Presidentja Osmani priti në takim nobelistin Denis Mukwege, njëherit avokues për parandalimin dhe eliminimin e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim nobelistin Dr. Denis Mukwege, një nga avokuesit më të zëshëm në botë për parandalimin dhe eliminimin e dhunës seksuale gjatë luftës. Gjatë takimit, u diskutua për nevojën e vazhdueshme për t’i mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Me këtë rast, Dr. Mukwege përgëzoi Republikën e Kosovës për përpjekjet e vazhdueshme në skenën globale për t’i shkëmbyer praktikat më të mira në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Presidentja Osmani theksoi se lufta për drejtësi për të mbijetuarit është një mision jetësor, nga i cili nuk duhet dorëzuar asnjëherë. Dr. Denis Mukwege ishte po ashtu pjesëmarrës në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i organizuar nga Presidentja Osmani në prill të vitit 2024.
Fjalimi i Presidentes Osmani në Konferencën e 25-vjetorit të QKRMT-së

Është vështirë të flasësh pas Vasfijes, e cila përkundër emocioneve të cilat vazhdojnë të jenë të forta, përplot dhimbje edhe 25 vite pas, jep një mesazh me pak fjalë, po me një fuqi të jashtëzakonshme që ka arritur të thyejë barriera, të luftojë stereotipe e stigma, por edhe të përçojë zërin e fuqishëm e të guximshëm të të mbijetuarave të dhunës jo vetëm këtu në Kosovë, po gjithandej nëpër botë. Faleminderit Vasfije dhe faleminderit Shyhrete që keni arritur që këtë dhimbje të Kosovës ta shndërroni po ashtu edhe në një mesazh të paepur të thirrjes për drejtësi. Keni arritur që ta dëshmoni çdokund në botë që ata që menduan që mund ta çnderojnë Kosovën, në fakt, asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë, sepse ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vetë nderi i Kosovës. Përgjatë këtyre 25 viteve, KRCT-ja, e udhëhequr nga Feride Rushiti, ka bërë një gjë që është vështirë të përshkruhet me fjalë në një fjalim. Prandaj, një falënderim nga zemra në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës që u bëtë një shtëpi e sigurt, një vendstrehim jo vetëm në aspektin fizik, por mbi të gjitha, në aspektin emocional për viktima të panumërta, të cilat tek ju gjetën besimin, gjetën mbështetjen dhe mbi të gjitha, u siguruan që mund të flasin para popullit të Kosovës, mund të flasin para botës dhe mund të vazhdojnë bashkërisht me secilin prej nesh luftën tonë të pandalshme për drejtësi. Është punë e cila siç e thatë me të drejtë, nuk e ka fundin në këtë 25-vjetor, por e ka vetëm fillimin, sepse dua t’ju siguroj që mbështetja jonë për ju nuk do të ndalet, por do të rritet, do të vazhdojë dhe ne, gra e burra të Kosovës, por edhe gjithandej nëpër botë, që do të luftojmë për këtë kauzë, do të jemi më shumë e jo më pak me çdo vit që shkon. Përgjatë këtyre 25 viteve, ne vazhdimisht e kemi kujtuar dhimbjen e së shkuarës, por po ashtu kemi dëshmuar se përkundër kësaj dhimbjeje, ka guxim, ka shpresë e mbi të gjitha ka një vendosmëri të palëkundur për drejtësi. Për fat të keq, sikurse edhe në vende të tjera para luftës në Kosovë, edhe në luftën gjenocidale të Millosheviqit kundër popullit tonë, dhuna seksuale u përdor si një armë, do të thosha arma më mizore që e ka njohur njerëzimi, në mënyrë që të shkaktojë dhimbje që do të përshkonte gjeneratat. Pra, jo vetëm gjeneratën tonë që përjetoi luftën, por edhe gjeneratat e fëmijëve, edhe gjeneratat që do të lindnin pas luftës. Por, pavarësisht të gjithave, historia dëshmoi dhe populli ynë dëshmoi një qëndresë të paepur, një qëndresë të jashtëzakonshme. E kjo u dëshmua edhe nëpërmjet guximit të të mbijetuarave për ta ngritur zërin. Dhe, treguan një të vërtetë të gjithmonshme që kombi ynë e ka treguar ndër shekuj, që nuk ka forcë, nuk ka krim, sado brutal që të jetë ai, që mund ta thyejë shpirtin e një populli që kërkon liri. Nuk ka! Prandaj, edhe sot me praninë tuaj, ju po e dëshmoni se duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet. Përderisa e dimë se nuk mjafton që thjesht ta kujtojmë të kaluarën, padrejtësitë nuk duhet asnjëherë të kalojnë në heshtje, dhe drejtësia, e dimë të gjithë, nuk arrihet pa i mbajtur autorët përgjegjës për krimet e bëra. Prandaj, edhe fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë pikërisht te lufta për drejtësi dhe e dimë që kjo luftë për drejtësi nuk është e lehtë. Por kjo në asnjë moment nuk duhet të na zmbrapsë nga synimi ynë i përbashkët për të krijuar çdo ditë e më shumë mekanizma edhe më efektivë që i mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo betejë kërkon këmbëngulje, kërkon guxim e ndonjëherë edhe durim të jashtëzakonshëm. Jam e lumtur që ndër vite Kosova ka ndërtuar mekanizma të cilët kanë treguar sukses, por siç e tha edhe Vasfija, duhet të bëjmë edhe më shumë që secila e mbijetuar dhe secili i mbijetuar ta ndiejë mbështetjen e shtetit. Ne asnjëherë nuk duhet të qëndrojmë pasivë përballë padrejtësive, edhe