Presidentja Osmani përkujton Betejën e Çabratit: Beteja e Çabratit është piedestali i qëndresës dhe lavdisë!

Beteja e Çabratit është piedestali i qëndresës dhe lavdisë! Në ballë të historisë, aty ku gjaku i lirisë u bë flamur, qëndruan vajzat dhe djemtë e Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me zemër e besë, ata mbrojtën Gjakovën nga barbaria e regjimit gjenocidal serb. Në atë betejë të lavdishme ranë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK-së, u vranë mizorisht afër 100 banorë dhe u rrëmbyen me dhunë mbi 300 të tjerë. Çabrati është betim për liri, kujtesë e përhershme dhe thirrje për drejtësi. Lavdi dëshmorëve! Nderim për të rënët! Drejtësi për të pagjeturit!
Presidentja Osmani nderohet me Urdhrin e Familjes Mbretërore “Datin Laila Utama” nga Sulltani i Brunei Darussalam

Gjatë vizitës shtetërore në Sulltanatin e Bruneit Darussalam, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Urdhrin e Familjes Mbretërore Laila Utama, më i larti në nivel të shtetit. Ky urdhër u jepet tradicionalisht udhëheqësve të huaj ndërkombëtar. Me këtë nderim, Presidentes Osmani i është dhënë gjithashtu edhe titulli honorifik “Datin Laila Utama”, i cili bart një nder të veçantë në protokollin shtetëror të Bruneit. Në ceremoninë e pranimit të këtij Urdhri dhe titulli, Presidentja Osmani u shpreh se ky nder është një simbol i fuqishëm i respektit të ndërsjellë dhe i miqësisë që po ndërtohet në mes dy popujve. “Ky Urdhër dhe ky titull nuk është vetëm një vlerësim për mua, por mbi të gjitha një nderim për popullin e Kosovës. Jam thellësisht mirënjohëse për mikpritjen dhe respektin e treguar nga Sulltani dhe populli i Bruneit”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ky nderim i lartë është dëshmi e përkushtimit të Presidentes Osmani ndaj forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe promovimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Këtë Urdhër mbretëror dhe titull prestigjioz e ka marrë më parë edhe Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar.
Presidentja Osmani ka folur para anëtarëve të trupit diplomatik, stafit akademik dhe studentëve të Universitetit të Brunei Darussalam, lidhur me të kaluarën përplot sakrifica e procesin e shtetndërtimit në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Brunei, ka folur para anëtarëve të trupit diplomatik, stafit akademik dhe studentëve të Universitetit të Brunei Darussalam, lidhur me të kaluarën përplot sakrifica e procesin e shtetndërtimit në Kosovë. “Ishte kënaqësi të flas para anëtarëve të trupit diplomatik, stafit akademik dhe studentëve të Universitetit të Brunei Darussalam, lidhur me të kaluarën përplot sakrifica e procesin e shtetndërtimit në Kosovë, si dhe vizionin tonë për një të ardhme edhe më të mirë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani uron Kancelarin Merz: Presim me padurim forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit tonë për ta çuar përpara rrugëtimin legjitim të Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në emër të popullit të Kosovës, ka uruar Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz me rastin e marrjes së detyrës. Urimi i plotë i Presidentes Osmani: Në emër të popullit të Kosovës, i uroj suksese Kancelarit Friedrich Merz me rastin e marrjes së detyrës dhe fillimit të mandatit të qeverisë së re gjermane. Në një moment përcaktues për unitetin dhe sigurinë e Evropës, udhëheqja e vazhdueshme e Gjermanisë është më e rëndësishme se kurrë. Si një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës, presim me padurim forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit tonë për ta çuar përpara rrugëtimin legjitim të Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Presidentja Osmani: Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas krimit të rëndë që ndodhi sot në Prizren. Reagimi i plotë i Presidentes Osmani: Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi! Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet! Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar. I bëj thirrje organeve të drejtësisë: veproni me forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës! Zbardhje e plotë, ndëshkim maksimal – ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast. Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura. Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie. Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë! Ngushëllime të thella për jetën e pafajshme të humbur. Lutje për forcë dhe shërim për të mbijetuarat. Dhe zë i lartë për drejtësi!
Presidentja Osmani kujton Heroin Luan Haradinaj në përvjetorin e rënies: Ai ishte ndër të parët që zgjodhi lirinë mbi jetën, atdheun mbi gjithçka

Në përvjetorin e rënies së Heroit Luan Haradinaj, përkulemi me nderim para jetës dhe sakrificës së tij. Ai ishte ndër të parët që zgjodhi lirinë mbi jetën, atdheun mbi gjithçka. Gjaku i tij dhe i të gjithë heronjve të UÇK-së, është gurthemel i lirisë sonë. Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Luan Haradinaj!
Presidentja Osmani iu shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe Partisë Socialdemokrate të Kosovës për ndarjen nga jeta të znj. Kaqusha Jashari

Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të znj. Kaqusha Jashari, një prej figurave më të njohura të historisë politike të Kosovës moderne. Ajo dha kontribut të pandërprerë në periudha vendimtare për vendin. Jeta dhe vepra e znj. Jashari përfaqësojnë përkushtimin ndaj vendit, si zë i fuqishëm në kohë të vështira politike, si themeluese dhe udhëheqëse e një partie politike, si deputete e zgjedhur nga populli, por edhe si krijuese në sferën e artit. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Kaqusha Jasharin!
Presidentja: “Mora fjalë” solli në zemër të Brunei Darussalam tingujt e kësaj kënge emblematike, të performuar kësaj rradhe nga orkestra mbretërore e Bruneit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “Mora fjalë” solli në zemër të Brunei Darussalam tingujt e kësaj kënge emblematike, të performuar kësaj rradhe nga orkestra mbretërore e Bruneit. Presidentja Osmani ka shkruar: “Mora fjalë” solli në zemër të Brunei Darussalam tingujt e kësaj kënge emblematike, të performuar kësaj rradhe nga orkestra mbretërore e Bruneit, duke dëshmuar respektin për sakrificën e Kosovës si dhe fuqinë e kulturës përtej kufijve.
Presidentja Osmani përkujton akademik Fehmi Aganin në përvjetorin e vrasjes

Sot, në përvjetorin e vrasjes së akademik Fehmi Aganit, përkujtojmë me nderim një prej mendjeve më të ndritura të rezistencës sonë paqësore. Ai besoi te fuqia e vlerave njerëzore edhe në kohën kur bota heshti përballë krimeve të Serbisë në Kosovë. E vrau pikërisht ajo makineri gjenocidale serbe e cila frikësohej nga mençuria e tij që ngjallte shpresë. Kujtimi dhe vizioni i tij mbetet udhërrëfyes për brezat që besojnë se liria dhe dinjiteti mbrohen me çdo kusht. Lavdi jetës dhe veprës së Fehmi Aganit!
Presidentja: Faleminderit Madhërisë së Tij, Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe nderimin që iu bë sot Republikës së Kosovës!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, të cilët po qëndrojnë për vizitë shtetërore në Brunei Darussalam janë pritur sot me nderime mbretërore dhe me Gardë Ceremoniale nga Sulltani i Brunei Darussalam Hassanal Bolkiah. Presidentja Osmani ka shkruar: Një vizitë historike! Një raport i ndërtuar mbi respekt e besim reciprok! Një e ardhme e ndritur e potencial i jashtëzakonshëm për bashkëpunim! Faleminderit Madhërisë së Tij, Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe nderimin që iu bë sot Republikës së Kosovës!