Presidentja Osmani përkujton 26 vjetorin e Masakrës në Rogovë të Hasit

Më 27, 28 dhe 29 janar 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit kryen një ofensivë brutale në fshatrat Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës, duke vrarë në mënyrë mizore 9 civilë të pafajshëm. Në këtë betejë për liri, ranë heroikisht edhe 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo masakër mbetet një plagë e pashlyeshme në kujtesën tonë kombëtare dhe një dëshmi e dhunës së pamëshirshme ndaj popullit tonë. Sot dhe përherë, do t’i nderojmë dëshmorët e UÇK-së dhe martirët, duke ruajtur kujtimin për ta, si simbol të qëndresës dhe sakrificës për liri.
Presidentja Osmani në Poloni me rastin e përkujtimit të Aushvicit: Kosova, e ndërtuar mbi historinë e dhimbshme të luftës dhe gjenocidit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të Auschwitz-Birkenau në Krakow të Polonisë, krahas liderëve botërorë. Kjo është hera e parë që kreu i shtetit merr pjesë në këtë ngjarje përkujtimore, duke dëshmuar përkushtimin e Kosovës për paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar. Në fillim të ceremonisë, Presidentja Osmani u prit nga presidenti polak, Andrzej Duda. Ajo shprehu mirënjohje për ftesën dhe potencoi rëndësinë e kujtesës historike për krimet e kryera. Kujtimet e disa të mbijetuarve nga kampi Auschwitz-Birkenau sollën rrëfime tronditëse nga kampi i tmerrit me mesazhin e qartë që e shkuara e tyre të mos jetë e ardhmja e fëmijëve tanë. Në përkujtim të kësaj dite, gjatë bisedave me liderët e tjerë, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e kujtesës historike për të parandaluar përsëritjen e tmerreve të së kaluarës dhe për t`i promovuar vlerat universale të paqes, barazisë dhe humanizmit. Presidentja Osmani nënvizoi përvojën e tmerrshme të Kosovës, e cila e ka përjetuar luftën dhe gjenocidin nga ana e regjimit të Millosheviqit, duke theksuar se kjo përvojë e bën Kosovën një zë të fuqishëm në luftën kundër urrejtjes dhe diskriminimit. “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton se duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo forme urrejtjeje dhe të sigurohemi që kurrë më të mos përsëriten tmerret e së kaluarës. Kosova, e cila ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Millosheviqit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe angazhimin për një të ardhme më humane dhe të drejtë”, theksoi Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja potencoi kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve gjatë Holokaustit, duke kujtuar se ata hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë, bazuar në vlerat e besës shqiptare, një akt që mbetet dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe solidaritetit.
Presidentja Osmani, krahas liderëve botërorë merr pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist Aushvic

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Poloni për të marrë pjesë, krahas liderëve botërorë, në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist gjerman të përqendrimit dhe shfarosjes Aushvic. Gjatë ceremonisë, në përkujtim të viktimave të Holokaustit, me pjesëmarrësit do të ndahen rrëfimet prekëse të dy të mbijetuarve nga kampi i Aushvicit, duke rikujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore. Aushvici është simbol i Holokaustit dhe mizorive të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara shpallën 27 janarin Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, për t`i kujtuar viktimat dhe për ta nxitur botën që të angazhohet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e tmerreve të tilla.
Presidenca e Republikës së Kosovës uron dhe mbështetë nominimin e QKRMT dhe znj. Feride Rushiti për çmimin Nobel për Paqe

