DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Adresimi vjetor i Presidentes Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Adresimi i Presidentes Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës

21 Nëntor 2024

I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të institucioneve të sigurisë,

Të nderuar të pranishëm,

Shumë të dashur qytetarë të Republikës sonë,

Po ju drejtohem për të katërtin vit radhazi nga foltorja e këtij Kuvendi, në rolin e kreut të shtetit, në të cilin kapacitet jam angazhuar që t’i përfaqësoj qytetarët me dinjitet dhe do të angazhohem gjithnjë që në këtë rrugëtim të dalim përherë faqebardhë.

Përfaqësimi i vendit tim, përveç se është nderi më i madh i jetës sime, është gjithashtu mishërim i besimit të qytetarëve, duke na rikujtuar ditë pas dite përgjegjësinë që kemi jo për të lartësuar veten, por për të lartësuar shtetin! Jemi këtu ku jemi me mision për ta udhëhequr vendin tonë përpara, për ta fuqizuar shtetësinë tonë gjithnjë e më shumë, për të shtuar aleancat dhe për të qenë vesh e sy, si dhe mbështetje për secilin qytetar.

Momenti kur mund të themi se vërtetë ia kemi dalë, është momenti kur qytetarët tanë do të thonë: Jemi krenarë për vendin tonë për vlerat që ai përfaqëson, si dhe për mundësitë dhe gjithëpërfshirjen që ofron—e jo për shkak të ndonjë personi apo grupi politik. Ky është nderi më i madh që mund t’ia bëjmë Kosovës sonë.

Rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë. Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, në mënyrë që sot të frymojmë lirshëm. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimi i shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që do të mund ndonjëherë t’i rrënojë ato.

Edhe sot si gjithnjë nderojmë vizionin e atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova si dhe përkulemi para sakrificës dhe guximit të pashoq të Komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari dhe të secilit pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor qëndrojnë në themelet e shtetit tonë, ndaj mbeten qendrore edhe përcaktuese edhe për të ardhmen tonë.

Kjo nuk do të thotë megjithatë, që nuk do të ketë vazhdimisht goditje ndaj shtyllave të shtetit tonë. Por ne vazhdimisht duhet të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e këtyre shtyllave, të cilat kanë frymëzuar edhe kushtetutën tonë, e cila edhe sot, mbetet kushtetuta më moderne dhe më e avancuar në Evropë sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, e në veçanti të drejtave të komuniteteve joshumicë.

Andaj, sot, më shumë se kurrë na duhet ajo që njihet si patriotizëm kushtetues, i cili shkon përtej ndasive politike dhe kthehet tek bazamenti i shtetësisë sonë. Është ky lloj patriotizmi që na bashkon, jo sepse ndajmë mendimet e njëjta çdoherë, por sepse besojmë në të ardhmen e ndërtuar mbi vlerat dhe parimet që na përbashkojnë dhe për shkak se populli ynë gjithnjë ka ditur të bashkohet në mbrojtje të atdheut të ndërtuar me aq shumë sakrificë.

Në thelb të patriotizmit kushtetues është besimi se kushtetuta jonë është më shumë se sa thjesht një dokument juridik—ajo është një kontratë shoqërore që mishëron idealet dhe aspiratat tona të larta. Ajo garanton lirinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit për të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve. Këto parime nuk janë vetëm obligime ligjore, por edhe akt patriotizmi që forcojnë themelet e shtetit tonë.

Në këto kohë të trazuara për globin, kur fragmentimi dhe përçarja po bëhen gjithnjë e më të dukshme, besnikëria jonë ndaj parimeve të kushtetutës sonë është ajo që duhet të na bashkojë. Kjo formë patriotizmi e shndërron obligimin individual në një detyrë qytetare, në funksion të mbrojtjes së rendit tonë demokratik, në funksion të mbrojtjes së çdo pëllëmbe të Republikës sonë.

Sot, siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet individual e kolektiv.

