Fjalimi i Presidentes Osmani në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Stërvitjen “Ujku i Çeliktë”

I nderuar Kryeministër i Republikës, z. Kurti, I nderuar komandant i FSK-së, Gjenerallejtenant Bashkim Jashari, I nderuar Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Të nderuar oficerë, nënoficerë e ushtarakë të FSK-së, Të nderuar diplomatë e ushtarakë të vendeve mike, Të nderuar të pranishëm, Po rikthehemi përsëri mes jush në zonën e operacionit të stërvitjes së Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për ushtrimin tuaj tejet impresiv, i cili na mbushi me emocion, motiv, energji dhe forcë, ndaj ju tregojmë sot se jemi të gjithë shumë krenarë me ju! Ushtarakë e ushtarake të Ushtrisë sonë, Stërvitja fushore “Ujku i Çeliktë” është më shumë se një test shkathtësie, një demonstrim i qëndrueshmërisë, guximit dhe shpirtit të ushtrisë sonë, e cila nuk zbrapset asnjëherë, pavarësisht sfidave. Nëpërmjet manovrave sulmuese, fortifikimeve mbrojtëse dhe operacioneve të stabilitetit, ju dëshmuat sot përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës në çdo cep. “Ujku i çeliktë” personifikon instinktin e mprehtë dhe guximin e paepur të secilit prej jush gjatë këtij ushtrimi. Ju mishëroni këtë frymë, teksa ushtrimi juaj sot pasqyron sfidat më komplekse në fushëbetejë. Me operacionet sulmuese gjatë këtij ushtrimi, ju shfaqët shkathtësinë dhe guximin që kërkohet për ta tejkaluar çdo kërcënim. Me operacionet tuaja mbrojtëse, ju treguat se përballë çfarëdo rreziku, nuk lëkundeni, por përkundrazi, qëndroni fuqishëm e bashkërisht. Nëpërmjet operacioneve të stabilitetit, ju na kujtoni të gjithëve se forca e vërtetë nuk është vetëm në betejë, por edhe në krijimin e besimit. Këto aftësi janë jetike jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por për sigurinë dhe stabilitetin edhe të aleancave globale. Çdo ushtrim i juaji, çdo vendim strategjik që merrni dhe çdo përpjekje ekipore me të cilën koordinoni dhe forconi partneritetin me aleatët tanë, ju përgatiteni për t`i mbrojtur vlerat tona të përbashkëta – lirinë, demokracinë dhe paqen. “Ujku i Çeliktë” le të jetë një kujtesë se ne nuk stërvitemi vetëm për përballjet e sotme, por përgatitemi edhe për sfidat e së nesërmes. Ju stërviteni dhe validoheni për të qenë gati kurdoherë që shtrohet nevoja për t`i dalë zot atdheut. Të nderuar ushtarakë, Ju sot me demonstrimin tuaj, dëshmuat fuqishëm se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror i Republikës sonë mbrohen me Ushtrinë e saj, me aftësitë dhe kapacitetet operacionale e në ndërveprueshmëri të plotë me forcat aleate. Sot dëshmuat edhe njëherë fuqishëm se Ushtrinë tonë kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar me aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale, sipas standardeve më të larta të vendeve të NATO-s, dhe konfirmuat fuqishëm se jemi të gatshëm të marrim pjesë efektivisht edhe në operacione shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, e atij global. Ky vullnet dhe përkushtim do të intensifikohet edhe më shumë në përgatitjet tona për Stërvitjet e ardhshme “Defender-Europe’25”. Në ushtrimin e sotëm fushor marshuat përpara me besim, u stërvitët me shpirt, sepse nga stërvitja e sotme, farkëtohen heronjtë e nesërm. Së bashku, ne jemi të përgatitur, jemi më të fortë, jemi më të qëndrueshëm dhe jemi triumfues! Zoti i bekoftë të gjithë ushtarët e Kosovës! Zoti e bekoftë Ushtrinë e Republikës sonë! Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatët e saj! Faleminderit!

