Në ceremoninë vjetore tradicionale të Ditës së Përkujtimit, organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, në emër të Presidentes Vjosa Osmani, krahas personaliteteve tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare, mori pjesë këshilltari i saj ushtarak, gjeneral brigade dr. Sefer Isufi.
Me këtë rast, gjeneral Isufi, ambasadorit britanik në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves, i përcolli mesazhin e falënderimit, mirënjohjes dhe vlerësimit më të lartë të Presidentes Osmani, për të gjithë ushtarakët britanikë që dhanë jetën në Kosovë dhe në mbarë botën në shërbim të paqes sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave më të larta të lirisë e demokracisë.
“Përkulemi përjetësisht për ta, familjet e tyre dhe gjithë forcat mike britanike që sakrifikuan e sakrifikojnë për sigurinë e vendit tonë, si dhe paqen dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani, të transmetuar nga gjeneral brigade Isufi.