Presidentja Osmani takoi Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Washington D.C, është takuar me Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Presidentja Osmani ka shkruar: Gjatë vizitës në Washington D.C, u takova sërish me Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Diskutuam për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësinë e partneritetit me SHBA-të për paqen dhe stabilitetin.

Presidentja Osmani në takim me kongresmenë amerikanë diskutoi për sigurinë, investimet dhe partneritetin strategjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Washington D.C, takoi Kongresistin Brian Mast, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme, Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe Kongresistin Mike Lawler. Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në sigurinë, investimet dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë takimit me Kongresistin Brian Mast, Presidentja Osmani ka theksuar se me administratën e Presidentit Trump, synohet thellimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, investimet strategjike dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Në takimin me Kongresistin Keith Self, Presidentja Osmani theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme nga SHBA-të për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ajo potencoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në përmbushjen e synimeve euroatlantike të Kosovës dhe përballjen me sfidat rajonale të sigurisë. Ndërkaq në takimin me Kongresistin Mike Lawler, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik, me qëllim të përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimit të projekteve të përbashkëta.

Presidentja Osmani takoi Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Brian Mast: Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme është takuar me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Brian Mast. Presidentja Osmani ka shkruar: Dje në takim me Brian Mast, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, diskutuam për lidhjen historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara – një aleancë e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri. Me administratën e Presidentit Trump, synojmë thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, investimet strategjike dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë!

Presidentja Osmani: Amerika udhëhoqi rrugën dhe bota demokratike e ndoqi në mbështetje të lirisë së Kosovës

Ati ynë themeltar, Presidenti Rugova, shpesh thoshte: “Ne kemi besuar tek Zoti dhe ky besim na ka mbajtur gjallë”. Fjalët e tij pasqyrojnë jo vetëm një besim personal, por një të vërtetë kombëtare – që kur përballeshim me shtypjen, besimi ynë në Zot, në liri e drejtësi dhe në kauzën tonë na çoi përpara. Në vijim gjeni Fjalimin e Presidentes Osmani para mijëra pjesëmarrësve të Lutjeve të Mengjesit, organizuar nga Kongresi amerikan në Washington, D.C.

Presidentja Osmani e ftuar nderi në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill dhe në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Washington D.C.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill, si e ftuar nderi, ndërkaq në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, pati një adresim. Gjatë Drekës Ndërparlamentare Ndërkombëtare, të organizuar në kuadër të Takimit Vjetor të Lutjes Kombëtare, Presidentja Osmani foli për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te arritjet e sotme, si dhe angazhimin e paluhatur për luftim të forcave dhe ndikimit malinj në Kosovë. Në Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare, Presidentja ishte e ftuar përkrah Mbretit dhe Mbretëreshës së Burundit, kryeministrit të Fixhit, si dhe kongresistëve amerikanë, ministrave e deputetëve të shumtë nga mbarë bota. Me këtë rast, ajo pati mundësi të diskutoj me ta për thellimin e raporteve bilaterale. Ndërsa në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, Presidentja Osmani u fokusua në rolin strategjik të Kosovës në luftimin e ndikimeve keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit, duke theksuar partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e Administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon. Kosova është një aleat i palëkundur që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan”, theksoi Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani Kosova është një aset strategjik për SHBA-të në përballjen me ndikimet destabilizuese në Evropë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara. Ndër të tjera, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e investimeve amerikane dhe investimeve në infrastrukturën kritike të Kosovës duke siguruar pavarësinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.

Presidentja Osmani takoi Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Louis Bono

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Washington D.C., takoi Ndihmës Sekretartin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono. Takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së Presidentit Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia. Gjatë takimit, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon. Në mes tjerash, Presidentja Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale. Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO. Tutje, Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme. Louis Bono është emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.

Presidentja Osmani në Washington, D.C., do të mbajë fjalim si e ftuar speciale në Lutjet Nacionale të Mëngjesit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, udhëtoi për në Washington, D.C., për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit si dhe për të mbajtur fjalim në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan. Në kuadër të kësaj ngjarjeje, e cila mbledh mijëra kongresistë, politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë bota, Presidentja Osmani do të mbajë fjalimin kryesor nga përfaqësuesit ndërkombëtar në kuadër të Drekës Ndërkombëtare. Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë. Gjatë qëndrimit në Washington, Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së SHBA-së, me fokus në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit tonë. Lutjet Nacionale të Mëngjesit janë një traditë gjashtëdekadëshe, ku çdo vit mblidhen zyrtarët më të lartë amerikanë, anëtarë të Kongresit, politikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga shumë vende të botës për lutje të përbashkëta.

Presidentja Vjosa Osmani: Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës

Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, nderojmë me respekt të thellë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë – që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia. Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve. Dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale. Këto ditë janë një kujtesë e fuqishme e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në vatrat e tyre, por edhe e nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt!

Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Isuf Dedushaj

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Isuf Dedushaj, një prej personaliteteve më të shquara në fushën e epidemiologjisë, shkencës dhe sferës akademike. Ai do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shëndetësisë dhe edukimit mjekësor në Kosovë. Me një karrierë të pasur akademike dhe shkencore, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme si mjek, epidemiolog dhe profesor universitar. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Isuf Dedushajn!

This site is registered on wpml.org as a development site.