Me rastin e Festës së Krishtlindjes, presidentja Atifete Jahjaga ka uruar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, si dhe të gjithë besimtarët katolikë.
Në urim thuhet:
Në këtë ditë të shenjtë të Krishtlindjes, me respekt ju përcjelli urimet më të përzemërta Juve dhe të gjithë besimtarëve katolikë në Republikën e Kosovës.
Uroj që solidariteti, harmonia, mirëqenia dhe mirëkuptimi të mbretërojnë në çdo familje.
Në këtë ditë, le të përkujtojmë të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Republika e Kosovës, vlerë themeltare e ka tolerancën dhe mirëkuptim ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj.
Si çdo vit edhe sivjet, kremta e Krishtlindjes sjell mesazhin e paqes dhe të dashurisë midis popujve dhe dashurinë e krijuesit për njerëzimin.
Juve dhe të gjithë besimtarëve katolikë, Ju uroj që Krishtlindjen ta kaloni në atmosferë tolerance, paqeje dhe dashurie me familjet tuaja.
Me respekt,
Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës