DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Stërvitjen “Ujku i Çeliktë”

I nderuar Kryeministër i Republikës, z. Kurti,

I nderuar komandant i FSK-së, Gjenerallejtenant Bashkim Jashari,

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,

Të nderuar oficerë, nënoficerë e ushtarakë të FSK-së,

Të nderuar diplomatë e ushtarakë të vendeve mike,

Të nderuar të pranishëm,

Po rikthehemi përsëri mes jush në zonën e operacionit të stërvitjes së Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për ushtrimin tuaj tejet impresiv, i cili na mbushi me emocion, motiv, energji dhe forcë, ndaj ju tregojmë sot se jemi të gjithë shumë krenarë me ju!

Ushtarakë e ushtarake të Ushtrisë sonë,

Stërvitja fushore “Ujku i Çeliktë” është më shumë se një test shkathtësie, një demonstrim i qëndrueshmërisë, guximit dhe shpirtit të ushtrisë sonë, e cila nuk zbrapset asnjëherë, pavarësisht sfidave.

Nëpërmjet manovrave sulmuese, fortifikimeve mbrojtëse dhe operacioneve të stabilitetit, ju dëshmuat sot përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës në çdo cep.

“Ujku i çeliktë” personifikon instinktin e mprehtë dhe guximin e paepur të secilit prej jush gjatë këtij ushtrimi.

Ju mishëroni këtë frymë, teksa ushtrimi juaj sot pasqyron sfidat më komplekse në fushëbetejë.

Me operacionet sulmuese gjatë këtij ushtrimi, ju shfaqët shkathtësinë dhe guximin që kërkohet për ta tejkaluar çdo kërcënim. Me operacionet tuaja mbrojtëse, ju treguat se përballë çfarëdo rreziku, nuk lëkundeni, por përkundrazi, qëndroni fuqishëm e bashkërisht.

Nëpërmjet operacioneve të stabilitetit, ju na kujtoni të gjithëve se forca e vërtetë nuk është vetëm në betejë, por edhe në krijimin e besimit.

Këto aftësi janë jetike jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por për sigurinë dhe stabilitetin edhe të aleancave globale.

Çdo ushtrim i juaji, çdo vendim strategjik që merrni dhe çdo përpjekje ekipore me të cilën koordinoni dhe forconi partneritetin me aleatët tanë, ju përgatiteni për t`i mbrojtur vlerat tona të përbashkëta – lirinë, demokracinë dhe paqen.

“Ujku i Çeliktë” le të jetë një kujtesë se ne nuk stërvitemi vetëm për përballjet e sotme, por përgatitemi edhe për sfidat e së nesërmes.

Ju stërviteni dhe validoheni për të qenë gati kurdoherë që shtrohet nevoja për t`i dalë zot atdheut.

Të nderuar ushtarakë,

Ju sot me demonstrimin tuaj, dëshmuat fuqishëm se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror i Republikës sonë mbrohen me Ushtrinë e saj, me aftësitë dhe kapacitetet operacionale e në ndërveprueshmëri të plotë me forcat aleate.

Sot dëshmuat edhe njëherë fuqishëm se Ushtrinë tonë kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar me aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale, sipas standardeve më të larta të vendeve të NATO-s, dhe konfirmuat fuqishëm se jemi të gatshëm të marrim pjesë efektivisht edhe në operacione shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, e atij global.

Ky vullnet dhe përkushtim do të intensifikohet edhe më shumë në përgatitjet tona për Stërvitjet e ardhshme “Defender-Europe’25”.

Në ushtrimin e sotëm fushor marshuat përpara me besim, u stërvitët me shpirt, sepse nga stërvitja e sotme, farkëtohen heronjtë e nesërm.

Së bashku, ne jemi të përgatitur, jemi më të fortë, jemi më të qëndrueshëm dhe jemi triumfues!

Zoti i bekoftë të gjithë ushtarët e Kosovës!

Zoti e bekoftë Ushtrinë e Republikës sonë!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatët e saj!

Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.