kur ato ndodhin në vende të tjera të botës. Prandaj, unë jam krenare me punën që po bën Vasfija, si e deleguar Speciale e Presidentes për dhunën seksuale gjatë luftës dhe njëkohësisht, edhe Shyhretja, po ashtu si përfaqësuese e Presidentes për drejtësi tranzicionale, të cilat nëpërmjet storieve të tyre dhe stories së Kosovës po përkrahin të mbijetuar në shtete si Ukraina, në shtete si Iraku, në vende të ndryshme në kontinentin afrikan, në Lindjen e Mesme e çdokund në botë. Përveç kësaj, në nivel botëror, Kosova është shndërruar në vendtakim nëpërmjet Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku fokusi kryesor është pikërisht zëri ynë i përbashkët për parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës. Dhe, në tërë këtë punë, mbështetje e pakursyer është ofruar, sidomos nga organizatat e shoqërisë civile, duke filluar nga KRCT-ja, Medica Kosova, Medica Gjakova dhe të gjitha organizatat e tjera të shoqërisë civile që i shihni sot në mesin tonë dhe të tjera që nuk janë këtu dhe pa dyshim edhe nga shtetet tona mike, të cilat së bashku me ne vazhdojnë që të ngrenë zërin kundër këtij krimi të tmerrshëm. Dhe pikërisht ky bashkëpunim i mirëfilltë me shoqërinë civile ka arritur që Kosovën ta shndërrojë, siç e thashë, edhe në vendin e vetëm në Evropë që është përzgjedhur nga Zyra e Sekretarit Blinken për Qendrën e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po ashtu, do të bashkojë jo vetëm shtetet tona të rajonit, por edhe përtej, në mënyrë që të kemi mekanizma edhe më efikas për parandalimin dhe eliminimin e dhunës seksuale gjatë luftës. Krahas sukseseve, ne duhet të pranojmë edhe sfidat për shoqërinë tonë. Edhe për shoqërinë tonë, edhe globalisht ato mbesin të pranishme, stigmatizimi, i cili pastaj shtyn edhe heshtjen e vazhdueshme në mesin e viktimave, mungesa e
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend. Në takim, u diskutua edhe rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus në fushat e politikës së jashtme, mbrojtjes dhe ekonomisë. Presidentja Osmani vuri në pah rëndësinë e forcimit të mëtejmë të raporteve të ndërsjella dhe koordinimit të vazhdueshëm për të adresuar sfidat e përbashkëta.
Presidentja: Për të tretin vit radhazi, Presidenca, së bashku me Jeta-Vita, dhuruan pako onkologjike për gratë e prekura nga kanceri i gjirit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Klinikën e Onkologjisë. Presidentja Osmani ka thënë se për të tretin vit radhazi, Presidenca, së bashku me Jeta-Vita, dhuruan pako onkologjike për gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Për të tretin vit radhazi, Presidenca, së bashku me Jeta-Vita, dhuruan pako onkologjike për gratë e prekura nga kanceri i gjirit gjatë #TetoriRozë 🎀. Ky muaj na rikujton rëndësinë e qëndrimit së bashku në luftën kundër kancerit të gjirit, ndërgjegjësimit dhe ofrimit të mbështetjes për të gjithë ato gra që kanë nevojë të jemi me to në këtë përballje.
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim shefin e EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano. Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në veri dhe në vijën kufitare me Serbinë. Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie. Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit.
Presidentja Osmani vizitoi Panairin e Produkteve Vendore në Dragash

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar dje Panairin e Produkteve Vendore në Dragash. “Dje në Dragash, në Panairin e Produkteve Vendore, në përkrahje të prodhuesve, fermerëve e blegtorëve punëtorë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e ndërrimit të komandës të KFOR-it

Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e ndërrimit së komandës së KFOR-it.
Presidentja Osmani priti në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar edhe nga komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani. Sipas Presidentes Osmani, Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë. Gjatë diskutimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen e NATO-s, për lirinë e Kosovës si dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Presidentja Osmani ka uruar gjeneralmajor Barduani për marrjen e detyrës dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në gjithë territorin e Kosovës dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për përkushtimin e gjeneralit Ulutaş në funksion të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar se prania e këtij misioni është kyçe për paqe dhe stabilitet. Më tej, presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe falënderoi gjeneralin Ulutaş për kontributin e deritashëm, duke i uruar suksese në angazhimet e mëtejme.
Presidentja Osmani priti në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof. Në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit. Në takimin me Kasanof, Presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.