Presidentja Osmani përkujton 26-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

Sot përkujtojmë me dhimbje e nderim viktimat e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan, civilë të pafajshëm, familjarë e fqinjë, të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal serb. 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Kujtimi për ta mbetet i përhershëm, ndërsa drejtësia ende mungon. Le të jetë kjo ditë një thirrje për drejtësi. Kosova nuk harron!

Pas dy edicioneve të suksesshme, Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me iniciativë të Presidentes Osmani, rikthehet me edicionin e tretë, më 2 dhe 3 qershor në Republikën e Kosovës!

Edhe këtë vit, Prishtina do të mirëpresë liderë, ekspertë dhe përfaqësues nga e gjithë bota për diskutime të rëndësishme për paqe të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për të gjithë. Në ditët në vijim do të ndajmë më shumë informata rreth temës, folësve dhe aktiviteteve të këtij edicioni.

Presidentja: Pranova me respekt Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Evropian “Coudenhove-Kalergi”, dy dekada më parë, i njëjti çmim iu nda Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Evropian “Coudenhove-Kalergi”, në një ceremoni të veçantë organizuar nga PanEuropa. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot, në zemër të Evropës, në Vjenë, pranova me respekt Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Evropian “Coudenhove-Kalergi”, në një ceremoni të veçantë organizuar nga PanEuropa. Dy dekada më parë, i njëjti çmim iu nda Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ky është një nderim për Republikën e Kosovës dhe një dëshmi se rruga jonë evropiane, e ndërtuar mbi vizionin e Presidentit Rugova për paqe, demokraci dhe partneritet transatlantik, vazhdon me vendosmëri. Për Kosovën që beson, që qëndron dhe që ecën përpara!

Presidentja Osmani ftohet nga Presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore në Zvicër në datat 21-22 maj

Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër. Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, pra nivel më i lartë se vizitat zyrtare, dhe ndodhin shumë rrallë, prandaj edhe kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër. Presidentja Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë. Në kuadër të agjendës zyrtare, Presidentja Osmani do të mbajë takime me Presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Poashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media. Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve. Në ditën e dytë të vizitës, Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies, fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër. Në Gjenevë, ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër. Vizita shtetërore e Presidentes Osmani jo vetëm që ka karakter historik, por edhe simbolik, pasi thekson marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ato janë marrëdhënie të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, vlerat demokratike dhe një bashkëpunim të ngushtë shtetëror. Bashkatdhetarët tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër, janë bërë një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve. Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të proceseve demokratike, shtetndërtuese dhe zhvillimore të vendit tonë.

Presidentja Osmani: Gjatë vizitës në Vjenë pata nderin t’u ndaj Medalje Presidenciale të Meritave disa prej miqve më të çmuar të Kosovës në Austri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Vjenë, ua ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave disa prej miqve më të çmuar të Kosovës në Austri. “Gjatë vizitës në Vjenë pata nderin t’u ndaj Medalje Presidenciale të Meritave disa prej miqve më të çmuar të Kosovës në Austri. Sot, shtetet tona janë më afër se kurrë falë mbështetjes si miqve sikurse këta!”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja: Në Mauthausen të Austrisë, aty ku njerëzimi njohu tmerrin, së bashku me udhëheqës të tjerë botëror, u mblodhëm për të kujtuar dhe për të premtuar sërish: Kurrë më!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Mauthausen të Austrisë, aty ku njerëzimi njohu tmerrin, së bashku me udhëheqës të tjerë botëror, u mblodhëm për të kujtuar dhe për të premtuar sërish: Kurrë më! Presidentja Osmani ka shkruar: Në Mauthausen të Austrisë, aty ku njerëzimi njohu tmerrin, së bashku me udhëheqës të tjerë botëror, u mblodhëm për të kujtuar dhe për të premtuar sërish: Kurrë më! Në 80-vjetorin e çlirimit nga forcat amerikane të këtij kampi përqëndrimi, ndjemë peshën e kujtesës dhe forcën e betimit që ta mbrojmë paqen, dinjitetin dhe lirinë, gjithmonë. Le të jemi zëri i atyre që nuk mund të flasin më dhe mburojë e vlerave për të cilat ata u flijuan.

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me Presidentin e Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, në Mauthausen të Austrisë, ku u shënua 80 vjetori i çlirimit të kampit të përqëndrimit. Në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore, Presidenti Van Der Bellen dhe Zonja e Parë e Austrisë, Doris Schmidauer së bashku me Presidenten Osmani dhe Zotërinë e Parë Prindon Sadriu, theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Austria ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës që nga njohja e hershme e pavarësisë, deri te përkrahja në arenën ndërkombëtare dhe procesin e integrimeve euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit si dhe rrugës së saj drejt integrimit në organizatat e familjes euro-atlantike. Ajo e njoftoi Presidentin Van Der Bellen lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe sfidat e sigurisë në rajonin tonë. Presidentja Osmani dhe Zotëria e Parë, së bashku me Presidentin e Austrisë dhe Zonjën e Parë, me Mbretin e Mbretëreshën e Spanjës, si dhe dhjetëra delegacione nga mbarë bota, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80 vjetorit të çlirimit nga forcat amerikane të Kampit të përqëndrimit Mauthausen. Përveç kësaj ceremonie, Presidentja do të ketë edhe një sërë aktivitetesh tjera përgjatë kësaj vizite pune në Austri.

Presidentja: Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tonë. Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit tonë të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi. Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë. Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste.

This site is registered on wpml.org as a development site.