Konferenca për media e Presidentes Vjosa Osmani

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Irlandës në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës në Kosovë z. Ragnar Almqvist, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Almqvist, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet. Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira. Presidentja falënderoi ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, e sidomos për mbështetjen e Irlandës ndaj aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për mbështetjen e vazhdueshme brenda Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani poashtu njoftoi nga afër ambasadorin Almqvist lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.
Presidentja: Presidenti Ahtisaari skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari. Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës. Paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!
Fjala e Presidentes Osmani në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”

Të nderuar të pranishëm ju falënderoj të gjithëve që na jeni bashkuar në këtë ditë të rëndësishme, Të nderuar ministra, Të nderuar ambasadorë, Të nderuar deputetë, E dashur zonja Nafije Latifi, Shumë të nderuar të pranishëm, Zonja dhe zotërinj, Shumë të dashur fëmijë, Faleminderit të gjithëve që u mblodhët sot këtu për t`u bërë bashkë në kuadër të Muajit Rozë, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit nga kanceri i gjirit. Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit nuk është fushatë në një muaj të vetëm, por kujdes në të gjitha ditët, në të gjithë muajt dhe të gjitha vitet, pa dallim. Është kujtesë për secilin për t`iu nënshtruar kontrolleve të rregullta si masa më e mirë kundër rrezikut me të cilin përballemi, për diagnostifikim të hershëm, sepse kjo është arma më e fortë për ta luftuar kancerin e gjirit. Në këtë muaj, ne poashtu nderojmë të gjitha ato që kanë luftuar dhe mbijetuar kundër kësaj të keqeje. Njëkohësisht, kujtojmë me dashuri të gjitha ato që i kemi humbur dhe zotohemi për ta vazhduar angazhimin e përbashkët për rritjen e ndërgjegjësimit dhe fuqizimit të shpresës. Fjongoja rozë na kujton se kanceri i gjirit nuk njeh kufij, moshë, gjini, racë, apo status social. Si Presidente e vendit, jam angazhuar çdo ditë që t`i mbështesë dhe shtyjë përpara nismat, të cilat kanë për synim ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit, por edhe mbështetjen direkte për ata që kanë nevojë për mbështetje. Duke qenë se rreth 400 gra në vit preken nga kanceri i gjirit, kam vendosur që në çdo tetor, t’i dedikojmë 400 pako onkologjike për secilën grua të prekur. Natyrisht që na duhet mobilizim i përhershëm për këtë kauzë, të përqendruar jo vetëm në një muaj, por në çdo ditë të vitit, sepse sikundër që kanceri nuk pushon asnjëherë, as ne nuk duhet të pushojmë në përpjekjet tona që të prekurve t`u dalim në ndihmë si mundemi dhe me aq sa mundemi. Secila prej historive të të prekurve me kancer është poashtu edhe dëshmi e fuqisë, guximit, përkushtimit dhe shpresës. Prandaj, Tetori rozë është simbol i shpresës dhe i solidaritetit, ngase vetëm duke qëndruar të bashkuar mund t`u dalim në ndihmë më shumë atyre që shpresën e kanë tek ne. Përkushtimi i të prekurve me kancer na jep arsye të shpresojmë për një të ardhme më optimiste, e mbase edhe një të ardhme pa kancer. Duke nderuar të mbijetuarat, duke kujtuar më të dashurat tona që i kemi humbur, e duke u angazhuar secili prej nesh për ta rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetjen tonë për individët e prekur me kancer, ju ftoj sot që nga sheshi “Ibrahim Rugova”, t`i bashkohemi të gjithë marshit vetëdijësues. Faleminderit shumë për praninë tuaj!
Presidentja Osmani priti në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, priti në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it duke shprehur besimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon. Gjithashtu, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit në përballjen me sukses ndaj sfidave e kërcënimeve të hapura nga Serbia që tentojnë të cenojnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendit, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit. Në këtë drejtim, Presidentja shprehu mirënjohjen për përforcimin e trupave të KFOR-it, të cilat po i përkrahin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë. Nga ana e tij, Gjeneral Ulutaş, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për pritjen nga ana e Presidentes Osmani, duke theksuar se do të bashkëpunoj ngushtë me Presidenten Osmani dhe të gjitha institucionet e tjera vendore për të realizuar përgjegjësinë e tij në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit bazuar në mandatin e misionit të KFOR-it në Kosovë.
Presidentja Osmani priti në takim Zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Marko Makovec

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), Marko Makovec. Pas aktit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Presidentja Osmani vuri theksin tek rëndësia që Serbia të mbahet përgjegjëse përmes masave konkrete nga BE-ja. Ajo nënvizoi se parandalimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të të gjithë rajonit tonë është kyç. Presidentja theksoi se ky sulm ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia, dhe i ekzekutuar nga grupe terroriste e paramilitare, gjë që e dëshmojnë dëshmitë e shumta të siguruara nga institucionet tona të sigurisë. Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës që të punojë ngushtë me partnerët e saj për t’i tejkaluar sfidat e krijuara nga ky akt i agresionit, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve tona me ato ndërkombëtare e sidomos ato të sigurisë, përfshirë EULEX-in.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Mbretërisë Belge

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë Belge, Grégoire Cuvelier, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Cuvelier, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve tona dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe përkrahjen e rrugës evropiane për Kosovën. Presidentja falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit Belg ndaj Republikës së Kosovës, si dhe njoftoi nga afër ambasadorin Cuvelier lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe aktin e agresionit që ka kryer Serbia me 24 shtator në Republikën e Kosovës.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës Çeke, z.Bohumil Mazánek, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Mazánek, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh pas vendimit të Presidentit Çek , Petr Pavel për ngritjen e raporteve diplomatike në nivel të ambasadorëve. Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve tona dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët. Presidentja Osmani e falënderoi për kontributin e dhënë nga Republika Çeke lidhur me liberalizimin e vizave si dhe e njoftoi nga afër ambasadorin lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të kryer në Kosovë nga ana e Serbisë.
Presidentja: “Amerika qëndron me Kosovën” ishte mesazhi që sot sollën Senatorët Shaheen dhe Welch

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Peter Welch. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: “Amerika qëndron me Kosovën” ishte mesazhi që sot sollën Senatorët Shaheen dhe Welch, në këtë kohë sfidash për vendin tonë. Populli i Kosovës i është mirënjohës përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e palëkundur në mbrojtjen e Kosovës së pavarur, sovrane, multietnike e të integruar në strukturat euro-atlantike.
Deklaratë e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani me senatoren amerikane Jeanne Shaheen