Presidentja: Një takim jashtëzakonisht i përzemërt dhe i rëndësishëm me delegacionin e kongresistëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me delegacionin e kongresistëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Presidentja Osmani ka shkruar: Një takim jashtëzakonisht i përzemërt dhe i rëndësishëm me delegacionin e kongresistëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane. Kjo mbështetje vazhdon edhe sot, ndërsa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që thellojnë dhe fuqizojnë më tej aleancën tonë historike.
Presidentja Osmani takoi anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Bećirović

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, është takuar edhe me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Bećirović. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takova edhe anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Bećirović. Përveç sigurisë rajonale, diskutuam edhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial, si dhe avancimit të rrugës euroatlantike për dy shtetet tona.
Presidentja Osmani takoi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset. Presidentja Osmani ka shkruar: Një takim i frytshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore.
Presidentja Osmani takoi Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen. Presidentja Osmani ka shkruar: Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit. Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë.
Presidentja Osmani takoi anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Mynih, u takua me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Mynih, u takuam me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Željko Komšić. Diskutuam për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim.
Presidentja Osmani takoi Presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që po qëndron në Gjermani, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC). Sot, është takuar me Presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter. Presidentja Osmani ka shkruar: Takim i shkëlqyer me Presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter. Zvicra vazhdon të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, me mërgatën tonë që luan një rol thelbësor në forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona. Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Presidenten Keller-Sutter për ta thelluar edhe më tej partneritetin tonë në fusha të interesit të ndërsjellë, e për të mirën e të dy popujve tanë.
Presidentja Osmani merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga forumet më prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme. Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përveç takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës. Konferenca e Sigurisë në Mynih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve.
Presidentja Osmani priti në takim Kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor, me ç’rast Presidentja ripotencoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi. Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, z. Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem. Njëkohësisht, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve. Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit. Që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik. Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve.
Zotëria i Parë merr pjesë krahas Presidentes Osmani, në aktivitetet e Samitit të inteligjencës Artificiale, në Paris, me ftesë të zonjës së parë të Francës Brigitte Macron

Në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Paris, të realizuar përgjatë datave 10-11 Shkurt 2025, si dhe me ftesë të posaçme të Zonjës së Parë të Francës, Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Samitit për Veprimin për Inteligjencën Artificiale. Nën organizimin e Zonjës së Parë të Francës, znj. Brigitte Macron, z. Sadriu, së bashku me disa zonja të para nga vende të ndryshme të botës u mirëprit nga Rektori i Katedrales, Olivier Ribadeau Dumas dhe zonja e parë Macron. Z. Sadriu fillimisht ka vizituar instalacionet e artit në Katedralen Notre Dame dhe më pas edhe instalacione tjera qindra vjeçare të mbyllura për publikun. Në kuadër të kësaj vizite, Zotëria i Parë gjithashtu ka qenë i ftuar në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, ku krahas Presidentes Osmani, morën pjesë krerë të shteteve dhe qeverive, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat. Gjatë kësaj vizite, së bashku me Presidenten Osmani, Zotriu i Parë ka marrë pjesë edhe në Seancën Plenare të Samitit për Veprimin për Inteligjencën Artificiale, me fokus në diskutimin e zgjidhjeve të cilat vënë zhvillimet revolucionare të teknologjisë në shërbim të njerëzimit. Së fundmi, me ftesën e të Ngarkuarit me Punë të ShBA-ve në Francë, së bashku me Presidenten Osmani, Zotëria i Parë ka marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar për nder të delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesuar nga Zëvendës Presidenti JD Vance. E njëjta është mbajtur në Ambasadën e ShBA-ve në Francë.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës merr pjesë në takimin e shtatë të nivelit të lartë për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Japoni

Gjatë javës së kaluar, me pjesëmarrjen e më shumë se 140 përfaqësues të shteteve të ndryshme, u mbajtën punimet e takimit të shtatë të nivelit të lartë të Rrjetit të Pikave Kryesore për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Tokio, Japoni. Kabineti i Presidentes Osmani, i përfaqësuar nga këshilltaret, Dora Musa dhe Albana Krasniqi, rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nëpërmjet nismave tashmë të njohura ndërkombëtarisht sikurse Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Në margjina të këtij takimi, këshilltaret e Presidentes patën mundësi të takohen dhe të bisedojnë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, z. Takeshi Iwaya, kryetaren e grupit parlamentar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Parlamentin e Japonisë dhe ish-Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Yoko Kamikawa, Ministren e Punëve të Brendshme të Moldavisë, znj. Daniella Misail-Nichtin, Përfaqësuesen Speciale të NATO për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, znj. Irene Fellin, deputetë, ambasadorë dhe të deleguar të posaçëm për këtë agjendë të shteteve pjesëmarrëse. Krahas këtyre takimeve, përfaqësueset e Presidencës, patën mundësi të angazhohen edhe në grupet punuese nga të cilat u identifikuan hapat e radhës që duhet të ndërmerren për ta avancuar në nivel ndërkombëtar Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Gjatë këtyre ditëve, gjithashtu, u identifikuan mundësitë e reja për partneritet në këtë fushë në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, teksa angazhimi i vazhdueshëm i Republikës së Kosovës, nëpërmjet nismave presidenciale, u vlerësua lartë.