Në këtë rrugëtim, ajo që dëshmon më së miri zhvillimin dhe pjekurinë e shtetit tonë është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasqyrojnë atë që është e drejtë, e jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur, e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që e ngritë shtetin tonë lart e jo që i ngritë vetëm numrat në sondazhe. Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë.

Të nderuar qytetarë,

Si udhëheqëse e politikës se jashtme, edhe përgjatë këtij viti kam punuar që emri i Kosovës të lartësohet e dëgjohet edhe aty ku nuk është dëgjuar kurrë më parë. Kam punuar në thellimin e aleancave e partneriteteve me vendet e afërta e ato të largëta. Jam angazhuar të dëshmoj se Kosova është shembulli më i mirë i asaj se çfarë ndodhë kur demokracitë qëndrojnë të bashkuara.

Përgjatë këtyre muajve të këtij viti, ashtu siç kam bërë çdo ditë që nga dita e parë e mandatit, kam punuar me ngulm drejt forcimit të shtetësisë sonë, ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, fuqizimit të aleancave dhe përpjekjes për ta fuqizuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Shteti ynë, edhe pse i ri, ka bërë hapa të rëndësishëm në skenën globale, të përcaktuar nga aleancat strategjike dhe një përkushtim i palëkundur ndaj të drejtave universale dhe vlerave demokratike.

Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me partnerët e tjerë në Evropë e përtej, riafirmojnë rolin tonë si një forcë proaktive për paqen dhe zhvillimin në rajonin tonë e më gjerë.

Pjesëmarrja jonë aktive në samite dhe forume ndërkombëtare, ka fuqizuar gjithnjë e më shumë zërin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për herë të parë në histori, Kosova është ftuar në samite dhe organizata ku fare nuk është anëtare, siç ishte edhe samiti i NATO-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe organizime të tjera ndërkombëtare ku dëshmuam se rëndësia e një shteti nuk përcaktohet thjesht nga madhësia gjeografike apo ekonomia e saj, por mbi të gjitha nga rrëfimi ynë, shembulli që japim si dhe vlerat që mbrojmë.

Veprimet e politikës sonë të jashtme janë shtrirë edhe në kontinente, rajone e shtete të tjera, përtej Evropës e SHBA-ve, duke përfshirë Afrikën, Azinë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Kjo shtrirje është më shumë se simbolike, ngase përfaqëson aspiratën tonë për bashkëpunim gjithëpërfshirës që i kapërcen kufijtë apo distancat gjeografike.

Vetëm deri më tani në vitin 2024, kam realizuar dhjetëra vizita ndërkombëtare e qindra takime me liderë e palë të interesuara nga e gjithë bota. E këto vizita e komunikime në interes të Kosovës do të vazhdojnë edhe në pjesën e mbetur të vitit e tutje përgjatë gjithë angazhimit tim politik. Çdo vizitë ka hapur kapituj të rinj bashkëpunimi nga fusha nga siguria deri te zhvillimi ekonomik. Veçanërisht, politika jonë e jashtme proaktive ka adresuar interpretimet e veprimet dashakeqe nga Serbia në lidhje me atë se çfarë është vërtetë dhe çfarë përfaqëson Kosova. Përgjigja ka qenë përherë një dhe e vetme: Kosova e lirë, e pavarur, sovrane e demokratike është një realitet i pakthyeshëm!

Nëpërmjet dialogut me këta liderë botërorë, ne jo vetëm që kemi riafirmuar pavarësinë e Kosovës, por edhe kemi nxitur partneritete më të thella, të bazuara në interesa të përbashkëta gjithnjë në dobi të qytetarëve, e asnjëherë të vetvetes apo individëve të tjerë. Rezultati i kësaj pune shpesh nuk shihet menjëherë, por dyert e hapura, partneriteti në dobi të adresimit të sfidave të përbashkëta, kontaktet e rregullta dhe prezenca aktive në katër anët e botës janë dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur.

