Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në nevojën për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Presidentja Osmani dhe ambasadori Hargreaves rikonfirmuan përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si ekonomia dhe mbrojtja, ashtu siç edhe ka patur dakordim gjatë vizitës së fundit në Kosovë të Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy. Një pjesë e takimit iu kushtua Procesit të Berlinit, të cilën kësaj radhe do ta organizojë Mbretëria e Bashkuar. Presidentja Osmani ritheksoi nevojën që në agjendën e këtij procesi të prioritizohet çështja e personave të zhdukur me dhunë, si një detyrim moral dhe ligjor që nuk mund të injorohet në kuadër të paqes së qëndrueshme në rajon. Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të mëtejshëm në kuadër të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), duke parë mundësitë për një rol edhe më aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të rolit të grave në proceset paqësore dhe vendimmarrëse. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për kontributin e saj në avancimin e proceseve demokratike dhe integrimin në organizata ndërkombëtare.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e ri të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim njoftues Ambasadorin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Gerard McGurk, të cilit i uroi mirëseardhje të përzemërt dhe suksese në mandatin e tij të ri. Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm që OSBE-ja ka ndërtuar me institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Ajo theksoi rolin kyç që ky mision ka luajtur në forcimin e demokracisë, promovimin e qeverisjes së mirë dhe avancimin e sundimit të ligjit në vendin tonë. Në takim, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut. Më tej, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe përkrahjen e grupeve të margjinalizuara.

Presidentja Osmani: Kujtimi për Ilir Konushevcin dhe mjekun Hazir Malaj është zotim i përhershëm për ta ruajtur lirinë e fituar me gjakun e tyre dhe për të jetësuar me dinjitet amanetin që ata lanë pas

Sot, kujtojmë me respekt heroin Ilir Konushevci, luftëtarin e pathyeshëm të UÇK-së, në misionin për lirinë e atdheut. Bashkë me mjekun Hazir Mala, ata ishin të palëkundur në përkushtimin e tyre për liri, teksa hovi i tyre u ndërpre pabesisht në një pritë të organizuar, në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po shtrihej dhe organizohej me vrull për ta çuar deri në fund misionin e saj çlirimtar. Vrasja e tyre ishte një humbje e rëndë për UÇK-në, por edhe një gur themeli për lirinë tonë dhe për shtetin për të cilin ranë, ndaj drejtësia për ta është obligim. Ata ranë bashkë, por u ngritën përjetësisht në kujtesën kombëtare si simbol i përbashkimit të dijes dhe armës, i guximit dhe humanizmit, i lirisë dhe sakrificës. Kujtimi për Ilir Konushevcin dhe mjekun Hazir Malaj është zotim i përhershëm për ta ruajtur lirinë e fituar me gjakun e tyre dhe për të jetësuar me dinjitet amanetin që ata lanë pas. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre!

Presidentja Osmani uron Shenjtërinë e Tij Papa Leo XIV: Në një kohë kur bota dëshiron paqe, unitet dhe dhembshuri, zëri i tij do të bartë peshë të madhe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Shenjtërinë e Tij Papa Leo XIV për zgjedhjen e tij. Presidentja Osmani ka shkruar: Në emër të popullit të Republikës së Kosovës i shpreh urimet e mia të sinqerta Shenjtërisë së Tij Papa Leo XIV për zgjedhjen e tij. Në një kohë kur bota dëshiron paqe, unitet dhe dhembshuri, zëri i tij do të bartë peshë të madhe. Papniteti i tij le të shënohet nga qartësia morale, udhëheqja e palëkundur dhe një angazhim i thellë ndaj dinjitetit të të gjithë njerëzimit. Photo credits: Reuters/AP.

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Italisë, Maurizio Antonini

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Italisë, Maurizio Antonini. Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Antonini mirëseardhje dhe suksese në misionin e tij diplomatik në Kosovë, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit dhe forcimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në takim u theksua rëndësia e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, si dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Po ashtu, në takim u nënvizua rëndësia jetike e ecjes përpara në procesin e integrimit euro-atlantik të shtetit tonë.

Presidentja Osmani përkujton komandant Drinin – Ekrem Rexhën, ushtarakun brilant të UÇK-së, intelektualin dhe njeriun që jetën ia kushtoi lirisë së atdheut

Sot përkujtojmë me nderim komandant Drinin – Ekrem Rexhën, ushtarakun brilant të UÇK-së, intelektualin dhe njeriun që jetën ia kushtoi lirisë së atdheut. Një poliglot i rrallë, një strateg i përgatitur dhe një udhëheqës i dashur për bashkëluftëtarët, ai u bë shembull i përkushtimit dhe dinjitetit në shërbim të kombit. Vrasja mizore pas luftës e luftëtarit të  lirisë, mbetet një plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive. Një krim i rëndë ndaj njeriut që dha çdo gjë për lirinë dhe që meritonte drejtësi, porse jo plumbin e pabesisë! Lavdi jetës dhe veprës së komandant Drinit!

Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe ecuria e formimit të institucioneve të reja. Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushat me interes të përbashkët, në veçanti fushën e mbrojtjes, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Gjatë vizitës në Brunei, Zotëria i Parë Prindon Sadriu, pritet me nderime të larta në Akademinë e Mbrojtjes të Forcave të Armatosura Mbretërore të Bruneit

Në kuadër të vizitës shtetërore të Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, në Sulltanatin e Bruneit Darussalam, me ftesë të Madhërisë së Tij, Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, zhvilloi një vizitë në Akademinë e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura Mbretërore të Bruneit, ku u prit me nderime të larta. Gjatë kësaj vizite, ai ishte i shoqëruar nga këshilltari ushtarak i Presidentes, Gjeneral Brigade Dr. Sefer Isufi. Zotëria i Parë u mirëprit nga Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Pehin Datu Lailaraja, Gjeneral Major (Ret.) Dato Paduka Seri Haji Awang Halbi bin Haji Md Yussof, Komandanti i Forcave të Armatosura Mbretërore të Bruneit, Gjeneral Major Dato Paduka Seri Haji Muhammad Hasaimi bin Bol Hassan, si dhe nga Komandanti i Akademisë, Kolonel Pengiran Sharifuddin bin Pengiran Haji Yusof. Gjatë takimit, drejtuesit e institucionit e informuan Zotërinë e Parë për strukturën organizative të akademisë, për doktrinën dhe filozofinë e saj ushtarake, për nivelin profesional të stafit dhe për infrastrukturën moderne që ofron mbështetje të plotë për trajnimin dhe edukimin e kadetëve dhe oficerëve. Në vazhdim, ai vizitoi ambientet e punës, sallat e ligjërimit, hapësirat e studimit, objektet për stërvitje ushtarake e fizike, si dhe mjediset rekreative dhe akomoduese për kadetët dhe kuadrot ushtarakë. Në fjalën e tij, Zotëria i Parë, Nënkolonel (R) Prindon Sadriu, shprehu mirënjohje të thellë për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer, si dhe vlerësoi lart standardet profesionale të Akademisë. Ai theksoi se pritja e jashtëzakonshme që iu bë Presidentes së Republikës së Kosovës nga Sulltani dhe autoritetet e Bruneit është dëshmi e miqësisë së sinqertë dhe e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë. Më pas, Zotëria i Parë mbajti një prezantim të shkurtër para pjesëmarrësve nga rreth 30 vende të botës në kuadër të kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, duke ndarë përvoja profesionale dhe pikëpamje mbi çështje të sigurisë ndërkombëtare. Ai gjithashtu vizitoi edhe disa nga programet trajnuese për oficerët të cilat zhvilloheshin në këtë institucion. Diskutimi u përqëndrua edhe te bisedimet e zhvilluara ndërmjet Presidentes Osmani-Sadriu dhe Madhërisë së Tij, Sulltanit Haxhi Hassanal Bolkiah, për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për inicimin e partneritetit mes forcave të armatosura dhe akademive të mbrojtjes të dy vendeve. Vizita u përmbyll me një drekë pune, ku u thelluan më tej diskutimet mbi potencialin për bashkëpunim ndërshtetëror në fushën e mbrojtjes dhe arsimit ushtarak.

Sulltani i Bruneit organizoi banket shtetëror për nder të vizitës së Presidentes Osmani

Sulltani i Bruneit, për nder të vizitës së Presidentes Osmani ka organizuar banket shtetëror. Presidentja Osmani ka shkruar: Në banketin shtetëror të organizuar nga Sulltani i Bruneit, për nder të vizitës sonë, u dëshmuan vlerat e bujarisë e mikpritjes dhe respektit që e karakterizojnë këtë komb. Përgjatë vizitës, kishim nderin që gjithashtu të takojmë Princin e Kurorës, Al-Muhtadee Billah, si dhe Princeshën e Kurorës Sarah, ku diskutuam rreth mundësive të shumta për bashkëpunim në fusha të interesit të dyanshëm. Momente të tilla na kujtojnë fuqinë e diplomacisë dhe të respektit të ndërsjellë në ndërtimin e urave ndërmjet kulturave dhe shteteve.

This site is registered on wpml.org as a development site.