DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 61-të, të Policisë së Kosovës

I nderuar kryeministër Kurti,

I nderuar ministër Sveçla,

I nderuar drejtor Hoxha,

Të nderuar staf drejtues të Policisë së Kosovës dhe staf akademik të Sigurisë Publike,

Të dashur zyrtarë e zyrtare të Policisë së Kosovës,

Të dashur kadetë të gjeneratës së 61-të

Të dashura familje të kadetëve,

Të nderuar të pranishëm,

Krenaria sot është e jashtëzakonshme, sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë, edhe 462 djem e vajza që do t’i dalin zot atdheut tonë.

Rendi dhe siguria janë themeli i një shoqërie të suksesshme. Ndërkaq, këta djem e vajza që kujdesen për rendin dhe sigurinë tonë janë mburoja e paqes dhe e lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për shekuj të tërë.

Kjo përkufizon më së miri rolin e Policisë së Kosovës, një institucion që nuk është vetëm zbatues i ligjit, por është mbrojtëse dhe garantuese e lirisë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, pa dallim.

Prandaj, ky është një moment i jashtëzakonshëm për vajzat dhe djemtë që prej sot bëhen pjesë e njërës nga institucionet më të rëndësishme, më të respektuara dhe më të besueshme të Republikës sonë.

Policia është shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë dhe sigurisë së secilit qytetar, pavarësisht përkatësisë.

Me diplomimin e gjeneratës së 61-të, ky institucion fuqizohet edhe më shumë, duke u pasuruar me një brez të ri, që sjell më shumë energji, përkushtim dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë ndaj atdheut.

Me 462 policë të rinj, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë, e po ashtu edhe 56 vajza e gra po fuqizohet përfaqësimi në Polici si një vlerë kyçe për një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

E përmenda që në këtë grup janë edhe 56 vajza e gra, por më lejoni ta them na duhen edhe më shumë vajza e gra në Policinë tonë. Mbetet një nevojë e vazhdueshme që t’i fuqizojmë ato në funksion të sigurisë publike të të gjithë qytetarëve tanë.

Policia e Kosovës është simbol i sigurisë, profesionalizmit dhe besimit të qytetarëve. Policia jonë është për ne në çdo ditë dhe në çdo orë të ditës e të natës, në festa dhe në ditët më të vështira.

Ata janë në detyrë edhe kur ne festojmë, edhe kur ne pushojmë. Ata kujdesen për sigurinë tonë kur ne gëzojmë jetën tonë të përditshme, por edhe në situatat tona më të rënda.

Sakrifica dhe përkushtimi i tyre janë të pashoq dhe për këtë respekti dhe mirënjohja jonë për ta duhet të jenë maksimale. Policia janë themeli i rendit kushtetues dhe një nga shtyllat kryesore të shtetit tonë. Ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke përmbushur një detyrë që buron nga Kushtetuta dhe është jetike për ekzistencën e shtetit tonë.

Disa policë tanë, tashmë janë heronj, sepse kanë rënë në krye të detyrës me guxim dhe dinjitet për ta mbrojtur sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. Ata janë shembulli i trimërisë dhe përkushtimit ndaj një misioni që shkon përtej detyrës, duke mishëruar më së miri idealin e shërbimit publik.

Sot, prandaj i përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut. I përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit. I përkulemi heroizmit të të gjithë policëve, të cilët ranë në detyrë për ta mbrojtur atdheun tonë të shtrenjtë. Prandaj, mirënjohja dhe respekti për Policinë e Kosovës nuk janë vetëm detyrë morale, por edhe nderim për rolin e tyre vendimtar në mbrojtjen e vendit tonë dhe të ardhmes së tij.

Rendi, paqja dhe siguria nuk janë të mirëqena. Ato kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm për t’i ruajtur. Në një botë të trazuar dhe të mbushur me sfida të paparashikueshme është detyra e jonë e përbashkët që të jemi vigjilentë dhe të gatshëm në çdo kohë për t’iu bërë roje atdheut tonë

Të nderuar policë,

Ju keni kaluar muaj të tërë të trajnimeve intensive, duke sfiduar veten jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Në rrugëtimin që po nisni sot, do të përballeni me sfida të mëdha. Por besoj fuqishëm se ju jeni të përgatitur për të qenë shembull i integritetit dhe i profesionalizmit. Kosova sot është një shtet që aspiron integrimin euro-atlantik, ndaj Policia e Kosovës është një nga shembujt më të ndritur të angazhimit tonë për të ndërtuar institucione që reflektojnë standardet më të larta ndërkombëtare.

Ju jeni ata që do ta mbani lart këtë standard dhe do ta përfaqësoni shtetin tonë me krenari.

Në këtë ditë, një falënderim nga zemra shkon edhe për familjet tuaja. Për ata që ju kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim, mbi të gjitha, për prindërit tuaj, por edhe të gjithë anëtarët e familjeve!

Respekt për familjet që ju kanë mbështetur dhe që edhe sot janë këtu duke ndarë këtë moment krenarie bashkë me ju dhe bashkë me të gjithë ne!

Falënderimet tona shkojnë edhe për të gjithë ata që punuan për përgatitjen tuaj, për instruktorët dhe udhëheqësit që ju përgatitën për misionin tuaj të ri.

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju shpreh mirënjohje të thellë për vendimin tuaj të guximshëm për t’i shërbyer qytetarëve dhe shtetit tonë. Besoj në gatishmërinë dhe përkushtimin tuaj për ta ruajtur dhe forcuar sigurinë në Kosovë.

Ju uroj suksese në këtë rrugëtim fisnik dhe ju siguroj se puna juaj do të vlerësohet dhe respektohet gjithmonë!

Zoti ju bekoftë!

Zoti e bekoftë Policinë e Kosovës!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.