi ndërshtetëror, posaçërisht në fushën e shkëmbimit të studentëve dhe u tha se ka potencial për fuqizim të marrëdhëniet ekonomike. Ndërkaq ambasadori Boszik, u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Presidentja: Këtë vit festën e lashtë shqiptare, Darkën e Lamës, e shënuam bashkë me Policinë e Republikës së Kosovës, në kampin “Enver Zymeri”, në Mitrovicë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se këtë vit festën e lashtë shqiptare, Darkën e Lamës, e shënuam bashkë me Policinë e Republikës së Kosovës, në kampin “Enver Zymeri”, në Mitrovicë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Këtë vit festën e lashtë shqiptare, Darkën e Lamës, e shënuam bashkë me Policinë e Republikës së Kosovës, në kampin “Enver Zymeri”, në Mitrovicë, në shenjë mirënjohjeje, vlerësimi e falënderimi për gra e burra në uniformë, të cilët shërbejnë pa u lodhur për të na bërë të ndihemi të sigurtë. Në prani edhe të familjeve të policëve që kanë rënë në detyrë, përfshirë familjen e heroit Afrim Bunjaku, shprehëm mirënjohjen më të thellë të të gjithë qytetarëve të Republikës për ata që dhanë jetën në mbrojtje të çdo pëllëmbe të territorit të vendit tonë.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kanadasë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë znj. Jessica Blitt, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadoren për detyrën dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm. Ndërkaq, ambasadorja Blitt, shtoi se nga ana e saj do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore. Në këtë takim, u konfirmuar gatishmëria për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, si dhe angazhimi i përbashkët i avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja e njoftoi Ambasadoren Blitt edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, me ç’rast potencoi rëndësinë e madhe të vazhdimit të bashkëpunimit me aleatë, si dhe nevojën për të vënë autorët e aktit të agresionit të 24 shtatorit para përgjegjësisë.
Intervista e Presidentes Osmani në Tempus, Kohavision
Presidentja Osmani priti një delegacion nga Oda Tregtare e Ankarasë dhe Komiteti Kosovar i Fondacionit Ballkanik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësues të Odës Tregtare të Ankarasë, të udhëhequr nga Gürsel Baran, si dhe Komitetit Kosovar të Fondacionit Ballkanik, të shoqëruar nga kryetari dhe nënkryetari i Grupit të miqësisë Kosovë-Turqi, deputetët Enis Kervan dhe Visar Korenica. Në takim u diskutua për potencialin e rritjes së shkëmbimit tregtar si dhe investimeve të ndërsjella në mes të Kosovës dhe Turqisë, duke kontribuar kështu në forcim të mëtejmë të raporteve në mes të dy shteteve. Në bashkëbisedim me kryetarin e Odës Tregtare të Ankarasë, Baran, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Turqinë në fusha të ndryshme, përfshirë në industrinë ushqimore, turizëm, energji dhe mbrojtje. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka vlerësuar investimet në rritje nga Turqia, si dhe ka shprehur nevojën e bashkëpunimit të shtuar në mes të odave tregtare në të dyja vendet tona.
Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER Presidentja e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës. Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë. Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri GÜLER u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet. Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim.