DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”

Të nderuar të pranishëm ju falënderoj të gjithëve që na jeni bashkuar në këtë ditë të rëndësishme,

Të nderuar ministra,

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar deputetë,

E dashur zonja Nafije Latifi,

Shumë të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Shumë të dashur fëmijë,

Faleminderit të gjithëve që u mblodhët sot këtu për t`u bërë bashkë në kuadër të Muajit Rozë, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit nga kanceri i gjirit.

Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit nuk është fushatë në një muaj të vetëm, por kujdes në të gjitha ditët, në të gjithë muajt dhe të gjitha vitet, pa dallim.

Është kujtesë për secilin për t`iu nënshtruar kontrolleve të rregullta si masa më e mirë kundër rrezikut me të cilin përballemi, për diagnostifikim të hershëm, sepse kjo është arma më e fortë për ta luftuar kancerin e gjirit.

Në këtë muaj, ne poashtu nderojmë të gjitha ato që kanë luftuar dhe mbijetuar kundër kësaj të keqeje. Njëkohësisht, kujtojmë me dashuri të gjitha ato që i kemi humbur dhe zotohemi për ta vazhduar angazhimin e përbashkët për rritjen e ndërgjegjësimit dhe fuqizimit të shpresës.

Fjongoja rozë na kujton se kanceri i gjirit nuk njeh kufij, moshë, gjini, racë, apo status social.

Si Presidente e vendit, jam angazhuar çdo ditë që t`i mbështesë dhe shtyjë përpara nismat, të cilat kanë për synim ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit, por edhe mbështetjen direkte për ata që kanë nevojë për mbështetje.

Duke qenë se rreth 400 gra në vit preken nga kanceri i gjirit, kam vendosur që në çdo tetor, t’i dedikojmë 400 pako onkologjike për secilën grua të prekur.

Natyrisht që na duhet mobilizim i përhershëm për këtë kauzë, të përqendruar jo vetëm në një muaj, por në çdo ditë të vitit, sepse sikundër që kanceri nuk pushon asnjëherë, as ne nuk duhet të pushojmë në përpjekjet tona që të prekurve t`u dalim në ndihmë si mundemi dhe me aq sa mundemi.

Secila prej historive të të prekurve me kancer është poashtu edhe dëshmi e fuqisë, guximit, përkushtimit dhe shpresës.

Prandaj, Tetori rozë është simbol i shpresës dhe i solidaritetit, ngase vetëm duke qëndruar të bashkuar mund t`u dalim në ndihmë më shumë atyre që shpresën e kanë tek ne.

Përkushtimi i të prekurve me kancer na jep arsye të shpresojmë për një të ardhme më optimiste, e mbase edhe një të ardhme pa kancer.

Duke nderuar të mbijetuarat, duke kujtuar më të dashurat tona që i kemi humbur, e duke u angazhuar secili prej nesh për ta rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetjen tonë për individët e prekur me kancer, ju ftoj sot që nga sheshi “Ibrahim Rugova”, t`i bashkohemi të gjithë marshit vetëdijësues.

Faleminderit shumë për praninë tuaj!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.