DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, kanë votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare, në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.

Pasi që ka votuar, Presidentja Osmani është deklaruar për media.

Deklarata e plotë e Presidentes:

Ju faleminderit që pritët së bashku me mua derisa më erdhi radha që të votoj në këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme për demokracinë në vendin tonë.

Siç e dini, Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej.

Dhe sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili determinohet Parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera, po edhe merren vendimet të cilat kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre dhe për gjithë vendin tonë.

Kështu që, shpresoj që të gjithë qytetarët anembanë Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.
Është edhe moti i mirë sot e me diell, kështu që është pak më lehtë të votohet.

Besoj që i kanë informatat e nevojshme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth vendvotimeve të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm ta japin vlerësimin për të gjithë politikanët që i kanë përfaqësuar deri tani, por edhe t’ju japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë dhe është me rëndësi që këtë të drejtë pra ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Iu uroj suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje.

Shpresoj që e mbara t’i prijë Kosovës vendit tonë të dashur, dhe një ndër mënyrat më të mira për të kontribuuar për Kosovën tonë është pikërisht duke e shfrytëzuar të drejtën në votë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.