Presidentja: Kosova në hartën globale të diskutimeve për inteligjencën artificiale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, përkrah Presidentit Macron, Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, JD Vance, Kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, si dhe liderëve të tjerë botërorë. Presidentja Osmani ka shkruar: Kosova në hartën globale të diskutimeve për inteligjencën artificiale. Liderë nga mbarë bota dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje që do të transformojnë botën, duke e vënë teknologjinë në shërbim të njerëzimit. Teknologjia po i prinë një revolucioni të paparë global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të jetë pjesë e këtij transformimi!

Presidentja Osmani ngushëllon familjen dhe komunitetin e gazetarëve për ndarjen nga jeta të gazetarit, Faton Osmani

Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe themeluesit të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani. Kontributi i tij profesional për media vendore dhe ndërkombëtare dhe përkushtimi për informimin e saktë e të pavarur do të mbeten trashëgimi e përhershme. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe komunitetit të gazetarëve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Faton Osmanin!

Presidentja Osmani krahas liderëve të tjerë në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI) mori pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti Macron në pallatin Élysée

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani krahas liderëve të tjerë në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI), ka marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti Macron në pallatin Élysée. Presidentja Osmani ka shkruar:   Në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI) ishim të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti Macron në pallatin Élysée, krahas liderëve të tjerë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat. Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim. Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botëror, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë.

Presidentja Osmani udhëton për në Paris me ftesë të Presidentit Macron

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Paris me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron. Gjatë qëndrimit në Francë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, përkrah Presidentit Macron, Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, JD Vance, Kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, si dhe liderëve të tjerë botërorë. Në kuadër të vizitës, Presidentja Osmani do të jetë e pranishme në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, në pritjen zyrtare të organizuar nga delegacioni amerikan, si dhe në seancën plenare të bashkëkryesuar nga Presidenti Macron dhe Kryeministri Modi. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, do të organizohet një pritje nga zonja e parë e Francës, Brigitte Macron, ku është ftuar Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu.

Deklaratë e Presidentes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë. Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.

Presidentja Osmani: Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, kanë votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare, në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik. Pasi që ka votuar, Presidentja Osmani është deklaruar për media. Deklarata e plotë e Presidentes: Ju faleminderit që pritët së bashku me mua derisa më erdhi radha që të votoj në këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme për demokracinë në vendin tonë. Siç e dini, Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej. Dhe sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili determinohet Parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera, po edhe merren vendimet të cilat kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre dhe për gjithë vendin tonë. Kështu që, shpresoj që të gjithë qytetarët anembanë Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Është edhe moti i mirë sot e me diell, kështu që është pak më lehtë të votohet. Besoj që i kanë informatat e nevojshme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth vendvotimeve të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm ta japin vlerësimin për të gjithë politikanët që i kanë përfaqësuar deri tani, por edhe t’ju japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë dhe është me rëndësi që këtë të drejtë pra ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Iu uroj suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje. Shpresoj që e mbara t’i prijë Kosovës vendit tonë të dashur, dhe një ndër mënyrat më të mira për të kontribuuar për Kosovën tonë është pikërisht duke e shfrytëzuar të drejtën në votë.

Përmbledhja e Vizitës në Washington, D.C.

Gjatë vizitës zyrtare në Washington, D.C., Presidentja Vjosa Osmani zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë dhe kongresistë amerikanë, si dhe ishte një nga të ftuarat kryesore në Mëngjesin e Lutjeve. Gjatë qëndrimit të saj në D.C., Presidentja Osmani mbajti: • Takim me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono; • Takim me Kongresistin Brian Mast, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së; • Takim me Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve; • Takim me Kongresistin Mike Lawler; • Fjalim kryesor në Drekën Ndërkombëtare të organizuar në kuadër të Mëngjesit të Lutjeve, para mijëra pjesëmarrësve, organizuar nga Kongresi Amerikan në Washington, D.C.; • Fjalim në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, ku ishte e ftuar nderi; • Fjalim në darkën e Young Presidents Organization, në kuadër të Lutjeve të Mëngjesit; • Takim me nobelistin dhe ish-Drejtorin Ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasley; • Takim me drejtues dhe ekspertë të The Heritage Foundation, një nga institutet më me ndikim në politikën publike amerikane. Presidentja Osmani, gjithashtu mori pjesë në: • Mëngjesin e Lutjeve, ku mbajti fjalim Presidenti Trump; • Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill; • Darkën hapëse të takimit të sivjetëm të Mëngjesit të Lutjeve. Gjatë këtyre aktiviteteve, Presidentja Osmani pati rastin të takohet me Mbretin dhe Mbretëreshën e Burundit, Kryeministrin e Fixhit, Nënkryetarin e Parlamentit të Filipineve, ish-presidentë dhe ish-kryeministra nga mbarë bota, si dhe me kongresistë, guvernatorë dhe liderë nga bota e biznesit. Po ashtu, Presidentja Osmani zhvilloi takime edhe me përfaqësues të mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani takoi Kongresistin republikan, Mike Lawler: Mbështetja e SHBA-së ka qenë dhe mbetet vendimtare për rrugëtimin tonë si shtet i lirë dhe sovran

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Washington D.C, është takuar me Kongresistin republikan Mike Lawler. Presidentja Osmani ka shkruar: Me Kongresistin republikan Mike Lawler, një mik i Kosovës dhe një zë i rëndësishëm në Kongresin Amerikan, diskutuam mbi nevojën për t’i thelluar më tej marrëdhëniet tona në fusha të interesit të përbashkët. Mbështetja e SHBA-së ka qenë dhe mbetet vendimtare për rrugëtimin tonë si shtet i lirë dhe sovran.

Presidentja Osmani takoi Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Washington D.C, është takuar me Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Presidentja Osmani ka shkruar: Gjatë vizitës në Washington D.C, u takova sërish me Kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Diskutuam për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësinë e partneritetit me SHBA-të për paqen dhe stabilitetin.

This site is registered on wpml.org as a development site.