Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Isuf Dedushaj

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Isuf Dedushaj, një prej personaliteteve më të shquara në fushën e epidemiologjisë, shkencës dhe sferës akademike. Ai do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shëndetësisë dhe edukimit mjekësor në Kosovë. Me një karrierë të pasur akademike dhe shkencore, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme si mjek, epidemiolog dhe profesor universitar. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Isuf Dedushajn!
Presidentja Osmani ngushëllon familjet për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës

Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!
Presidentja Osmani i shpreh ngushëllime popullit gjerman për ndarjen nga jeta të ish-presidentit gjerman Köhler: Gjatë mandatit të tij, Gjermania njohu dhe mbështeti pavarësinë e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime popullit gjerman për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Horst Köhler. “Ngushëllimet tona më të thella popullit gjerman për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Horst Köhler. Gjatë mandatit të tij, Gjermania njohu dhe mbështeti pavarësinë e Kosovës – një moment historik për kombin tonë. Ne mbetemi përjetësisht mirënjohës për mbështetjen e tij të palëkundur. Mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin gjerman në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani në 28 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha: Sot, më shumë se kurrë, e kemi për detyrë të mos e harrojmë idealin e tyre

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit, në 28 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Presidentja Osmani ka shkruar: Me respekt dhe krenari e kujtojmë heroin Zahir Pajaziti, vizionarin e luftës çlirimtare, i cili bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, me guxim dhe vendosmëri, krahas edhe shumë bashkëluftëtarëve të UÇK-së, hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës, duke u bërë simbole të sakrificës dhe përkushtimit për atdheun. Sot, më shumë se kurrë, e kemi për detyrë të mos e harrojmë idealin e tyre. Liria për të cilën ata dhanë jetën duhet të mbrohet jo vetëm me kujtimin për ta dhe heronjtë e tjerë të UÇK-së, por me punën, angazhimin dhe përkushtimin ndaj Kosovës, të cilën e ëndërruan dhe për të cilën ranë ata. Lavdi e përjetshme heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani me rastin e shënimit të ditëlindjes së Perandorit Naruhito të Japonisë
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama. Pasi që i ka uruar ambasadorit të ri japonez mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij, Presidentja Osmani ia përcolli gjithashtu urimet e përzemërta me rastin e ditëlindjes së Perandorit Naruhito të Japonisë, e cila sot shënohet nga Ambasada e Japonisë në pritjen e organizuar për nder të kësaj dite. Gjatë takimit, Presidentja Osmani e vlerësoi Japoninë si një partner strategjik afatgjatë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, veçanërisht përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA). Ajo theksoi kontributin e çmuar të Japonisë në zhvillimin e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë mjedisin, çështjet politike e diplomatike, mediat, pajisjet shëndetësore, sigurinë ushqimore, teknologjinë informative etj. Presidentja Osmani, theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit në tregti, investime, kulturë, shëndetësi dhe arsim, duke përmendur edhe projektet e bursave arsimore japoneze dhe programeve të shkëmbimit kulturor për të rinjtë e Kosovës. Ndër të tjera, në këtë takim, Presidentja Osmani diskutoi me ambasadorin Iwama për vizitën e saj të planifikuar dhe dakorduar në Japoni në qershor të këtij viti.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Jordanisë, Hazem Issam El-Khatib Al-Tamimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Jordanisë në Kosovë, Hazem Issam El-Khatib Al-Tamimi. Duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në mandatin e tij, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Jordanisë ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përkrahjes së Jordanisë për Kosovën në forume ndërkombëtare dhe vazhdimin e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në takim me ambasadorin Al-Tamimi, Presidentja Osmani theksoi nevojën për intensifikimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitën zyrtare të Presidentes Osmani në Jordani, bazuar në ftesën nga Mbreti Abdullah II, me qëllim që të thellohen edhe më tej raportet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në hapjen e konferencës “Qëndrueshmëria kombëtare – sfidat dhe rruga përpara”

