Grupi Punues për Barazi Gjinore i themeluar në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut mbajti takimin e radhës, në të cilin u prezantuan dy bashkëpunimet e fundit të krijuara me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, konkretisht njëra me Qeverinë Kanadeze nëpërmjet programit TAP-EDM dhe tjetra me Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI).
Gjatë takimit, ekspertët e angazhuar nga projekti TAP-EDM, prezantuan qëllimin kryesor të bashkëpunimit me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, së bashku me rezultatet që priten të arrihen deri në fund të këtij partneriteti. Qëllimi kryesor i partneritetit mes Zyrës së Presidentes dhe Qeverisë Kanadeze është ndërtimi i sistemeve me bazë të të dhënave që njihen ndërkombëtarisht për të adresuar dhunën me bazë gjinore. Këto sisteme të të dhënave do të ndihmojnë në identifikimin e politikave me bazë në evidenca, rrjedhimisht synimi është që politikat për adresimin e dhunës me bazë gjinore të jenë sa më efikase dhe të drejta.
Në vazhdim të takimit, si pjesë e partneritetit me IRI, së bashku me ekspertët e angazhuar, anëtarët e Grupit diskutuan mbi fushat prioritare ku ka nevojë për avancim në barazi gjinore siç janë pjesëmarrja e grave në jetën politike dhe publike, buxhetimi i ndërgjegjshëm gjinor, kultura, arsimi, gjyqësori, dhe fusha të tjera të rëndësishme.
Ky partneritet, i cili është në fazën e dytë të tij, përfshin rishikimin e ligjeve dhe politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe pjesëmarrjen aktive të grave në këto fusha dhe propozimin e ndryshimeve për të siguruar mundësi të barabarta dhe pjesëmarrjen e grave në të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike të Kosovës.
Në fund të takimit, anëtarët diskutuan mbi tema të ndryshme të interesit të përbashkët me fokus barazinë gjinore në Kosovë.