Është vështirë të flasësh pas Vasfijes, e cila përkundër emocioneve të cilat vazhdojnë të jenë të forta, përplot dhimbje edhe 25 vite pas, jep një mesazh me pak fjalë, po me një fuqi të jashtëzakonshme që ka arritur të thyejë barriera, të luftojë stereotipe e stigma, por edhe të përçojë zërin e fuqishëm e të guximshëm të të mbijetuarave të dhunës jo vetëm këtu në Kosovë, po gjithandej nëpër botë.
Faleminderit Vasfije dhe faleminderit Shyhrete që keni arritur që këtë dhimbje të Kosovës ta shndërroni po ashtu edhe në një mesazh të paepur të thirrjes për drejtësi.
Keni arritur që ta dëshmoni çdokund në botë që ata që menduan që mund ta çnderojnë Kosovën, në fakt, asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë, sepse ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vetë nderi i Kosovës.
Përgjatë këtyre 25 viteve, KRCT-ja, e udhëhequr nga Feride Rushiti, ka bërë një gjë që është vështirë të përshkruhet me fjalë në një fjalim. Prandaj, një falënderim nga zemra në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës që u bëtë një shtëpi e sigurt, një vendstrehim jo vetëm në aspektin fizik, por mbi të gjitha, në aspektin emocional për viktima të panumërta, të cilat tek ju gjetën besimin, gjetën mbështetjen dhe mbi të gjitha, u siguruan që mund të flasin para popullit të Kosovës, mund të flasin para botës dhe mund të vazhdojnë bashkërisht me secilin prej nesh luftën tonë të pandalshme për drejtësi.
Është punë e cila siç e thatë me të drejtë, nuk e ka fundin në këtë 25-vjetor, por e ka vetëm fillimin, sepse dua t’ju siguroj që mbështetja jonë për ju nuk do të ndalet, por do të rritet, do të vazhdojë dhe ne, gra e burra të Kosovës, por edhe gjithandej nëpër botë, që do të luftojmë për këtë kauzë, do të jemi më shumë e jo më pak me çdo vit që shkon.
Përgjatë këtyre 25 viteve, ne vazhdimisht e kemi kujtuar dhimbjen e së shkuarës, por po ashtu kemi dëshmuar se përkundër kësaj dhimbjeje, ka guxim, ka shpresë e mbi të gjitha ka një vendosmëri të palëkundur për drejtësi.
Për fat të keq, sikurse edhe në vende të tjera para luftës në Kosovë, edhe në luftën gjenocidale të Millosheviqit kundër popullit tonë, dhuna seksuale u përdor si një armë, do të thosha arma më mizore që e ka njohur njerëzimi, në mënyrë që të shkaktojë dhimbje që do të përshkonte gjeneratat. Pra, jo vetëm gjeneratën tonë që përjetoi luftën, por edhe gjeneratat e fëmijëve, edhe gjeneratat që do të lindnin pas luftës.
Por, pavarësisht të gjithave, historia dëshmoi dhe populli ynë dëshmoi një qëndresë të paepur, një qëndresë të jashtëzakonshme. E kjo u dëshmua edhe nëpërmjet guximit të të mbijetuarave për ta ngritur zërin. Dhe, treguan një të vërtetë të gjithmonshme që kombi ynë e ka treguar ndër shekuj, që nuk ka forcë, nuk ka krim, sado brutal që të jetë ai, që mund ta thyejë shpirtin e një populli që kërkon liri. Nuk ka!
Prandaj, edhe sot me praninë tuaj, ju po e dëshmoni se duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet. Përderisa e dimë se nuk mjafton që thjesht ta kujtojmë të kaluarën, padrejtësitë nuk duhet asnjëherë të kalojnë në heshtje, dhe drejtësia, e dimë të gjithë, nuk arrihet pa i mbajtur autorët përgjegjës për krimet e bëra.
Prandaj, edhe fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë pikërisht te lufta për drejtësi dhe e dimë që kjo luftë për drejtësi nuk është e lehtë. Por kjo në asnjë moment nuk duhet të na zmbrapsë nga synimi ynë i përbashkët për të krijuar çdo ditë e më shumë mekanizma edhe më efektivë që i mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo betejë kërkon këmbëngulje, kërkon guxim e ndonjëherë edhe durim të jashtëzakonshëm.
