Presidentja: Suksesi i artistëve të rinj është imazhi më i bukur i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar aktivitetet e muajit të rinisë me artistët e rinj.   “Aktivitetet e muajit të rinisë mbrëmë i vazhduam me artistët e rinj. Secili rrëfim i tyre është inkurajues dhe i dhuron gjithë vendit krenari. Prandaj, e kemi detyrim t’i përkrahim maksimalisht sepse suksesi i tyre është imazhi më i bukur i Kosovës”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet në vend dhe vijueshmërinë e hapave konkret që po ndërmerren në përputhje me atë se çfarë është dakorduar në Bratislavë. Në takim u diskutua edhe për projektet zhvillimore të cilat po realizohen nga ShBA-të në Kosovë, përkrahjen e SHBA-ve për sektorin e sigurisë si dhe rëndësinë e shtimit të bashkëpunimeve të tilla në fusha të interesit të përbashkët.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-rektorit Zenel Kelmendi

Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e nga jeta të ish-rektorit, veprimtarit dhe profesorit universitar, Zenel Kelmendi. Ai ishte dhe do të mbetet një figurë e respektuar që ka lënë gjurmë me kontributin dhe përkushtimin. Veprimtaria e tij do të jetë frymëzim për brezat. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes si dhe komunitetit akademik! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Zenel Kelmendin!

Presidentja Osmani dekretoi z.Ahmet Ismaili në postin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, ka dekretuar guvernatorin e ri të Bankës Qendrore, z.Ahmet Ismaili. Ajo e ka uruar z. Ismaili për përzgjedhjen nga Kuvendi i Kosovës, duke i dëshiruar suksese në realizmin e detyrave dhe përgjegjësive, të cilat burojnë nga kjo pozitë e rëndësishme. Sipas Presidentes Osmani, Kushtetuta, ligjet, integriteti dhe profesionalizmi duhet të jenë udhërrëfyes përgjatë punës në institucionet shtetërore. Ndërkaq z. Ismaili ka prezantuar vizionin e tij për BQK-në, si dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të bazuar në përkushtimin ndaj shërbimit publik, efikas dhe transparent.

Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin gjerman, Jorn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me ç’rast u diskutua edhe për punën që po bëhet për zbatimin e çështjeve të dakorduara në Bratisllavë. Presidentja Osmani ka vlerësuar bashkëpunimin me Gjermaninë dhe ka konfirmuar partneritetin e palëkundur ndërmjet të dyja vendeve. Në këtë takim, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Rohde, gjithashtu kanë diskutuar edhe për edicionin e sivjetëm të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Osmani ka pritur në takim senatorin amerikan Jack Reed

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorin Jack Reed, kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-ve. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është një histori suksesi e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikë në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit. “ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani ka falënderuar senatorin Jack Reed për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024. Presidentja Osmani në takim me delegacionin e Kongresit Amerikan ka potencuar se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, sikurse edhe në Këshillin e Evropës dhe në BE. ”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ndërkaq në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, porse ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë. Ajo, poashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës shefin e zyrës Belge në Prishtinë, z.Julian Sassel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Belgjikës, Julian Sassel, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e deritashëm në Kosovë dhe i ka uruar sukses në angazhimet e mëtejme. Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje ambasadorit Sassel për bashkëpunimin e frytshëm dhe vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për Kosovën në shumë fusha dhe procese integruese, ndërsa theksoi rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Presidentja: Faleminderit Alicia Kearns dhe të gjithë nënshkruesve për përpjekjet e palodhshme në ekspozimin e agjendës destruktive dhe destabilizuese të Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar znj. Alicia Kearns për përpjekjet e palodhshme në ekspozimin e agjendës destruktive dhe destabilizuese të Serbisë. “Faleminderit Alicia Kearns për përpjekjet tuaja të palodhshme në ekspozimin e agjendës destruktive dhe destabilizuese të Serbisë. U jam mirënjohëse të gjithë nënshkruesëve për mbështetjen e tyre të fuqishme dhënë sovranitetit dhe demokracisë së Kosovës.Së bashku, ne do të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta dhe do të forcojmë demokracinë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani takoi gratë e shoqatës kundër kancerit të gjirit “Renesansa” dhe shoqatën e grave të komunitetit turk “Orkide”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Prizren ka takuar gratë e shoqatës kundër kancerit të gjirit “Renesansa” dhe shoqatën e grave të komunitetit turk “Orkide”. Postimi i plotë i Presidentes: Prizren, ma i bukuri vend! Mbrëmë, përgjatë vizitës në Prizren, në takime me gratë e shoqatës kundër kancerit të gjirit “Renesansa”, si dhe me shoqatën e grave të komunitetit turk “Orkide”, e cila merret me punime tradicionale.

This site is registered on wpml.org as a development site.