Presidentja Osmani në vizitë pune në Kanada-përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Kanada. Ajo do ta përfaqësojë Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax. Në këtë Forum, Presidentja Osmani, do ta ketë një adresim në panelin e nivelit të lartë me temë: Epoka e optimizmit – tani varet nga ne. Në agjendën e Presidentes Osmani gjatë vizitës në Halifax do të jenë edhe një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të lartë kanadez dhe përfaqësues të shteteve të tjera. Presidentja Osmani, po ashtu, do ta ketë një ligjëratë para studentëve dhe një takim me përfaqësues të mërgatës në Halifax. Përndryshe, Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë në Halifax është ngjarje vjetore, e cila mbledh vendimmarrësit në kërkim të zgjidhjeve që kanë të bëjnë me sferën e sigurisë globale.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Bullgarisë Hristo Gudjev

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev. Në këtë takim, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Gudjev për angazhimin dhe përkushtimin gjatë mandatit të tij, duke vlerësuar lart kontributin në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë në mes dy shteteve, i cili ka kontribuar në avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si ekonomia, arsimi, kultura dhe mbështetja diplomatike. Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes bullgare në rrugëtimin euro-atlantik dhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Presidentja Osmani priti në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin McKee

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Ndihmës Administratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it, ambasadoren Erin McKee, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet USAID-it dhe popullit të Kosovës. Presidentja Osmani e ka përgëzuar USAID-in për miqësinë 25-vjeçare dhe mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Sipas Presidentes Osmani, misioni i USAID-it gjatë çerek shekullit të kaluar, ka qenë i rëndësishëm në fuqizimin e të rinjve, grave, investimin dhe ndërtimin e institucioneve që mbështesin drejtësinë, barazinë dhe mundësitë për të gjithë. “Trashëgimia transformuese e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës, nga forcimi i institucioneve deri te rritja e qëndrueshme ekonomike dhe avancimi i parimeve demokratike”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të USAID-it, përfshirë investimin prej mbi 1 miliard dollarësh në fushat ndryshme për progresin e Kosovës. Presidentja Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së projekteve në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe projektet për fuqizimin ekonomik të grave, duke rikonfirmuar përkushtimin e Presidencës për t`i mbështetur këto projekte në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Adresimi vjetor i Presidentes Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Adresimi i Presidentes Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës 21 Nëntor 2024 I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Konjufca, I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar, Të nderuar deputetë të Kuvendit, Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të institucioneve të sigurisë, Të nderuar të pranishëm, Shumë të dashur qytetarë të Republikës sonë, Po ju drejtohem për të katërtin vit radhazi nga foltorja e këtij Kuvendi, në rolin e kreut të shtetit, në të cilin kapacitet jam angazhuar që t’i përfaqësoj qytetarët me dinjitet dhe do të angazhohem gjithnjë që në këtë rrugëtim të dalim përherë faqebardhë. Përfaqësimi i vendit tim, përveç se është nderi më i madh i jetës sime, është gjithashtu mishërim i besimit të qytetarëve, duke na rikujtuar ditë pas dite përgjegjësinë që kemi jo për të lartësuar veten, por për të lartësuar shtetin! Jemi këtu ku jemi me mision për ta udhëhequr vendin tonë përpara, për ta fuqizuar shtetësinë tonë gjithnjë e më shumë, për të shtuar aleancat dhe për të qenë vesh e sy, si dhe mbështetje për secilin qytetar. Momenti kur mund të themi se vërtetë ia kemi dalë, është momenti kur qytetarët tanë do të thonë: Jemi krenarë për vendin tonë për vlerat që ai përfaqëson, si dhe për mundësitë dhe gjithëpërfshirjen që ofron—e jo për shkak të ndonjë personi apo grupi politik. Ky është nderi më i madh që mund t’ia bëjmë Kosovës sonë. Rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë. Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, në mënyrë që sot të frymojmë lirshëm. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimi i shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që do të mund ndonjëherë t’i rrënojë ato. Edhe sot si gjithnjë nderojmë vizionin e atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova si dhe përkulemi para sakrificës dhe guximit të pashoq të Komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari dhe të secilit pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor qëndrojnë në themelet e shtetit tonë, ndaj mbeten qendrore edhe përcaktuese edhe për të ardhmen tonë. Kjo nuk do të thotë megjithatë, që nuk do të ketë vazhdimisht goditje ndaj shtyllave të shtetit tonë. Por ne vazhdimisht duhet të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e këtyre shtyllave, të cilat kanë frymëzuar edhe kushtetutën tonë, e cila edhe sot, mbetet kushtetuta më moderne dhe më e avancuar në Evropë sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, e në veçanti të drejtave të komuniteteve joshumicë. Andaj, sot, më shumë se kurrë na duhet ajo që njihet si patriotizëm kushtetues, i cili shkon përtej ndasive politike dhe kthehet tek bazamenti i shtetësisë sonë. Është ky lloj patriotizmi që na bashkon, jo sepse ndajmë mendimet e njëjta çdoherë, por sepse besojmë në të ardhmen e ndërtuar mbi vlerat dhe parimet që na përbashkojnë dhe për shkak se populli ynë gjithnjë ka ditur të bashkohet në mbrojtje të atdheut të ndërtuar me aq shumë sakrificë. Në thelb të patriotizmit kushtetues është besimi se kushtetuta jonë është më shumë se sa thjesht një dokument juridik—ajo është një kontratë shoqërore që mishëron idealet dhe aspiratat tona të larta. Ajo garanton lirinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit për të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve. Këto parime nuk janë vetëm obligime ligjore, por edhe akt patriotizmi që forcojnë themelet e shtetit tonë. Në këto kohë të trazuara për globin, kur fragmentimi dhe përçarja po bëhen gjithnjë e më të dukshme, besnikëria jonë ndaj parimeve të kushtetutës sonë është ajo që duhet të na bashkojë. Kjo formë patriotizmi e shndërron obligimin individual në një detyrë qytetare, në funksion të mbrojtjes së rendit tonë demokratik, në funksion të mbrojtjes së çdo pëllëmbe të Republikës sonë. Sot, siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet individual e kolektiv. Në këtë rrugëtim, ajo që dëshmon më së miri zhvillimin dhe pjekurinë e shtetit tonë është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasqyrojnë atë që është e drejtë, e jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur, e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që e ngritë shtetin tonë lart e jo që i ngritë vetëm numrat në sondazhe. Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë. Të nderuar qytetarë, Si udhëheqëse e politikës se jashtme, edhe përgjatë këtij viti kam punuar që emri i Kosovës të lartësohet e dëgjohet edhe aty ku nuk është dëgjuar kurrë më parë. Kam punuar në thellimin e aleancave e partneriteteve me vendet e afërta e ato të largëta. Jam angazhuar të dëshmoj se Kosova është shembulli më i mirë i asaj se çfarë ndodhë kur demokracitë qëndrojnë të bashkuara. Përgjatë këtyre muajve të këtij viti, ashtu siç kam bërë çdo ditë që nga dita e parë e mandatit, kam punuar me ngulm drejt forcimit të shtetësisë sonë, ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, fuqizimit të aleancave dhe përpjekjes për ta fuqizuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shteti ynë, edhe pse i ri, ka bërë hapa të rëndësishëm në skenën globale, të përcaktuar nga aleancat strategjike dhe një përkushtim i palëkundur ndaj të drejtave universale dhe vlerave demokratike. Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me partnerët e tjerë në Evropë e përtej, riafirmojnë rolin tonë si një forcë proaktive për paqen dhe zhvillimin në rajonin tonë e më gjerë. Pjesëmarrja jonë aktive në samite dhe forume ndërkombëtare, ka fuqizuar gjithnjë e më shumë zërin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për herë të parë në histori, Kosova është ftuar në samite dhe organizata ku fare nuk