Presidenca e Republikës së Kosovës e uron dhe mbështetë nominimin e QKRMT dhe znj. Feride Rushiti për çmimin Nobel për Paqe dhe e përgëzon atë dhe organizatën QKRMT, të cilën ajo e udhëheq prej disa vitesh. Organizata QKRMT, është mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi nga Presidenca e Kosovës, si dhe, ndër vite, ka qenë ndër partnerët kryesor në organizimin e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e po kështu në avancimin e kësaj agjende në Kosovë. Kjo organizatë, jo vetëm që ka kontribuar në procesin e rehabilitimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por kanë luajtur rol kyç në ndërtimin e politikave që mbështesin përmirësimin e mirëqenies dhe statusit të kësaj kategorie në shoqërinë tonë. KRCT, përpos kontributit të dhënë në Kosovë, njihet si ndër organizatat që ndihmojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe konfliktit në shtete të ndryshme në botë, përderisa ndajnë eksperiencën e Kosovës për ndërtimin e mekanizmave mbështetës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Një falënderim i veçantë shkon edhe për deputetin suedez, Magnus Jacobsson, i cili ka dorëzuar propozimin tek Komiteti Nominues i çmimit Nobel për Paqe. Për më tepër, ai personalisht ishte pjesë e ngjarjeve që përfshinin temën për dhunën seksuale gjatë luftës dhe konfliktit, siç ishte rasti në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja Osmani priti në takim shefa te misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të angazhuara në fushën e drejtësisë tranzicionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim disa nga shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë të cilët janë të angazhuar në fushën e drejtësisë. Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me përgatitjet për procesin e themelimit të Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale. Nisma për themelimin i këtij Komisioni buron nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e të pranishmëve ndaj këtij procesi, si dhe njoftoi se gjatë javëve në vijim do të vazhdojnë takimet edhe me përfaqësues të tjerë nga organizatat përfaqësuese të viktimave, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, me qëllim të finalizimit të fillimit sa më të shpejtë të punës së këtij komisioni.
Presidentja Osmani: Uniforma e policisë është betim për t’i shërbyer atdheut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 61-të, të Policisë së Kosovës. Presidentja Osmani ka shkruar: Uniforma e policisë është betim për t’i shërbyer atdheut, për t’i mbrojtur qytetarët dhe për të qëndruar gjithmonë në anën e drejtësisë. Me guxim, përkushtim dhe ndershmëri, ju jeni forca që e bën Kosovën më të sigurt e më sovrane! Urime Gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës!
Fjalimi i Presidentes Osmani në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 61-të, të Policisë së Kosovës

