Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të grupit Labour Friends of Kosovo nga Mbretëria e Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim një delegacion të grupit Labour Friends of Kosovo nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët i ka uruar për fitoren e partisë së tyre në zgjedhjet e fundit. Sipas Presidentes Osmani, themelimi i këtij grupi është një moment i rëndësishëm në raportet ndërmjet të dy shteteve dhe se do të luaj rol të rëndësishëm në partneritetin e qëndrueshëm midis të dy shteteve. Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për përkushtimin e palëkundur në mbështetjen e Kosovës, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për paqe dhe stabiliteti në rajon. “Me Laburistët erdhi liria”, ka cituar Presidentja Osmani fjalët e ish-kryeministrit Tony Blair në vitin 1999, ndaj në këtë kontekst ka potencuar domosdoshmërinë e vazhdimit të mbështetjes së Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Presidentes Osmani, një Kosovë e sigurt dhe e qëndrueshme kontribuon drejtpërdrejt në një Evropë më të sigurt. Andaj, ka potencuar që në fushën e bashkëpunimit bilateral, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë duhet të ketë fokus të veçantë. Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë dhe në dobi të qytetarëve në të dy shtetet.
Prononcimi i Presidentes Vjosa Osmani për Agjencinë e lajmeve “KosovaPress”

Fjalimi i Presidentes Osmani në 25 vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, situatën aktuale të sigurisë në vend, forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe ndryshimet në administratën amerikane pas zgjedhjeve të fundit. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen historike bipartizane dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, si dhe nënvizoi angazhimin e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Në raport me ndryshimet në administratën amerikane si rezultat i zgjedhjeve të fundit, Presidentja Osmani përsëriti urimet e Kosovës për Presidentin Trump dhe kabinetin e tij, teksa theksoi se aleanca e Kosovës me SHBA-të është ekzistenciale, ndaj shfaqi shpresën që edhe me administratën e re do të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dhe se Kosova edhe më tej do të mbetet në fokusin amerikan.
Presidentja Osmani priti në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi

Në funksion të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi për të diskutuar rreth përgatitjeve për procesin zgjedhor për zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në ketë takim, mes tjerash Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që procesi zgjedhor të jetë një proces i drejtë, transparent, me integritet, dhe i bazuar në Kushtetutë dhe ligj. Z. Radoniqi e njoftoi Presidenten për përgatitjet që KQZ-ja po bën lidhur me administrimin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjithë qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e votës, në një proces zgjedhor të ligjshëm dhe transparent.
Presidentja Osmani priti në takim gjeneralin Wesley K. Clark

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim gjeneralin Wesley K. Clark, ish-komandant suprem i NATO-s për Evropë, i cili udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, e cila luajti një rol të rëndësishëm për lirinë e Kosovës. “Vendosmëria dhe lidershipi juaj i kontribuuan lirisë së Kosovës, duke siguruar një të ardhme ku dinjiteti mbizotëron mbi frikën dhe shtypjen”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në takim me gjeneralin Clark, Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës ndër vite, duke vënë në dukje punën e vazhdueshme për ta forcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare, sikurse edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Sipas Presidentes Osmani e ardhmja e Kosovës është e qartë në synimin për integrimin euroatlantik dhe partneritet të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara.
Presidentja Osmani ka takuar mbrëmë në darkë pune komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar mbrëmë në një darkë pune, komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin u diskutuan çështje të sigurisë në vend. Në këtë takim, Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit. Në këtë linjë, Presidentja Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë. Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023. Ndër të tjera, në këtë takim, Presidentja Osmani dhe komandanti Barduani pohuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke pranuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë bazë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.
Presidentja Osmani priti në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin. Në këtë takim, Presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe ka theksuar se Kosova aktualisht është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ndaj pranimi me të drejta të plota në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare Frankofonisë është jo vetëm një prioritet kyç, por edhe hap thelbësor për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përbashkëta të vendeve frankofone Presidentja Osmani e ka njoftuar delegacionin edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se Kosova tashmë është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë.
Presidentja Osmani në takim me drejtues të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës: Hulumtimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, torturës dhe krimeve të tjera, me rëndësi për dokumentimin e të vërtetës dhe për drejtësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi. Sipas Presidentes Osmani, hulumtimi i krimeve të kryera në kohë lufte, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e gjenocidit, torturës dhe krimet e tjera, është tejet me rëndësi për t`u dokumentuar, arkivuar dhe për t’u siguruar që e vërteta të mbrohet me qëllim të vënies së drejtësisë, si dhe të ruhet e të jetë në shërbim të brezave të ardhshëm. “Puna e Institutit është angazhim i rëndësisë historike për ne si komb dhe si shtet”, theksoi Presidentja Osmani, duke nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet IKKL-së dhe institucioneve lokale e atyre ndërkombëtare. Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i IKKL-së, i dorëzoi Presidentes Osmani Raportin Vjetor të Punës së Institutit, me ç’rast Presidentja ritheksoi përkrahjen e palëkundur të Presidencës për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.
Presidentja: Stërvitja “Ujku i Çeliktë”, është demonstrim i qëndrueshmërisë, guximit dhe shpirtit të ushtrisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përcjell sot ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Stërvitja “Ujku i Çeliktë”, nga Regjimentit i Dytë i Këmbësorisë së Forcave Tokësore të FSK-së , është demonstrim i qëndrueshmërisë, guximit dhe shpirtit të ushtrisë sonë. Krenarë me vajzat dhe djemtë e Ushtrisë sonë, të cilët Kosovën e kanë mbi të gjitha!