Asnjëherë në histori të Presidencës së pas pavarësisë Presidenca e Republikës së Kosovës nuk i ka pasur dyert më të hapura se sa në këtë mandat. Faktet flasin vet.

Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilatdo palë zgjedhjesh. Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cënimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore: do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara.

E gjersa shohim përpara, ka disa çështje që kërkojnë vëmendje e angazhim të veçantë të të gjithëve pa dallim gjatë vitit 2025. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE si dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO duhet të jenë suksese të vitit 2025. Prandaj çdo hap i institucioneve të Kosovës për të arritur këto tri qëllime në vitin që vjen duhet të jetë strategjikisht i menduar dhe mirë i koordinuar.

Edhe pse sfidat vazhdojnë, ne i qasemi kësaj rruge me këmbëngulje e përkushtim, e mbi të gjitha me orientim të qartë strategjik të bazuar edhe në vullnetin e qytetarëve tanë.

Pavarësisht se sa kompleks është rrugëtimi, ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga rruga jonë drejt BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Të dashur qytetarë,

Përderisa në vitet e 90-ta ne ishim ata që kishim nevojë për vëmendjen dhe përkrahjen e të tjerëve, sot ka akoma shqiptarë në rajon që përballen me vështirësi e shkelje të të drejtave të njeriut. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, spastrimi etnik nëpërmjet pasivizimit të adresave, shkelje kjo e konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian, Departamenti Amerikan i Shtetit etj, tashmë ka marrë edhe vulën e gjykatave tërësisht të politizuara të Serbisë, të cilat po e mirëmbajnë diskriminimin. Fatkeqësisht, reagimi ndërkombëtar ndaj këtyre shkeljeve po mungon, përkundër shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Po mungojnë po ashtu veprimet në raport me Serbinë sa i përket marrjes përgjegjësi për këto shkelje. Në të njëjtën kohë, ne shohim shqetësime të shumta në mesin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, sa i përket të drejtave të fituara me Marrëveshjen e Ohrit dhe dua t’i siguroj të gjithë që do të bëjmë çmos që mos të bëhet asnjë hap prapa, por vetëm përpara. Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të vendit, prandaj çdo përpjekje për të minuar të drejtat e tyre do të përballet me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur nga shqiptarët gjithandej. Në këtë drejtim, koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në veçanti për çështje të politikës së jashtme e sigurisë por mbi të gjitha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në të gjithë rajonin e kudo tjetër që jetojnë ata, është vendimtar për suksesin tonë dhe për ecjen përpara drejt familjes euro-atlantike, aty ku e kemi vendin dhe e meritojmë.

Të dashur qytetarë,

Si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam e bindur se një FSK e fuqizuar, është një Kosovë e fuqishme. Ushtria është një prej sukseseve dhe krenarive më të mëdha të vendit tonë. Si trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtarët e FSK-së kanë ditur ta përfaqësojnë vendin me nder, gjithnjë duke treguar profesionalizëm të pashoq, që padyshim i bënë të denjë edhe qysh sot të jenë pjesë e ushtrive anëtare të NATO-s.

Në përputhje me vizionin shtetëror për integrim në aleancën më të madhe, më të suksesshme ushtarake, pra në NATO, jam angazhuar në forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me partnerët tanë, të udhëhequr nga SHBA-të, për anëtarësim sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO, si dhe për koordinim të plotë me lidershipin e NATO-s dhe shtetet anëtare të aleancës për mbrojtje të Kosovës nga çdo rrezik.