I nderuar Kryeministër Kurti, I nderuar Ministër Maqedonci, I nderuar Gjeneral Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, I nderuar Gjeneral Christian Nawrat, Të nderuar ministra e ministre, Drejtor i Policisë, Udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, Përfaqësues të institucioneve tona të sigurisë, Zonja dhe zotërinj, Qëndrueshmëria kombëtare nuk është vetëm një koncept teorik, por është themeli mbi të cilin ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet. Një shtet është po aq i sigurt sa janë të forta edhe hallkat e tij të sigurisë. Në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se kurrë – nga luftërat konvencionale tek sulmet hibride dhe sfidat kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes. Na duhet një arkitekturë sigurie që është inovative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar. Kosova ka dëshmuar historikisht qëndrueshmëri, ndaj na takon ta kthejmë atë në një strategji afatgjate për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare. Siguria nuk është vetëm mungesa e kërcënimeve, por qëndrueshmëria kundrejt çfarëdo situate me të cilën përballemi. Programi kombëtar i mbrojtjes gjithëpërfshirëse përfaqëson një angazhim konkret për ta ndërtuar një sistem të fuqishëm mbrojtës dhe të qëndrueshëm. Prandaj, në këtë linjë, edhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse si dhe integrimi në NATO, janë të ndërlidhura fuqishëm njëra me tjetrën. Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve më të larta të NATO-s mbetet prioritet i yni strategjik, kombëtar. Ne synojmë një ushtri moderne, profesionale, të ndërveprueshme dhe të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë krah për krah me ushtritë tjera aleate brenda NATO-s. Ky synim i yni është në kuadër të vizionit tonë shtetëror për anëtarësim sa më të shpejtë në këtë Aleancë. Prandaj, investimi i vazhdueshëm në armatim si dhe në personelin tonë ushtarak e mirëqenien e tyre është jetik, ashtu siç është edhe investimi i vazhdueshëm në institucionet e tjera të sigurisë. Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, edhe qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme, mbrojtja nga sulmet hibride po ashtu është e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme. Zhvillimi ekonomik është një nga shtyllat kyçe për qëndrueshmërinë tonë kombëtare, meqenëse ai siguron stabilitet dhe aftësinë e një shteti për t’u përballuar me krizat dhe sfidat e ndryshme. Një ekonomi e fuqishme pastaj e mbështetë edhe mbrojtjen, pra burime të mjaftueshme në fushën e mbrojtjes si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës kritike, e zhvillimin e sistemeve sociale e shëndetësore, të gjitha kyçe për një sistem më të avancuar të qëndrueshmërisë shtetërore. Në anën tjetër, sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara ushtarake, kibernetike, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar. Në këtë drejtim, siguria kibernetike është thelbësore, duke qenë pjesë e këtyre kërcënimeve hibride. Me rritjen e varësisë nga teknologjia, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe e të dhënave bëhet një prioritet absolut. Për më tepër, vitin e kaluar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikërisht me këtë qëllim, kam nënshkruar Marrëveshjen për luftimin e informacionit shtetëror të huaj, që është hap i rëndësishëm për të mbrojtur sistemin tonë informativ nga ndërhyrjet dhe dezinformatat, duke siguruar kështu transparencë dhe qëndrueshmëri në epokën digjitale. Më konkretisht, ky Memorandum i Mirëkuptimit me SHBA-të përqendrohet në shkëmbimin e informacionit mes shteteve tona, dhe po ashtu ekspertizën dhe praktikat më të mira për të adresuar fushatat dezinformuese kundër nesh si shtet, të cilat kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Të njëjtën gjë synojmë ta bëjmë edhe me programin simotër të BE-së – FIMI (Foreign Information Manipulation and Interference), i cili është projekt që ka për qëllim adresimin dhe luftimin e manipulimit dhe ndërhyrjes nëpërmjet dezinformatave që vijnë nga elemente të huaja, malinje. Ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së për të forcuar mbrojtjen ndaj kërcënimeve hibride dhe për të garantuar qëndrueshmërinë demokratike të vendeve anëtare dhe atyre partnere. Me zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e varësisë nga sistemet digjitale, ne duhet të jemi të përgatitur për të mbrojtur të dhënat dhe rrjetet tona ndaj sulmeve të mundshme kibernetike. Prandaj, investimi në teknologji të avancuar dhe trajnimi i ekspertëve në këtë fushë janë thelbësore për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt digjital. Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë strategjikë për të ndërtuar kapacitetet e avancuara në këtë fushë dhe për të siguruar mbrojtje efektive ndaj sulmeve kibernetike. Të nderuar të pranishëm, Në emergjenca kombëtare apo rajonale, bashkëpunimi efektiv në mes institucioneve si dhe angazhimi i qytetarëve, duke përfshirë të gjitha grupet etnike, është qenësor. Institucionet tona duhet të mbeten të gatshme dhe të koordinuara në çdo moment. Për të qenë të suksesshëm në përballje me këto sfida të sigurisë na nevojitet përfshirja e gjithanshme e të gjitha hallkave të shoqërisë sonë. Shembulli i reagimit tonë ndaj sulmit të fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit ka treguar qartë rëndësinë dhe fuqinë e koordinimit ndërinstitucional, por mbi të gjitha profesionalizmin e jashtëzakonshëm të institucioneve tona të sigurisë dhe ato të reagimit të parë. Në të njëjtën kohë, duke pas parasysh kontekstin aktual gjeopolitik dhe të sigurisë rajonale, qëndrueshmëria kombëtare është më shumë se sa thjesht një nevojë, është detyrimi ynë ndaj brezave të ardhshëm. Një shoqëri e përgatitur dhe e unifikuar është çelësi i suksesit në përballimin e sfidave të çdo lloji. Këtë e kemi treguar edhe gjatë rezistencës aktive paqësore edhe gjatë luftës tonë çlirimtare të viteve 90-ta. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kanë dëshmuar edhe në të kaluarën, po ashtu edhe në të tashmen përcaktimin e qartë e të vendosur se rruga jonë e zhvillimit dhe përparimit është e orientuar në drejtimin dhe qëndron mbi vlerat e natyrshme evropiane dhe euroatlantike. Historia jonë e dhimbshme por e lavdishme na ka mësuar rëndësinë e unitetit, të besimit
Presidentja Osmani për shkaqe humanitare ia falë një të dënuare pjesën e mbetur të dënimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka nënshkruar sonte dekretin me të cilin të dënuarës Arza Cakolli, për shkaqe humanitare, i është falur pjesa e mbetur e dënimit, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore. Vendimi është marrë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjen e saj. Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për “Rrezikim të Trafikut Publik”, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës. E dënuara ka filluar mbajtjen e dënimit prej 1 vit e dy muaj burg, në korrik të vitit 2024, ndërkaq do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti. Dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot në tavolinën e Presidentes. Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj.
Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë vazhdon aktivitetet

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë mbajti punëtorinë dy ditore me temë “Ndërtimi mbi Progresin: Ngritja e mëtejme e lidershipit të Kosovës në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”. Kjo punëtori në qendër të diskutimeve kishte ritheksimin e rëndësisë së Planeve Kombëtare të Veprimit (PKV) për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si mjet për një barazi më të madhe gjinore, rritjen e paqes dhe sigurisë gjithëpërfshirëse. Qëllimi kryesor i punëtorisë ishte që nëpërmjet ekspertit ndërkombëtar për PKV-të, Mirsad Jacevic, të prezantohen perspektivat ndërkombëtare të shteteve, të cilat kanë miratuar dhe zbatuar PKV-të, me theks të veçantë në sukseset dhe sfidat e tyre në raport me to. Punëtoria trajtoi të gjitha këto aspekte të PKV-ve me përfaqësues të institucioneve qeveritare, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, si akterët kyç të fushës. Kjo ngjarje u organizua nga Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, e themeluar në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.