Presidentja Osmani: Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës, njeriu që e pa pavarësinë e Kosovës si domosdoshmëri historike dhe morale

Më 16 maj 1999, patrioti e intelektuali Ukshin Hoti u rrëmbye dhunshëm nga Burgu i Dubravës dhe që nga ajo ditë asnjë gjurmë për të. Një mendje brilante, një shpirt i lirë dhe një vizionar i pashoq i çështjes kombëtare. Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës, njeriu që e pa pavarësinë e Kosovës si domosdoshmëri historike dhe morale. Mungesa e tij mbetet plagë e hapur për kombin. Ai është kujtesë, mësim dhe sfidë për të sotmen tonë, ndaj zbardhja e fatit të tij është obligim i yni i vazhdueshëm.

Presidentja Osmani përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion po mbahet në Tiranë, Shqipëri, dhe që do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së. Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri Rama, gjersa përgjatë samitit, do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ndërsa së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”. Kjo tryezë e liderëve do të trajtojë sfidat e sigurisë në kontinent dhe mundësitë që lidhen me migrimin dhe lëvizshmërinë, me theks të veçantë në fuqizimin e të rinjve, si dhe në shfrytëzimin e potencialit të mërgatës si motor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë të bashkëkryesuar nga Presidentja Osmani do të marrin pjesë liderë nga mbarë Evropa, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Belgjikës, ndër të tjerë. Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë. Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë që të diskutojnë çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, në kuadër të konsultimeve gjithëpërfshirëse me liderët e subjekteve parlamentare. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit. Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyçe në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit.

Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të rregullt të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Sikurse edhe në takimet e kaluara, u diskutua për rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje. Përveç kësaj u diskutuan tema konkrete të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës, që ndër të tjera përfshijnë fushën e diplomacisë dhe mbrojtjes.

Presidentja: Kosova është gati për hapa të mëdhenj drejt BE-së. Është koha që edhe BE-ja të tregojë vendosmëri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa. Presidentja Osmani ka shkruar: Kosova është gati për hapa të mëdhenj drejt BE-së. Është koha që edhe BE-ja të tregojë vendosmëri. Sot pata kënaqësinë ta mirëpres për herë të parë në Kosovë Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Me mikun e vendit tonë diskutuam për rrugën evropiane të Kosovës, për domosdoshmërinë që BE t`i heqë masat e padrejta ndaj vendit tonë, dhe për nevojën që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet sa më parë.

Presidentja Osmani pranoi raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike. Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm. Nga ana e saj, Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Loiseau e përgëzoi Presidenten Osmani për angazhimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe për organizimin paqësor të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi pjekurinë e treguar nga qytetarët e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e plotë të ofruar ndaj misionit vëzhgues. Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend.

Presidentja Osmani priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav, me të cilin diskutoi situatën aktuale politike në vend. Presidentja Osmani e informoi ambasadorin Orav për mbajtjen e takimit konsultativ me liderët e partive politike, të planifikuar për nesër. Gjatë takimit, u diskutua edhe për vizitat e rëndësishme të drejtuesve të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke përfshirë vizitën e sotme të kryesuesit të Këshillit të BE-së, z. António Costa, si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së BE-së për integrimin evropian të Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.