Jam e lumtur që ndër vite Kosova ka ndërtuar mekanizma të cilët kanë treguar sukses, por siç e tha edhe Vasfija, duhet të bëjmë edhe më shumë që secila e mbijetuar dhe secili i mbijetuar ta ndiejë mbështetjen e shtetit.
Ne asnjëherë nuk duhet të qëndrojmë pasivë përballë padrejtësive, edhe kur ato ndodhin në vende të tjera të botës. Prandaj, unë jam krenare me punën që po bën Vasfija, si e deleguar Speciale e Presidentes për dhunën seksuale gjatë luftës dhe njëkohësisht, edhe Shyhretja, po ashtu si përfaqësuese e Presidentes për drejtësi tranzicionale, të cilat nëpërmjet storieve të tyre dhe stories së Kosovës po përkrahin të mbijetuar në shtete si Ukraina, në shtete si Iraku, në vende të ndryshme në kontinentin afrikan, në Lindjen e Mesme e çdokund në botë.
Përveç kësaj, në nivel botëror, Kosova është shndërruar në vendtakim nëpërmjet Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku fokusi kryesor është pikërisht zëri ynë i përbashkët për parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës. Dhe, në tërë këtë punë, mbështetje e pakursyer është ofruar, sidomos nga organizatat e shoqërisë civile, duke filluar nga KRCT-ja, Medica Kosova, Medica Gjakova dhe të gjitha organizatat e tjera të shoqërisë civile që i shihni sot në mesin tonë dhe të tjera që nuk janë këtu dhe pa dyshim edhe nga shtetet tona mike, të cilat së bashku me ne vazhdojnë që të ngrenë zërin kundër këtij krimi të tmerrshëm.
Dhe pikërisht ky bashkëpunim i mirëfilltë me shoqërinë civile ka arritur që Kosovën ta shndërrojë, siç e thashë, edhe në vendin e vetëm në Evropë që është përzgjedhur nga Zyra e Sekretarit Blinken për Qendrën e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po ashtu, do të bashkojë jo vetëm shtetet tona të rajonit, por edhe përtej, në mënyrë që të kemi mekanizma edhe më efikas për parandalimin dhe eliminimin e dhunës seksuale gjatë luftës.
Krahas sukseseve, ne duhet të pranojmë edhe sfidat për shoqërinë tonë.
Edhe për shoqërinë tonë, edhe globalisht ato mbesin të pranishme, stigmatizimi, i cili pastaj shtyn edhe heshtjen e vazhdueshme në mesin e viktimave, mungesa e vënies para drejtësisë së kriminelëve janë pengesa që duhet t’i adresojmë dhe kapërcejmë bashkërisht, sepse kauza jonë është e drejtë dhe kauza jonë është më e madhe sesa secili prej nesh individualisht.
Dhe e di që gjatë këtij rrugëtimi të përbashkët, gjithnjë e më shumë mbështetës do të bashkohen me ne. Prandaj, sot ju ftoj të gjithëve edhe ata që na përcjellin nëpërmjet ekranit, që të mbesin të përkushtuar ndaj kësaj kauze le të jemi bashkë për të bërë një ndryshim real, parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës kudo në botë dhe vënien para drejtësisë të atyre që kanë kryer krime të tilla.
Të punojmë me vendosmëri për t’i dhënë fund heshtjes, të inkurajojmë sa më shumë të mbijetuara që të dalin dhe me guxim të kërkojnë drejtësi, ashtu siç kanë kërkuar Vasfija, Shyhretja dhe shumë e shumë të mbijetuara nëpërmjet mbështetjes që e kanë marrë nga shoqëria civile dhe nga institucionet.
Prandaj, sot ne nuk është se vetëm kujtojmë atë që ka ndodhur, por nëpërmjet kësaj pune, edhe veprojmë bashkërisht dhe tregojmë se ka edhe shumë e shumë mbështetës jashtë kësaj salle nëpërmjet punës të të cilëve po ndërtojmë një të ardhme, ku dhuna seksuale nuk duhet më asnjëherë të përdoret si armë lufte, por mbetet si një kujtesë e së kaluarës dhe na dëshmon të gjithëve se forca më e madhe në këtë botë është pikërisht guximi i atyre që refuzojnë të mposhten para krimeve të tilla – guxim të cilin e kanë treguar çdo ditë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Prandaj, le të vazhdojmë t’i bashkojmë forcat dhe zërat tanë e të sigurohemi që drejtësia të triumfojë!
Ju faleminderit!