E përderisa ushtria jonë çdo ditë po furnizohet me armatim modern, që është një prej investimeve më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit dhe po forcon kapacitetet për mbrojtje të vendit nga çdo rrezik, nuk duhet të harrojmë se kapaciteti dhe pasuria më e madhe që e ka Kosova, e rrjedhimisht edhe ushtria jonë, janë pikërisht njerëzit brenda saj. Prandaj, mirëqenia ekonomike e sociale e ushtarakëve tanë, motivimi i tyre e mbështetja e avancimit të tyre profesional duhet poashtu të shndërrohen në prioritet, sepse jo rastësisht në ushtri asnjëherë nuk flitet vetëm për rekrutim, por flitet për konceptin e rekrutimit dhe mbajtjes brenda ushtrisë të atyre që janë rekrutuar, në mënyrë që një ushtri t`i arrijë kapacitetet e plota operacionale.

Prandaj kam mbështetur vazhdimisht kërkesat që ushtarakëve tanë t’u mbulohen shtesat e rrezikshmërisë, shtesat për punë pas orari, mëditjet për trajnime që zgjasin mbi një muaj dhe programet e tjera mbështetëse të cilat do të siguronin që njerëzit më të mirë e më të kualifikuar të vazhdojnë avancimin brenda FSK-së. Armatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kyç për fuqizimin e shtetit tonë, por ai ka kuptim kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar dhe i mbështetur. Në këtë frymë, angazhimi ynë i çdoditshëm duhet të jetë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi që është thellësisht në interes të shtetit tonë. Ndaj, të nderuar deputetë, hapin e parë mund ta bëni qysh sot. Praktika e Kuvendit ju lejon, nëpërmjet procedurës së shmangies, të paraqisni amandamente edhe në seancë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që të propozohet që buxhetit të FSK-së, t’i shtohet shuma e duhur në mënyrë që ushtarakët tanë të kenë shtesat e rrezikshmërisë, ato jashtë orarit të punës, si dhe mëditjet për trajnime mbi një muaj. Ky do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe një lajm i mirë në fundvit për secilin që sot i shërben atdheut. Si alternativë, kjo çështje do të duhej të shqyrtohej në momentin e parë të rishikimit të buxhetit.

Efikasiteti dhe efektiviteti i operacionalitetit të FSK-së, krahas ndjenjës së detyrës dhe përgjegjësisë ndaj kushtetutës dhe atdheut, është i ndërlidhur ngushtë edhe me shkallën e mirëqenies sociale e ekonomike të tyre dhe familjeve të tyre.

Prandaj, edhe kam propozuar programin shtetëror për mbështetjen e FSK-së në 8 pika tashmë të publikuara, ku përveç shtesave që tashmë i përmenda përfshihet edhe sigurimi shëndetësor për ushtrinë, çështja e banimit për ushtarakët dhe familjet e tyre, funksionalizimi i Spitalit Ushtarak, përmirësimi i cilësisë së ushqimit, krijimi i fondit kreditues dhe çështje të tjera të cilat kur të përmbushen do të ndikojnë fuqishëm në ndërtimin e FSK-së edhe më profesionale, edhe më të motivuar, edhe më të fortë.

Të dashur qytetarë,

Përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen. E po kështu, shtohet përkushtimi dhe mobilizimi ynë për t’i parandaluar ato.

24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë për shkak të aktit të agresionit të Serbisë, ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes, heroi ynë, Afrim Bunjaku me shokë, i treguan Serbisë dhe gjithë dashakeqëve se Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë për të falur dhe se mbrojtja e shtetit tonë është betimi ynë i përjetshëm. Ende, 424 ditë më pas, nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë.

Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke i shërbyer agjendës së Rusisë së Putinit, me format më perfide të luftës hibride, në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme, duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, liritë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalancuar me një trajtim të padrejtë të Kosovës, dhe një akomodim të vazhdueshëm ndaj Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës, pra Serbia, nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, pra Kosova është nën masa është dëshmia më e qartë e kësaj mungese të balancit. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetreflektojmë për rrugën e deritanishme dhe të mendojmë se si mund t’i bëjmë gjërat edhe më mirë. Më duhet të theksoj me keqardhje që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, jam ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulta që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet, të diskutohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet në dorë as Lajçakut, e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar asnjëherë që unë kam kërkuar themelim të asociacionit. Por, ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtete jo njohëse. Kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, ku mbrohet sovraniteti, ku mbrohen kufijtë dhe ku mbrohet funksionaliteti i shtetit shumë më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa ekspertë të jashtëm që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë. Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët me lloj-lloj shpifjesh, se kam shitur interesat e vendit. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodhë edhe këto ditë me lloj-lloj shpifjesh të ulta, se kinse Presidentja paska kërkuar nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes. Kjo është gënjeshtër!

Ajo çfarë kam thënë është shumë qartë:

1. Që zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm e vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe kur njëra tërhiqet sipas të drejtës ndërkombëtare tjetra nuk ka obligim ligjor që ta zbatojë;

2. Si alternativë, si Presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do ta zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, gjë që unë jam e bindur që edhe në qoftë se e nënshkruajnë nuk e zbatojnë, siç dëshmohet me mbi 40 marrëveshje të tjera që i kanë nënshkruar dhe kurrë nuk i kanë zbatuar, atëherë besoj që do duhej të diskutonim me aleatët tanë zbatimin e pjesës sonë, vetëm e vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare të nënshkruara, që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata të tjera ndërkombëtare, garanci të sigurisë nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale të sigurisë, si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë shumë troç, ajo që kam thënë është se: Më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë, ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë.

Të nderuar deputetë, qytetarë dhe të ftuar,

Si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, vazhdimisht kam bërë thirrje dhe jam angazhuar që rritja e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë të ndërtohet mbi parimin e profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë.

Një thirrje e tillë është veçanërisht jetike në raport me rastet e dhunës në baza gjinore. Është tragjike, e dhimbshme dhe tejet shqetësuese që edhe në vitin që po lëmë pas, gra dhe vajza të shumta vazhduan të jenë viktima të dhunës në baza gjinore e në mesin e tyre, disa përfunduan me fatalitet. Burrat po i vrasin gratë e dhuna ka gjetur strehë nën shumë çati të vendit tonë. Këtyre vajzave e grave ua kemi borxh të punojmë më mirë, më shumë, më mençur, më shpejtë, sepse përjetimet e tyre mund të jenë nesër përjetimet e dikujt në këtë sallë apo të atyre që i kemi më për zemër.

Prandaj, forcimi i të gjitha strukturave dhe të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për ta luftuar këtë fenomen është esencial. Një sistem drejtësie i qëndrueshëm nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një ndër faktorët thelbësor në përpjekjet tona për të eliminuar dhunën, e sidomos dhunën në baza gjinore. Duke siguruar përgjegjësi për autorët e veprave të tilla dhe duke garantuar dënimin e merituar për ta, si dhe duke ofruar drejtësi për të mbijetuarit e mbështetje, krijojmë kushte për një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë.

E kur flasim për funksionimin demokratik të institucioneve, parimi i ndarjes së pushteteve është një ndër vlerat themelore të rendit tonë kushtetues, i mishëruar në Kushtetutën e Republikës sonë. Sikur në të gjitha proceset e tjera, është esenciale që të gjitha institucionet të angazhohen aktivisht që gjatë procesit të vendimeve, ligjbërjes e të tjera, të ruhen pakompromis këto vlera mbi të cilat është ndërtuar sistemi ynë kushtetues.

Këtë e ka ritheksuar disa herë tashmë edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në një numër aktgjykimesh, ku theksohet detyrimi i institucioneve që sidomos gjatë hartimit dhe nxjerrjes së ligjeve të ndiqet fryma kushtetuese dhe të respektohet fushëveprimtaria e institucioneve kushtetuese. Duke u udhëhequr pikërisht nga kjo vlerë dhe ky parim thelbësor, këtë javë ia kam kthyer për rishqyrtim këtij Kuvendi dy nga ligjet e miratuara së fundmi. Shpresoj që bazuar në arsyetimin e dhënë, Kuvendi do t’i bëjë ndryshimet e nevojshme në mënyrë që së bashku t’i mbrojmë interesat legjitime të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë.