Presidentja: Heroinat si Vasfija e Shyretja dhe shume gra të tjera na frymëzojnë me guximin e tyre, duke na kujtuar të luftojmë për drejtësi vazhdimisht

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në tryezën e diskutimit për të mbijetuarit/at e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit. “Në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, theksova se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë mishërojnë qëndrueshmërinë dhe shpirtin e pathyeshëm njerëzor. Heroinat si Vasfija e Shyretja dhe shume gra të tjera na frymëzojnë me guximin e tyre, duke na kujtuar të luftojmë për drejtësi vazhdimisht, kudo dhe kurdo”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Grupi Punues për Barazi Gjinore i themeluar në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut mbajti takimin e radhës

Grupi Punues për Barazi Gjinore i themeluar në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut mbajti takimin e radhës, në të cilin u prezantuan dy bashkëpunimet e fundit të krijuara me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, konkretisht njëra me Qeverinë Kanadeze nëpërmjet programit TAP-EDM dhe tjetra me Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI). Gjatë takimit, ekspertët e angazhuar nga projekti TAP-EDM, prezantuan qëllimin kryesor të bashkëpunimit me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, së bashku me rezultatet që priten të arrihen deri në fund të këtij partneriteti. Qëllimi kryesor i partneritetit mes Zyrës së Presidentes dhe Qeverisë Kanadeze është ndërtimi i sistemeve me bazë të të dhënave që njihen ndërkombëtarisht për të adresuar dhunën me bazë gjinore. Këto sisteme të të dhënave do të ndihmojnë në identifikimin e politikave me bazë në evidenca, rrjedhimisht synimi është që politikat për adresimin e dhunës me bazë gjinore të jenë sa më efikase dhe të drejta. Në vazhdim të takimit, si pjesë e partneritetit me IRI, së bashku me ekspertët e angazhuar, anëtarët e Grupit diskutuan mbi fushat prioritare ku ka nevojë për avancim në barazi gjinore siç janë pjesëmarrja e grave në jetën politike dhe publike, buxhetimi i ndërgjegjshëm gjinor, kultura, arsimi, gjyqësori, dhe fusha të tjera të rëndësishme. Ky partneritet, i cili është në fazën e dytë të tij, përfshin rishikimin e ligjeve dhe politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe pjesëmarrjen aktive të grave në këto fusha dhe propozimin e ndryshimeve për të siguruar mundësi të barabarta dhe pjesëmarrjen e grave në të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike të Kosovës. Në fund të takimit, anëtarët diskutuan mbi tema të ndryshme të interesit të përbashkët me fokus barazinë gjinore në Kosovë.

Presidentja Osmani ia kthen për rishqyrtim Kuvendit të Kosovës Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit

Bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, Presidentja Osmani ka përdorur të drejtën e vetos, duke kthyer dy ligje për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës: Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërkaq Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të caktuara të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë. Për më tepër, bashkëngjitur gjeni dokumentet me arsyetimet përkatëse. Vendimi nr. 37-2024, Kthimi për rishqyrtim i Ligjit për Këshillin e Sigurisë Vendimi nr. 38-2024, Kthimi për rishqyrtim i Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në tryezën e diskutimit për të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit

Më lejoni që fillimisht ta falënderoj Avokatin e Popullit, gjithë institucionin, por në veçanti kreun e institucionit për vëmendjen e veçantë që i kushton kësaj teme dhe së dyti t’ju përshëndes të gjithëve nga ministrja, zëvendësministrja, deputetët, udhëheqësit e institucioneve, por në veçanti udhëheqëset dhe udhëheqësit e Organizatave Joqeveritare, që për më shumë se 25 vite kanë bërë në fakt punën kryesore për dokumentimin e këtyre krimeve, por edhe mbështetjen në raport me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Përgjatë gjithë mandatit tim politik, dhe jo vetëm tani që jam në Presidencë, kjo ka qenë një ndër temat me të cilat jam marrë më për së afërmi, për shkak se në radhë të parë siç e tha Avokati i Popullit viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilat janë shumë më shumë se viktima, janë të mbijetuara të cilat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme, guxim të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha janë treguar të pandalshme në rrugën e tyre, në luftën e tyre për drejtësi, meritojnë përkrahjen tonë. Por, e dyta, për shkak se është interes i veçantë shtetëror, që secili prej nesh ta luftojmë përpjekjen për ndryshimin e historisë. Përpjekje kjo që akoma po vazhdon nga Serbia dhe aleatët e saj. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë dëshmi e forcës së shpirtit njerëzor dhe e qëndrueshmërisë, pavarësisht momenteve të rënda në orët më të rënda të historisë sonë. Secila prej këtyre rasteve nuk është thjesht një statistikë, por një jetë e ndryshuar, një histori i dhimbjes së paimagjinueshme dhe një rrugëtim drejt drejtësisë së vonuar, por të domosdoshme. Më duhet ta pranoj se nuk është asnjëherë e lehtë për të gjetur fjalët e duhura dhe të mjaftueshme për ta nderuar forcën, qëndrueshmërinë dhe kurajon e gjithë atyre që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës. Por, ato nuk u ndalën duke u shndërruar në një prej zërave më të fuqishëm për drejtësi brenda Republikës sonë. Atyre që kanë triumfuar mbi këto mizori dhe na kanë dëshmuar pathyeshmërinë e shpirtit të njeriut edhe në kohët më të errëta. Dhunimet gjatë luftës fatkeqësisht janë arma më mizore që e ka njohur njerëzimi. Madje, edhe më mizore se sa dhuna është vet qëllimi i saj. Siç e kam thënë shpesh nëpërmjet dhunës seksuale ushtria, policia serbe dhe shteti serb kishte për qëllim që të krijonte dhimbje që do të përshkonte gjenerata. Shumë nga dhunimet siç e dini që kanë ndodhur gjatë grave në Kosovë kanë ndodhur në sytë e fëmijëve. Sepse, me këtë qëllim dëshironin ta shkatërronin një komb të tërë. Përgjatë këtyre 25 viteve pas luftës, ne kemi mbajtur gjallë kujtimin e dhimbjes së të kaluarës, por po ashtu kemi treguar se, pavarësisht kësaj dhimbjeje, ekziston guxim, shpresë e mbi të gjitha vendosmëri e pathyeshme për drejtësi. Heroina si Shyretja e Vasfija por edhe shumë gra të tjera të cilat vazhdojnë luftën për drejtësi, janë dëshmi e kësaj. Ato kanë ngritur zërin, u kanë dhënë forcë dhe shpresë edhe shumë të mbijetuarave të tjera dhe na e kanë rikujtuar se ne nuk duhet asnjëherë të qëndrojmë pasiv përballë padrejtësive, edhe kur ato ndodhin edhe në vende të tjera të botës. Prandaj, si Presidente ndihem krenare për punën që po bëjnë Vasfija dhe Shyretja si të deleguara të posaçme Presidenciale, në mbështetjen e të mbijetuarave jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende si Ukraina, Iraku, në shtete të ndryshme të Afrikës, por edhe në Lindjen e Mesme. Për më tepër, nga përpjekjet tona të vazhdueshme për trajtimin e kësaj çështjeje, Republikën e Kosovës e kanë shndërruar në referencë për tërë botën, edhe nëpërmjet Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në edicionin e fundit të këtij forumi, jehona e historive tronditëse të të mbijetuarave seksuale gjatë luftës ka kapërcyer kufijtë tanë kombëtarë. Gjithsesi, në rrugën tonë për kërkimin e drejtësisë, ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm se kjo betejë nuk është fare e lehtë. Vet fakti që kemi aq pak raste me epilog e dëshmon këtë. Si në shoqërinë tonë, ashtu edhe në nivel global, stigma në trajtimin e kësaj teme, vazhdon të jetë e pranishme, duke shtyrë shumë viktima drejt heshtjes së vazhdueshme, e cila rëndon shpirtin e tyre. Fakti që përveç Shyretes dhe Vasfijes, gratë tjera akoma nuk kanë folur publikisht e dëshmon se sa e rëndë është një gjë e tillë, por po ashtu se edhe sa më shumë përpjekje duhet të bëjmë bashkërisht që t’i mbështesim ato. Rruga për te drejtësia nuk është kurrë e lehtë dhe nuk ka mbaruar. Procesi i verifikimit që filloi para disa vitesh nëpërmjet komisionit është vetëm fillimi në mbështetje të të mbijetuarave. Kemi ende shumë punë për të bërë—punë për t`u siguruar që çdo e mbijetuar ta marrë mbështetjen dhe njohjen që u nevojitet për ta rindërtuar jetën, por mbi të gjitha që përgjegjësit krimeve të dalin para drejtësisë. Më lejoni që përderisa po flas për Komisionin ta përmend që përkundër faktit që e vlerësojmë angazhimin përgjatë shumë viteve duhet gjithsecili prej nesh edhe të reflektojmë për shumë prej çështjeve që i ngrisin edhe vet të mbijetuarat. E para ka të bëj me çështjen e verifikimit të statusit. Siç e dini ka një numër të madh të personave që kanë aplikuar dhe janë refuzuar. Pa dashur të paragjykoj përmbajtjen e lëndëve të tilla, është me rëndësi që ta ngrisim si çështje dhe ta diskutojmë dhe t’i identifikojmë ku janë problemet, ku janë parregullsitë, në mënyrë që puna të përmirësohet. Në punën e gjithsecilit prej nesh ka hapësirë për përmirësim, dhe në qoftë se nuk ka një vetreflektim të tillë atëherë jemi gabim. Rrjedhimisht, shpresoj që kjo tryezë, pas prezantimit të raportit të shërbejë edhe për një diskutim të tillë. E dyta ka të bëj me mandatin e Komisionit. Siç e dini, kam ngritur zërin rreth çështjes së kufizimit të mandatit, sepse mendoj që është gabim politik, gabim juridik dhe gabim historik. Përderisa krimi i dhunimit është pjesë e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, madje edhe element i gjenocidit dhe që të tria sipas Drejtës Ndërkombëtare

Presidentja Osmani në drekë pune me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vendeve fqinje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në një drekë pune me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vendeve fqinje. “Sot në drekë pune me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vendeve fqinje, nën organizimin e presidencës hungareze, në diskutim rreth hapave tutje për ta përshpejtuar integrimin e vendit tonë drejt BE-së”, ka shkruar Presidentja Osmani.

This site is registered on wpml.org as a development site.