DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Vjosa Osmani: Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës

Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, nderojmë me respekt të thellë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë – që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia. Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve.

Dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

Këto ditë janë një kujtesë e fuqishme e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në vatrat e tyre, por edhe e nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.

Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme.

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.