Presidentja Osmani priti në takim rektorin e Universitetit të Prishtinës, Dr.Arben Hajrullahu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim rektorin e Universitetit të Prishtinës, dr.Arben Hajrullahu, të cilin e uroi për marrjen e pozitës në krye të Universitetit të Prishtinës. Gjatë takimit, Presidentja u njoftua nga afër me sfidat të cilat përballet UP-ja. Presidentja Osmani e falënderoi rektorin Hajrullahu për përpjekjet për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe shprehu përkrahjen e plotë të Presidencës drejt avancimit dhe fuqizimit të Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë këtu edhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Këshilltari ushtarak i Presidentes Osmani, gjeneral brigade Sefer Isufi, mori pjesë në ceremoninë vjetore tradicionale të Ditës së Përkujtimit, organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë

Në ceremoninë vjetore tradicionale të Ditës së Përkujtimit, organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, në emër të Presidentes Vjosa Osmani, krahas personaliteteve tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare, mori pjesë këshilltari i saj ushtarak, gjeneral brigade dr. Sefer Isufi. Me këtë rast, gjeneral Isufi, ambasadorit britanik në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves, i përcolli mesazhin e falënderimit, mirënjohjes dhe vlerësimit më të lartë të Presidentes Osmani, për të gjithë ushtarakët britanikë që dhanë jetën në Kosovë dhe në mbarë botën në shërbim të paqes sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave më të larta të lirisë e demokracisë. “Përkulemi përjetësisht për ta, familjet e tyre dhe gjithë forcat mike britanike që sakrifikuan e sakrifikojnë për sigurinë e vendit tonë, si dhe paqen dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani, të transmetuar nga gjeneral brigade Isufi.

Presidentja Osmani takoi presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Me presidentin Rumen Radev, diskutuam për bashkëpunimin në politikën e jashtme, në fushën e mbrojtjes, arsimit, si dhe për mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Presidentja Osmani takoi kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden. “Kosova dhe Luksemburgu ndajnë përkushtimin e përbashkët për t`i forcuar marrëdhëniet dhe për t`i hapur kapitujt e rinj të bashkëpunimit. Në takim me kryeministrin Luc Frieden, theksova nevojën e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në BE, bazuar në merita”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani takoi presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda: Lituania do të vazhdojë të na mbështesë edhe më tej për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në takim me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda, e falënderova dhe ritheksova përkushtimin e Kosovës për thellimin e raporteve bilaterale. Mora konfirmimin e tij se Lituania do të vazhdojë të na mbështesë edhe më tej për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Presidentja Osmani takoi Kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Budapest është takuar me Kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Budapest, zhvillova një takim produktiv me Kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo. Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, si dhe mbështetjen për rrugëtimin euroatlantik të shtetit tonë. Përkushtimi ynë i përbashkët është thellimi i bashkëpunimit ndërshtetëror në dobi të qytetarëve të të dy shteteve.

Presidentja Osmani takoi kryeministrin belg Alexander De Croo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në samitin e Komunitetit Politik Evropian, u takua me kryeministrin belg Alexander De Croo. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në samitin e Komunitetit Politik Evropian, pata kënaqësinë të takohem edhe me kryeministrin belg Alexander De Croo, të cilit i shpreha mirënjohje për mbështetjen e palëkundur të Belgjikës për Kosovën. Gjithashtu, theksova rëndësinë e përmbylljes me sukses të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe heqjes së masave ndaj Kosovës si një hap i domosdoshëm për të përparuar në rrugën tonë evropiane.

Presidentja Osmani takoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. “Diskutime të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe rolin e kontributin e KFOR-it për paqe e siguri në vendin tonë”, ka shkruar Presidentja.

Presidentja Osmani takoi Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen. “Me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, vazhdim i diskutimeve që i filluam gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë, para më pak se dy javësh”, ka shkruar Presidentja Osmani.

This site is registered on wpml.org as a development site.