Të dashur qytetarë,

Nga të gjitha përgjegjësitë që më mvishen në rolin e Presidentes, ajo që më nderon më së shumti e që më mban përherë të përgjegjshme është përfaqësimi juaj, i interesave dhe aspiratave tuaja.

Që nga fillimi i mandatit tim, jam angazhuar për paraqitjen e një imazhi pozitiv, një imazhi të drejtë e të merituar të Kosovës. Vendi ynë është shumë më shumë se sa zhvillimet qe ndërlidhen me dialogun me Serbinë. Janë mbi të gjitha vajzat e djemtë e ri, të cilët janë bartës të sukseseve të jashtëzakonshme e të projekteve e nismave që meritojnë të njihen nga mbarë bota. Por, mbi të gjitha, kam punuar në vazhdimësi për fuqizimin e grave, përfshirjen e tyre më të madhe në jetën publike dhe politike dhe dëgjimin e zërit të tyre në arena të shumta.

I jam kushtuar posaçërisht fuqizimit të zërit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës – zëra që për një kohë u lanë nën hije. Historitë e tyre janë histori të dhimbjes dhe guximit, histori vuajtjesh që kërkojnë njohje dhe drejtësi. Duke e bartur rrëfimin e tyre gjithandej botës, kam potencuar se paqja dhe progresi janë të paplota pa i adresuar traumat që mbeten trashëgimi të së kaluarës.

Nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e deri të Parlamenti Evropian, kam paraqitur dhimbjen por edhe shembullin e jashtëzakonshëm dhe forcën e të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovë. Këto momente i kujtojnë botës se të mbijetuarit e krimeve serbe nga koha e luftës nuk janë thjesht statistika apo tragjedi të harruara, por janë gra, fëmijë, pleq, janë fytyra, jetë, historitë e të cilëve kërkojnë të tregohen dhe dinjiteti i të cilëve duhet mbrojtur, duke luftuar për drejtësi e duke i mbajtur përgjegjës autorët e krimeve.

Përpjekjet për të krijuar një mjedis më të sigurt, më paqësor dhe më prosperues për gratë dhe vajzat, janë intensifikuar me angazhimin e rregullt për përmbushjen e objektivave të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Këto arritje janë dëshmi e angazhimit tonë kolektiv, përkushtimit dhe besimit të palëkundur se fuqizimi i grave është thelbësor për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme.

Këtë vit, në zemër të Evropës, në vendin që ka kaluar dhimbjen e luftës dhe ka shndërruar dhimbjen në shpresë, organizuam edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Me këtë Forum, Kosova jo vetëm që i sjelli sytë e botës kah ne, por po ndihmon në krijimin e një fryme të re për fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjithë botën. Mbi 2000 pjesëmarrës dhe më shumë se 100 folës nga mbi 40 vende të botës, të mbledhur në Prishtinë e të fokusuar për të bërë zgjidhje globale për gratë dhe vajzat dhe përfshirjen e tyre në procese të paqes dhe sigurisë.

Si rezultat i këtij angazhimi, Kosova është përzgjedhur nga Zyra e Sekretarit Amerikan të Shtetit si i vetmi vend në Evropë, dhe nga tre vendet në mbarë botën për hapjen e qendrës së ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kjo është një dëshmi e pastër e fuqizimit të Kosovës dhe të angazhimit të saj për të avancuar barazinë gjinore dhe sigurinë kombëtare. E përveç kësaj, përgjatë tërë vitit sikurse edhe çdo herë tjetër, angazhimi im i vazhdueshëm ka qenë që të bashkëpunoj afër dhe t’ju ofroj mbështetje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, përderisa funksionimi është në përputhje të Kushtetutës dhe të interesave qytetare.

