DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në hapjen e konferencës “Qëndrueshmëria kombëtare – sfidat dhe rruga përpara”

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar Ministër Maqedonci,

I nderuar Gjeneral Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës,

I nderuar Gjeneral Christian Nawrat,

Të nderuar ministra e ministre,

Drejtor i Policisë,

Udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,

Përfaqësues të institucioneve tona të sigurisë,

Zonja dhe zotërinj,

Qëndrueshmëria kombëtare nuk është vetëm një koncept teorik, por  është themeli mbi të cilin ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet. Një shtet është po aq i sigurt sa janë të forta edhe hallkat e tij të sigurisë.

Në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se kurrë – nga luftërat konvencionale tek sulmet hibride dhe sfidat kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes.

Na duhet një arkitekturë sigurie që është inovative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar.

Kosova ka dëshmuar historikisht qëndrueshmëri, ndaj na takon ta kthejmë atë në një strategji afatgjate për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.

Siguria nuk është vetëm mungesa e kërcënimeve, por qëndrueshmëria kundrejt çfarëdo situate me të cilën përballemi.

Programi kombëtar i mbrojtjes gjithëpërfshirëse përfaqëson një angazhim konkret për ta ndërtuar një sistem të fuqishëm mbrojtës dhe të qëndrueshëm. Prandaj, në këtë linjë, edhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse si dhe integrimi në NATO, janë të ndërlidhura fuqishëm njëra me tjetrën. Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve më të larta të NATO-s mbetet prioritet i yni strategjik, kombëtar. Ne synojmë një ushtri moderne, profesionale, të ndërveprueshme dhe të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë krah për krah me ushtritë tjera aleate brenda NATO-s. Ky synim i yni është në kuadër të vizionit tonë shtetëror për anëtarësim sa më të shpejtë në këtë Aleancë.

Prandaj, investimi i vazhdueshëm në armatim si dhe në personelin tonë ushtarak e mirëqenien e tyre është jetik, ashtu siç është edhe investimi i vazhdueshëm në institucionet e tjera të sigurisë.

Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, edhe qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme, mbrojtja nga sulmet hibride po ashtu është e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme. Zhvillimi ekonomik është një nga shtyllat kyçe për qëndrueshmërinë tonë kombëtare, meqenëse ai siguron stabilitet dhe aftësinë e një shteti për t’u përballuar me krizat dhe sfidat e ndryshme. Një ekonomi e fuqishme pastaj e mbështetë edhe mbrojtjen, pra burime të mjaftueshme në fushën e mbrojtjes si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës kritike, e zhvillimin e sistemeve sociale e shëndetësore, të gjitha kyçe për një sistem më të avancuar të qëndrueshmërisë shtetërore.

Në anën tjetër, sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara ushtarake, kibernetike, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar. Në këtë drejtim, siguria kibernetike është thelbësore, duke qenë pjesë e këtyre kërcënimeve hibride. Me rritjen e varësisë nga teknologjia, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe e të dhënave bëhet një prioritet absolut. Për më tepër, vitin e kaluar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikërisht me këtë qëllim, kam nënshkruar Marrëveshjen për luftimin e informacionit shtetëror të huaj, që është hap i rëndësishëm për të mbrojtur sistemin tonë informativ nga ndërhyrjet dhe dezinformatat, duke siguruar kështu transparencë dhe qëndrueshmëri në epokën digjitale. Më konkretisht, ky Memorandum i Mirëkuptimit me SHBA-të përqendrohet në shkëmbimin e informacionit mes shteteve tona, dhe po ashtu ekspertizën dhe praktikat më të mira për të adresuar fushatat dezinformuese kundër nesh si shtet, të cilat kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Të njëjtën gjë synojmë ta bëjmë edhe me programin simotër të BE-së – FIMI (Foreign Information Manipulation and Interference), i cili është projekt që ka për qëllim adresimin dhe luftimin e manipulimit dhe ndërhyrjes nëpërmjet dezinformatave që vijnë nga elemente të huaja, malinje. Ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së për të forcuar mbrojtjen ndaj kërcënimeve hibride dhe për të garantuar qëndrueshmërinë demokratike të vendeve anëtare dhe atyre partnere.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e varësisë nga sistemet digjitale, ne duhet të jemi të përgatitur për të mbrojtur të dhënat dhe rrjetet tona ndaj sulmeve të mundshme kibernetike. Prandaj, investimi në teknologji të avancuar dhe trajnimi i ekspertëve në këtë fushë janë thelbësore për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt digjital.

Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë strategjikë për të ndërtuar kapacitetet e avancuara në këtë fushë dhe për të siguruar mbrojtje efektive ndaj sulmeve kibernetike.

Të nderuar të pranishëm,

Në emergjenca kombëtare apo rajonale, bashkëpunimi efektiv në mes institucioneve si dhe angazhimi i qytetarëve, duke përfshirë të gjitha grupet etnike, është qenësor. Institucionet tona duhet të mbeten të gatshme dhe të koordinuara në çdo moment. Për të qenë të suksesshëm në përballje me këto sfida të sigurisë na nevojitet përfshirja e gjithanshme e të gjitha hallkave të shoqërisë sonë. Shembulli i reagimit tonë ndaj sulmit të fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit ka treguar qartë rëndësinë dhe fuqinë e koordinimit ndërinstitucional, por mbi të gjitha profesionalizmin e jashtëzakonshëm të institucioneve tona të sigurisë dhe ato të reagimit të parë.

Në të njëjtën kohë, duke pas parasysh kontekstin aktual gjeopolitik dhe të sigurisë rajonale, qëndrueshmëria kombëtare është më shumë se sa thjesht një nevojë, është detyrimi ynë ndaj brezave të ardhshëm.

Një shoqëri e përgatitur dhe e unifikuar është çelësi i suksesit në përballimin e sfidave të çdo lloji. Këtë e kemi treguar edhe gjatë rezistencës aktive paqësore edhe gjatë luftës tonë çlirimtare të viteve 90-ta. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kanë dëshmuar edhe në të kaluarën, po ashtu edhe në të tashmen përcaktimin e qartë e të vendosur se rruga jonë e zhvillimit dhe përparimit është e orientuar në drejtimin dhe qëndron mbi vlerat e natyrshme evropiane dhe euroatlantike. Historia jonë e dhimbshme por e lavdishme na ka mësuar rëndësinë e unitetit, të besimit tek vlerat tona dhe te forca jonë për të përballuar çdo sfidë.

Prandaj, për t`i forcuar bazat e qëndrueshmërisë kombëtare, është thelbësore të investojmë në mbrojtjen e infrastrukturës kritike siç janë: energjia, uji, transporti e komunikimet. Një tjetër element i rëndësishëm i qëndrueshmërisë kombëtare është bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar. Sfida të tilla, siç janë: migrimi, terrorizmi, kërcënimet e shumta përfshirë ato kibernetike e ndryshimet klimatike kërkojnë një qasje të koordinuar me partnerët tanë strategjik. Në këtë drejtim, roli i NATO-s dhe vendeve aleate, udhëhequr nga SHBA, mbetet jetik. Mbështetja e tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë një shtyllë e fortë e qëndrueshmërisë sonë kombëtare.

Kosova ka treguar se vazhdimisht ka qenë dhe është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Por siguria nuk është një gjendje statike, por një përpjekje e vazhdueshme. Ne duhet të ndërtojmë një kulturë të qëndrueshmërisë kombëtare, ku secili prej nesh është i vetëdijshëm për rolin në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit tonë.

Ne, nuk duhet të jemi vetëm reagues ndaj krizave, por ndërtues të një Kosove të fortë, të sigurt dhe të aftë për të parandaluar kriza të tilla, por nëse ndodhin për t’i përballuar ato me sukses e po ashtu për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.

Faleminderit!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.