Gjatë javës së kaluar, me pjesëmarrjen e më shumë se 140 përfaqësues të shteteve të ndryshme, u mbajtën punimet e takimit të shtatë të nivelit të lartë të Rrjetit të Pikave Kryesore për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Tokio, Japoni.
Kabineti i Presidentes Osmani, i përfaqësuar nga këshilltaret, Dora Musa dhe Albana Krasniqi, rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nëpërmjet nismave tashmë të njohura ndërkombëtarisht sikurse Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
Në margjina të këtij takimi, këshilltaret e Presidentes patën mundësi të takohen dhe të bisedojnë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, z. Takeshi Iwaya, kryetaren e grupit parlamentar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Parlamentin e Japonisë dhe ish-Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Yoko Kamikawa, Ministren e Punëve të Brendshme të Moldavisë, znj. Daniella Misail-Nichtin, Përfaqësuesen Speciale të NATO për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, znj. Irene Fellin, deputetë, ambasadorë dhe të deleguar të posaçëm për këtë agjendë të shteteve pjesëmarrëse.
Krahas këtyre takimeve, përfaqësueset e Presidencës, patën mundësi të angazhohen edhe në grupet punuese nga të cilat u identifikuan hapat e radhës që duhet të ndërmerren për ta avancuar në nivel ndërkombëtar Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Gjatë këtyre ditëve, gjithashtu, u identifikuan mundësitë e reja për partneritet në këtë fushë në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, teksa angazhimi i vazhdueshëm i Republikës së Kosovës, nëpërmjet nismave presidenciale, u vlerësua lartë.