Le të vazhdojmë të ecim përpara me vendosmëri dhe të frymëzojmë njëri-tjetrin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Kosova ka dëshmuar se është e gatshme të marrë përgjegjësinë dhe të luajë një rol udhëheqës në agjenda botërore. Së bashku, mund të vazhdojmë të hapim kapituj të ri që i kontribuojnë ndërtimit të paqes e stabilitetit, të përqendruar në barazi dhe gjithëpërfshirje.

Të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë, të nderuar të pranishëm

Besoj fuqishëm se fatet e shteteve dhe kombeve janë të lidhura ngushtë me vizionin e liderëve të tyre. Ajo që më bën gjithmonë krenare për Kosovën është se, që nga koha e Presidentit Rugova e deri në ditët e sotme, edhe pse ka pasur shumë ndasi politike, ne kemi qëndruar të bashkuar rreth një qëllimi: vizioni për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të integruar plotësisht në familjen euroatlantike.

Ky është orientimi ynë i padiskutueshëm, i konfirmuar qartë me rezultatet e anketave nga institutet më prestigjioze, si ato ndërkombëtare ashtu edhe ato vendore. 97% e qytetarëve tanë besojnë në të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Andaj, drejtimi ynë është i qartë: na mbetet të punojmë fort për të arritur sa më shpejt në këtë destinacion.

Derisa viti 2024 po mbyllet, kam shpresë të palëkundur për të ardhmen tonë.

Ky vit që po lëmë pas ishte sfidues, por ka dëshmuar këmbëngulësinë tonë sa i përket ambicieve për një Kosovë më të zhvilluar, më të afirmuar ndërkombëtarisht, të mbrojtur në çdo cep të saj dhe më të denjë për secilin qytetar.

Uroj që viti i ri të sjellë një frymë bashkëpunimi më të madh, mirëkuptimi më të madh të ndërsjellë dhe një përkushtim të palëkundur mbi të gjitha për Kosovën tonë, atdhe të përhershëm!

Të nderuar deputetë, puna juaj në Kuvend është themeli mbi të cilin ndërtohet demokracia jonë. Përkushtimi juaj për t`i përfaqësuar qytetarët, për të debatuar idetë dhe për t`i hartuar ligjet do ta udhëheqë punën tuaj edhe më tutje.

Kosova për herë të parë që nga pavarësia do t`i mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare, ndaj presim që ato si gjithnjë të jenë të lira, transparente dhe me integritet. Por ne nuk duhet të mjaftohemi me kaq. Duhet të synojmë të bëjmë hapa që edhe më shumë të forcojmë demokracinë tonë elektorale. Prandaj edhe kam ftuar misionin vëzhgues të Bashkimit Evropian që në veçanti të angazhohet në monitorimin e respektimit të barazisë gjinore dhe të drejtave të personave me nevoja të veçanta në këtë proces zgjedhor. I ftoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor, që të ruajnë standardet më të larta të demokracisë, që të avancojnë pjesëmarrjen e grave në këtë proces me synim të arritjes së barazisë së plotë gjinore, që bashkërisht të luftojmë dezinformatat dhe propagandën, të cilat kanë për qëllim jo vetëm ta dobësojnë demokracinë, por ta dobësojnë shtetin tonë. Mbi të gjitha, mos të harrojmë asnjëherë se në politikë jemi për qytetarët.

Qytetarët janë zemra e këtij shteti, përfshi edhe mërgatën tonë e cila jep një kontribut të pazëvendësueshëm. Këmbëngulja e qytetarëve tanë, puna e tyre e palodhur dhe shpresa e tyre për një të ardhme më të mirë janë ato që na shtyjnë të ecim përpara.

Prandaj, qoftë viti 2025 një vit i shënuar me unitet dhe arritje për Republikën tonë, ku ne vazhdojmë ta shkruajmë historinë e Kosovës me krenari dhe shpresë.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.