Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi.
Sipas Presidentes Osmani, hulumtimi i krimeve të kryera në kohë lufte, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimet e gjenocidit, torturës dhe krimet e tjera, është tejet me rëndësi për t`u dokumentuar, arkivuar dhe për t’u siguruar që e vërteta të mbrohet me qëllim të vënies së drejtësisë, si dhe të ruhet e të jetë në shërbim të brezave të ardhshëm.
“Puna e Institutit është angazhim i rëndësisë historike për ne si komb dhe si shtet”, theksoi Presidentja Osmani, duke nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet IKKL-së dhe institucioneve lokale e atyre ndërkombëtare.
Në këtë takim, drejtori ekzekutiv i IKKL-së, i dorëzoi Presidentes Osmani Raportin Vjetor të Punës së Institutit, me ç’rast Presidentja ritheksoi përkrahjen e palëkundur të Presidencës për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.