I nderuar kryeministër Kurti, I nderuar ministër Sveçla, I nderuar drejtor Hoxha, Të nderuar staf drejtues të Policisë së Kosovës dhe staf akademik të Sigurisë Publike, Të dashur zyrtarë e zyrtare të Policisë së Kosovës, Të dashur kadetë të gjeneratës së 61-të Të dashura familje të kadetëve, Të nderuar të pranishëm, Krenaria sot është e jashtëzakonshme, sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë, edhe 462 djem e vajza që do t’i dalin zot atdheut tonë. Rendi dhe siguria janë themeli i një shoqërie të suksesshme. Ndërkaq, këta djem e vajza që kujdesen për rendin dhe sigurinë tonë janë mburoja e paqes dhe e lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për shekuj të tërë. Kjo përkufizon më së miri rolin e Policisë së Kosovës, një institucion që nuk është vetëm zbatues i ligjit, por është mbrojtëse dhe garantuese e lirisë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, pa dallim. Prandaj, ky është një moment i jashtëzakonshëm për vajzat dhe djemtë që prej sot bëhen pjesë e njërës nga institucionet më të rëndësishme, më të respektuara dhe më të besueshme të Republikës sonë. Policia është shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë dhe sigurisë së secilit qytetar, pavarësisht përkatësisë. Me diplomimin e gjeneratës së 61-të, ky institucion fuqizohet edhe më shumë, duke u pasuruar me një brez të ri, që sjell më shumë energji, përkushtim dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë ndaj atdheut. Me 462 policë të rinj, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë, e po ashtu edhe 56 vajza e gra po fuqizohet përfaqësimi në Polici si një vlerë kyçe për një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. E përmenda që në këtë grup janë edhe 56 vajza e gra, por më lejoni ta them na duhen edhe më shumë vajza e gra në Policinë tonë. Mbetet një nevojë e vazhdueshme që t’i fuqizojmë ato në funksion të sigurisë publike të të gjithë qytetarëve tanë. Policia e Kosovës është simbol i sigurisë, profesionalizmit dhe besimit të qytetarëve. Policia jonë është për ne në çdo ditë dhe në çdo orë të ditës e të natës, në festa dhe në ditët më të vështira. Ata janë në detyrë edhe kur ne festojmë, edhe kur ne pushojmë. Ata kujdesen për sigurinë tonë kur ne gëzojmë jetën tonë të përditshme, por edhe në situatat tona më të rënda. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre janë të pashoq dhe për këtë respekti dhe mirënjohja jonë për ta duhet të jenë maksimale. Policia janë themeli i rendit kushtetues dhe një nga shtyllat kryesore të shtetit tonë. Ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke përmbushur një detyrë që buron nga Kushtetuta dhe është jetike për ekzistencën e shtetit tonë. Disa policë tanë, tashmë janë heronj, sepse kanë rënë në krye të detyrës me guxim dhe dinjitet për ta mbrojtur sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. Ata janë shembulli i trimërisë dhe përkushtimit ndaj një misioni që shkon përtej detyrës, duke mishëruar më së miri idealin e shërbimit publik. Sot, prandaj i përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut. I përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit. I përkulemi heroizmit të të gjithë policëve, të cilët ranë në detyrë për ta mbrojtur atdheun tonë të shtrenjtë. Prandaj, mirënjohja dhe respekti për Policinë e Kosovës nuk janë vetëm detyrë morale, por edhe nderim për rolin e tyre vendimtar në mbrojtjen e vendit tonë dhe të ardhmes së tij. Rendi, paqja dhe siguria nuk janë të mirëqena. Ato kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm për t’i ruajtur. Në një botë të trazuar dhe të mbushur me sfida të paparashikueshme është detyra e jonë e përbashkët që të jemi vigjilentë dhe të gatshëm në çdo kohë për t’iu bërë roje atdheut tonë Të nderuar policë, Ju keni kaluar muaj të tërë të trajnimeve intensive, duke sfiduar veten jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Në rrugëtimin që po nisni sot, do të përballeni me sfida të mëdha. Por besoj fuqishëm se ju jeni të përgatitur për të qenë shembull i integritetit dhe i profesionalizmit. Kosova sot është një shtet që aspiron integrimin euro-atlantik, ndaj Policia e Kosovës është një nga shembujt më të ndritur të angazhimit tonë për të ndërtuar institucione që reflektojnë standardet më të larta ndërkombëtare. Ju jeni ata që do ta mbani lart këtë standard dhe do ta përfaqësoni shtetin tonë me krenari. Në këtë ditë, një falënderim nga zemra shkon edhe për familjet tuaja. Për ata që ju kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim, mbi të gjitha, për prindërit tuaj, por edhe të gjithë anëtarët e familjeve! Respekt për familjet që ju kanë mbështetur dhe që edhe sot janë këtu duke ndarë këtë moment krenarie bashkë me ju dhe bashkë me të gjithë ne! Falënderimet tona shkojnë edhe për të gjithë ata që punuan për përgatitjen tuaj, për instruktorët dhe udhëheqësit që ju përgatitën për misionin tuaj të ri. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju shpreh mirënjohje të thellë për vendimin tuaj të guximshëm për t’i shërbyer qytetarëve dhe shtetit tonë. Besoj në gatishmërinë dhe përkushtimin tuaj për ta ruajtur dhe forcuar sigurinë në Kosovë. Ju uroj suksese në këtë rrugëtim fisnik dhe ju siguroj se puna juaj do të vlerësohet dhe respektohet gjithmonë! Zoti ju bekoftë! Zoti e bekoftë Policinë e Kosovës! Ju faleminderit!
Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ruajtur stabilitetin dhe për të çuar përpara reformat demokratike. Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e delegacionit presidencial të Kosovës në aktivitetet inauguruese të Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump. Me këtë rast, Presidentja Osmani edhe njëherë konfirmoi angazhimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar thellimin e partneritetit me administratën e re amerikane, bazuar në vlerat e përbashkëta dhe interesat strategjike.
Presidentja Osmani me mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Pridako

Me pikëllim të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Pridako, e cila jetonte në Prishtinë prej dy vitesh. Olha ishte një zë i guximshëm i gazetarisë dhe një dëshmi e forcës dhe qëndresës në rrethana të vështira. Prania e saj në Kosovë së bashku me djalin e saj Yaroslavin, ishte një shembull i shpirtit human dhe vlerës së lirisë, e cila i lidhë popujt tanë. Në këto çaste të rënda për familjen, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj, veçanërisht për djalin Yaroslavin, koleget e saj që ndodhen në Prishtinë, dhe për të gjithë ata që e njohën! Kujtimi për Olhën do të mbetet gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona!
Delegacioni Presidencial takohet me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof

Dje, gjatë vizitës në Washington D.C., Shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj, dhe Këshilltarja për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof. Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë te Dialogu Strategjik Kosovë-SHBA i cili u arrit me iniciativë të Presidentes, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces, e poashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët. Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Nga ana e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Kasanof, u theksua rëndësia e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa nga Presidenca u ritheksua nevoja që Dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke.